1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sulm ndaj Francës: Megjithatë terroristët nuk duhet të fitojnë

Ka shumë të dhëna që sulmet e tmerrshme terroriste të Parisit janë kryer nga vrasës me motive islamiste. Bota e civilizuar duhet të ketë më në fund një plan kundër këtij terrori, mendon Bernd Riegert.

Franca është e shokuar. Europa është e shokuar. Qëllimi i terroristëve burracakë nuk janë vetëm viktimat e rastësishme, por jemi ne të gjithë, të gjithë njerëzit e civilizuar. I gjithë njerëzimi, siç është shprehur presidenti amerikan, Barack Obama.

Me tronditje dhe zemërim ne shohim se si terroristët ndezin aksione të organizuara dhe vrasin njerëz pa dallim. Franca, Europa, bota duhet tani të ngrihen të bashkuar dhe të godasin. Autorët me shumë gjasë me sfond islamist duhet të luftohen me të gjitha mjetet. Ndërmjetësit, udhëheqësit shpirtërorë të këtyre vrasësve pa asnjë moral, pavarësisht se ku qëndrojnë ata, në Siri, në Irak apo kudo tjetër duhet të kapen dhe të eliminohen sa më shpejt. I ashtuquajturi “Shteti Islamik” nuk i ka shpallur vetëm Francës luftën, por të gjithë njerëzve të lirë në botë.

Riegert Bernd Kommentarbild App

Bernd Riegert

Në emër të vlerave franceze të lirisë, barazisë, vëllazërimit duhet që bota të ngrihet kundër terrorit. Samiti në Antalya që fillon të dielën i 20 vendeve të industrializuara të botës, ofron një mundësi të mirë për këtë. SHBA, Rusia, dhe ndoshta edhe trupat e NATO-s nga Europa duhet të ngrihen së bashku kundër kësaj bande terroriste me emrin “Shteti Islamik” dhe sa më shpejt të jetë e mundur. Pas sulmeve në Paris në janar u zhvillua marshi impresionues i solidaritetit me politikanë nga e gjithë bota. Një gjest i mirë, por ai nuk mjafton më. Vrasësit pa skrupuj kuptojnë me sa duket vetëm gjuhën e dhunës.

Rekrutimi i atentatorëve potencialë në mesin e të rinjve europianë është duruar shumë gjatë. Duhet të veprohet më energjikisht kundër radikalizimit. Kur qytetarë europianë shkojnë në Siri apo Irak për t'u trajnuar si terroristë, duhet së paku që të pengohen me çdo mundësi që të rikthehen në Europë.

Kushdo mund të preket

Të gjitha konfliktet e tjera mes shteteve duhet të spostohen tani. Sepse mund të preket kushdo. Në Rusi pati të premten një alarm për terror. Turqia ishte objektiv i sulmeve terroriste në tetor. Madridi u godit në vitin 2004, dhe Londra e përjetoi terrorin në vitin 2005. Askush nuk e di me siguri se çfarë celulash terroriste, cilët persona në këto celula në Europa dhe SHBA janë në pritje të aktivizohen. Bota mund të merret ende me fatin e pushtetmbajtësit, Asad, kur të jetë thyer pushteti i frikshëm i „Shtetit Islamik“.

Pas krizës së refugjatëve në Europë po vjen edhe kriza e terrorit, një kërcënim, të cilit nuk i dihen përmasat. Tani Europa duhet të tregojë vërtet se qëndron e punon e bashkuar. Po kërcënohet siguria e qytetarëve dhe qytetareve. Jeta në paqe po rrezikohet. Përgjigja e udhëheqësve politikë në Europë, SHBA dhe Rusi tani duhet të jetë: „Ne dimë të mbrohemi!“

DW.COM