1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Sulme të koordinuara" - Mumbai sërish cak i sulmeve terroriste

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i dënoi sulmet në metropolin indian Mumbai. Anëtarët e këshillit theksuan gjithashtu detyrimin e tyre, për ta luftuar terrorizmin në të gjitha format e tij.

Policia indiane në Mumbai - korrik 2011

Policia indiane në Mumbai - korrik 2011

Qyteti, që nuk fle kurrë, ka kaluar sërish një natë, e cila me gjasa do t'u mbetet shumë vetëve në kujtesë si ëndërr e keqe. Tri lëndë shpërthyese në tri vende të ndryshme shpërthyen brenda vetëm 15 minutave. Kjo flet për një seri të planifikuar me kujdes. I këtij mendimi ishte që në mbrëmje edhe ministri i brendshëm Chidambaram:

"Ky është një sulm i bashkërenduar i terroristëve."

Ministri i Brendshëm, P Chidambaram

Ministri i Brendshëm, P Chidambaram

Me sa duket atentatorët patën zgjedhur qëllimisht një zonë me gjallëri të Mumbait dhe i aktivizuan lëndët plasëse herët në mbrëmje, në një kohë kur shumë njerëz janë në rrugë e sipër. Ky i ri ishte në afërsi kur shpërtheu njëra prej bombave:

"U afruam me vrap për të parë se çfarë kishte ndodhur. Kishte tym, gjithçka ishte shkatërruar dhe kur tymi u largua, pamë njerëzit të shtrirë. Ata thërrisnin për ndihmë."

Mumbai, Bombei i dikurshëm, është një metropol i prekur nga terrori: në nëntor 2008 disa atentatorë shokuan qytetin duke vepruar në gjendje amoku. Kur shtinë pa dallim jo vetëm në stacionin e trenave, po ndër të tjera edhe në hotele të njohura me 5 yje.

Pyetja tani është: ku të shpie gjurma e atentatorëve. Dhe çfarë pasojash do të ketë kjo: Ditët e terrorit në nëntor 2008 i patën çuar dy fuqitë bërthamore, Indinë dhe Pakistanin, sërish në prag të një lufte. India paraqiti prova, se atentatorët në gjendje amoku ishin përgatitur në kampe terrori në Pakistan. Edhe tani së paku mediet filluan shpejt të spekulojnë mbi ideatorët e mundshëm.

Pjesëtarë të Lashkar-e-Toibas të arrestuar në Pakistan

Pjesëtarë të Lashkar-e-Toibas të arrestuar në Pakistan

Për shembull, thuhet se pas tij mund të fshihet organizata terroriste pakistaneze Lashkar-e-Toiba, e cila me gjasa është përgjegjëse edhe për sulmet e vjeshtës 2008. Qeveria e Pakistanit i dënoi sulmet. Dhe ajo indiane nuk donte fillimisht të përfshihej në spekulime dhe bëri thirrje për maturi:

"Dua t'u bëj thirrje njerëzve në Mumbai dhe në gjithë vendin, që të rrinë të qetë dhe të ruajnë paqen."

Një njësi speciale, e ngritur pas nëntorit 2008, u dërgua në rrugë ajrore në Mumbai për të hetuar vendet e sulmeve. Hetuesit shpresojnë të nxjerrin tregues për atentatorët prej llojit të lëndëve plasëse dhe: prej analizimit të kamerave vrojtuese.

Mumbai, Bombei i dikurshëm, në bregun perëndimor të Indisë, është bërë që para 2008-ës disa herë viktimë e sulmeve të rënda me duzina të vrarësh: ndër të tjera në vitet 2006, 2002 dhe 1993.

Autor: Kai Küstner / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti