1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Sulm i planifikuar apo thjesht incident? Pas sulmit luftarak turk ndaj kurdëve

Konflikti mes turqve e kurdëve, pas sulmit luftarak turk ka marrë një dimension të ri. Partia Punëtorë Kurde (PKK) ka bërë thirrje të premten për "kryengritje". Ndërkohë politika turke shprehu keqardhje për incidentin.

Pamje nga zona e kufirit mes Irakut dhe Turqisë

Pamje nga zona e kufirit mes Irakut dhe Turqisë

U bë fjalë për një gabim. Aviacioni luftarak turk vrau 35 vetë në një sulm ajror në zonën e kufirit mes Irakut dhe Turqisë, zonë kjo e dominuar nga kurdët. Sipas të dhënave të palës turke, sulmi u zhvillua kundër ekstremistëve kurdë - por në mbrëmjen e së enjtes u zbardh se objektivi kishte qenë i gabuar.

Ushtarë turqë patrullojnë në rrugën e krahinës Sirnak në kufi me Irakun

Ushtarë turqë patrullojnë në rrugën e krahinës Sirnak në kufi me Irakun

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Turke deklaroi se sulmi i natës të së enjtes ishte drejtuar kundër luftëtarëve kurdë. Ndërsa zëvendëskryetari i partisë qeverisëse turke, AKP, Husein Çelik para mediave bëri fjalë për një "incident fatkeq". Ndërkohë është zbardhur, pohoi Çelik, se tek viktimat nuk bëhet fjalë për ekstremistë kurdë, por për civilë që jetojnë nga kontrabanda.

Husein Çelik, i cili është edhe zëdhënës i Partisë Turke për Drejtësi dhe Mirëqenie u shprehu ngushëllimet anëtarëve të familjeve të viktimave dhe premtoi hetimin e ngjarjes. Në konferencën e shtypit, Husein Çelik u shpreh pa ekuivoke, se nuk do të ketë asnjë përpjekje për të fshehur faktet. "Po qe se është bërë një gabim apo është vepruar në mënyrë të papërgjegjshme, kjo do të dalë në dritë." Sipas të dhënave të televizionit turk, NTV, të premten vetëm tre kufoma janë dërguar për autopsi, të tjerat u janë çuar familjeve nëpër fshatra.

Reagimi i PKK-s

Ndërkohë Partia Punëtore Kurde, (PKK) mjaft aktive në zonën kufitare me Irakun bëri thirrje të premten për kryengritje. "Ne i bëjmë thirrje popullit të Kurdistanit për të reaguar ndaj kësaj masakre." Kështu deklaroi komandanti Bahoz Erdal, nga krahu i armatosur i PKK-s. Kjo kryengritje, për kurdët, nënkupton jo vetëm aksione të mosbindjes civile, por edhe protesta të dhunshme dhe sulme ndaj forcave të armatosura turke. Erdal akuzoi ushtrinë turke për një "masakër të qëllimshme dhe të planifikuar" ndaj civilëve në zonën kufitare. Tregtia në zonën kufitare është e njohur prej kohësh, dhe është e pamundur të mos identifikohen civilët, tha ai.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Një grup personash me gomarë e kuaj që lëviznin duke u gdhirë e enjtja në drejtim të kufirit turk ishin zbuluar nga një avion pa pilot. Kjo u bë shkak për dhënien e urdhrit forcave të aviacionit luftarak për të sulmuar. Objektivi, në afërsi të fshatit Uludere, provinca e Sirnakut, natën u vu nën bombardim. Pas kësaj ushtria turke vetëm konfirmoi se ndërkohë kanë filluar hetimet mbi ngjarjen. Ndërsa fshatarët e zonës kanë raportuar për agjencinë turke të lajmeve, Dogan se viktimat kanë qenë kontrabandistë, të cilët sjellin naftë me gomarë në këto zona.

Rajoni i Sirnakut është pika më e nxehtë e konfliktit mes ushtrisë turke dhe PKK-s. Herë pas here ekstremiste kurdë janë futur nga Iraku verior në drejtim të Turqisë.

Vetë zyra e guvernatorit të provnicës së Sirnakut ishte shprehur më parë se rebelët ishin përpjekur të futeshin në Turqi nga Iraku verior "ku ndodhen edhe kampet më të rëndësishme të PKK-s dhe ku nuk jetojnë civilë". Nga sulmet e mëparshme dihet se PKK përpiqet që me gomarë e kuaj të fusë kontrabandë armë, municione dhe lëndë shpërthyese në Turqi.

Autor: dpa, afp/Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti