1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Sulm me artileri koreanoverior ndaj një ishulli koreanojugor - sfondi

Ushtria koreanoveriore ka qëlluar papritur një ishull koreanojugor. Gjatë sulmit u plagosën dy ushtarë nga jugu dhe u plagosën disa të tjerë. Bashkësia ndërkombëtare reagoi me shqetësim.

Tym nga ishulli Yeonpyeon

Tym nga ishulli Yeonpyeon

Ishin më shumë se 200 granata, me të cilat Koreja e Veriut qëlloi pa paralajmërim Korenë e Jugut dhe kjo ishte hera e parë që prej përfundimit të luftës së Koresë, që raketat bien në territor të banuar. Të martën (23.11.) në ishullin e vogël, por me popullsi të dendur Yeonpyeon në perëndim të gadishullit korean u dëgjuan të shtëna. Së paku dy ushtarë u plagosën dhe dhjetëra persona, në mesin e tyre edhe civilë u plagosën.

Ushtria e Koresë së Jugut iu përgjigj zjarrit dhe kërkoi nga Veriu përmes një telefonate urgjente, që të ndërpriste menjëherë zjarrin. Avionë koreanojugorë u ngritën në ajër dhe e gjithë ushtria në Korenë e Jugut është vendosur në gjendjen më të lartë të gatishmërisë në kohë paqeje. 1000 banorët e ishullit janë evakuar ndërkohë, por zjarret nuk janë vënë ende nën kontroll. Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Myung-bak, kërkoi pas një takimi krize me këshillin e sigurisë në një bunker në Seul përgjigje të qarta dhe të ashpra. Goditja është një provokim ushtarak, i cili nuk mund të pranohet. Ai theksoi në të njëjtën kohë, se situata nuk duhet të eskalojë më. Në televizionin korean u transmetuan emisione speciale dhe disa nga qytetarët shprehën frikën nga një luftë e mundshme.

Përleshje të përgjakshme midis Koreve ka pasur edhe më parë

Nuk është hera e parë që përgjatë kufirit detar perëndimor ndërmjet Koresë së Veriut dhe të Jugut ka patur përleshje të përgjakshme. Në vitin 1999, 2002 und 2009 anijet e marinës së Koresë së Jugut dhe asaj të veriut kanë zhvilluar beteja të vogla në det. Në mars të këtij viti, një anije patrulluese koreanojugore u fundos nga një silurues koreanoverior. 46 marinarë humbën jetën. Nga Koreja e Veriut nuk ka deri tani shpjegim për goditjen e sotme. Nga ministria koreanojugore e Mbrojtjes u tha se po shqyrtohet lidhja ndërmjet manovres së trupave koreanojugore që filluan të hënën (22.11.) dhe goditjes së sotme të artilerisë koreanoveriore. Koreja e Veriut i është përgjigjur disa herë me zjarr artilerie manovrave të mëparshme. Megjithatë, më parë të shtënat binin në det, pa shkaktuar dëme.

Një shpjegim mund të jetë se Korea e Veriut do të shtojë presionin si ndaj SHBA ashtu dhe ndaj Koresë së Jugut që të rifillojnë bisedimet gjashtëpalëshe pa kushte. Kjo do t'i mundësonte vendit të varfëruar dhe të izoluar marrjen e ndihmave. Një shpjegim tjetër do të ishte me ndërrimin e pushtetit në Korenë e Veriut. Kim Jong Il ka caktuar djalin e tij më të vogël Kim Jong Un si pasardhësin e tij. Për të demonstruar forcë dhe për të siguruar lojalitetin e ushtrisë koreanoveriore, ka mundësi që Kim Jong Un të ketë urdhëruar këtë provokim të qëllimshëm.

Zyrtarisht të dy Koretë ndodhen akoma në gjendje lufte. Pas një faze shtensionimi, Korea e Jugut në vitin 2008 nisi të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj fqinjit të saj, për të arritur çarmatimin atomik të gadishullit korean. Megjithatë në pranverën e vitit të kaluar Korea e Veriut testoi një raketë me rreze të gjatë veprimi dhe për herë të dytë një kokë shpërthyese atomike. Momentalisht i ngarkuari i posaçëm amerikan, Stephen Bosworth, ndodhet në rajon, për t'u marrë vesh me aleatët pas bërjës së ditur të pasurimit të uraniumit nga Koreja e Veriut. Në deklaratën e tij të parë ai bëri të qartë se në këto kushte nuk është i mundur rifillimi i bisedimeve gjashtëpalëshe. Republika Popullore e Kinës nga ana tjetër theksoi se pikërisht tani dialogu është i domosdoshëm dhe paralajmëroi për rrezikun e një përshkallëzimi të situatës.

Autor: Peter Kujath/Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 23.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QGFq
  • Data 23.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QGFq