1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulmi i Frankfurtit pa dyshim terrorist

3 Mars 2011

Të shtënat ndaj ushtarëve amerikanë në aeroportin e Frankfurtit duket se kanë qenë të motivuara politikisht. Prokuroria e Përgjithshme Federale njoftoi se drejtimin e hetimeve i ka marrë tani përsipër ky institucion.

https://p.dw.com/p/10T24
Prokurorja e Përgjithshme e Gjermanisë Monika HarmsFotografi: picture-alliance/dpa

Plumbat kundër ushtarëve amerrikanë në Aeroportin e Frankfurtit kanë qenë vepër e një islamisti. I riu Arid U, nga Kosova me banim në Franfkurt e ka pranuar veprën, bëri të ditur ministri i Brendshëm i landit të Hessenit, Boris Rhein. Sipas rezultateve të deritanishme të hetimeve akti është kryer nga një person radikalizuar pa lidhje më ndonjë rrjet terrorist apo celulë terroriste. Sipas vlerësimeve të ekspertëve ky është sulmi i parë vdekjeprurës me sfond islamik në Gjermani.

Attentat auf US Soldaten Frankfurt
Policia në vendin e ngjarjesFotografi: dapd

Prokuroria në veprim

Prokurorja e Përgjithshme e Gjermanisë Monika Harms deklaroi: "Për shkak të rrethanave të ngjarjes ka dyshime se ky në rastin e këtij atentati kemi të bëjmë me një vepër me motive islamike." Ajo tha se të premten në mëngjes do të mbahet një konferencë shtypi dhe do të bëhen publike të dhënat për hetimet e deritanishme. Hetimet e autoriteteve gjermane po mbështeten edhe nga autoritetet amerikane.

Sipas MPB të landit të Hessenit, ku gjendet edhe aeroporti i Frankfurtit, 21-vjeçari e ka pranuar ndërkohë veprën. Ai tha gjithashtu se sipas hetimeve të para bëhet fjalë për një islamist të radikalizuar, i cili me sa duket ka vepruar si individ dhe që sipas hetimeve të deritanishme nuk duket se ka pas vetes ndonjë rrjet terrorist.

Pas atentatit të djeshëm policia federale ka shtuar kontrollet dhe praninë në aeroportin e Frankfurtit.

Deutschland Parteien CSU Hans-Peter Friedrich wird neuer Innenminister
Hans-Peter Friedrich (CSU),Fotografi: dapd

Siguria nuk ka nevojë të rritet

Edhe ministri i ri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich, e dënoi këtë akt. Friedrich nuk e konsideron të nevojshme rritjen e shkallës së sigurisë në mbarë vendin pas sulmit të fundit vdekjeprurës. "Sipas "njohurive të deritanishme nuk ka tregues që të flasin për një rritje të pranisë policore në mbarë vendin, tha Friedrich gjatë paraqitjes së tij të parë si ministër në Berlin.

Parlamenti i landit gjerman të Hessenit përkujtoi sot dy ushtarët amerikanë të vrarë në Aeroportin e Frankfurtit. Frank Lortz, zëvendëskryetari i parlamentit, tha në Wiesbaden: "E pritëm me tronditje të thellë dhe ankth lajmin për sulmin ndaj pjesëtarëve të ushtrisë amerikane në Aeroportin e Frankfurtit. Ndajmë dhimbjen me të afërmit e viktimave dhe shprehim sinqerisht keqardhje. Ushtarëve të plagosur rëndë iu transmetojmë që këtej urimin për shërim të shpejtë."

Autor: Dr- Pandeli Pani

Redaktoi: Aida Cama