1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sulm i përgjakshëm në Irlandën e Veriut - Politikanë britanikë dhe irlandezë e dënojnë aktin

Frika nga terrori është rikthyer në Irlandën e Veriut. Të shtunën në mbrëmje në ish- rajonin britanik të krizave u vranë nga një sulm terrorist dy ushtarë britanikë. Politikanë britanikë dhe irlandezë e kanë dënuar aktin

Pamje brenda kazermës Massereene, në County Antrim të Irlandës së Veriut, ku u krye atentati kundër ushtarëve britanikë

Pamje brenda kazermës Massereene, në County Antrim të Irlandës së Veriut, ku u krye atentati kundër ushtarëve britanikë

Është hera e parë qysh prej 12 vitesh që në Irlandën e Veriut vriten ushtarë britanikë nëpërmjet një atentati të tillë: Doras ende të paidentifikuar hapën zjarr nga një makinë, e cila po sillte pica në një kazernë ushtarake në fshatin Antrim, në veri të Belfastit. Dy ushtarë humbën jetën dhe katër vetë të tjerë u plagosën rëndë. Policia e bllokoi të gjithë zonën përreth kazermës dhe filloi një aksion intensiv për gjetjen e atentatorëve. Vetëm pak orë më vonë, politikanë britanikë dhe irlandezë e dënuan ashpër sulmin. Kryemnistri britanik Brown tha:

"Mendoj se i gjithë vendi është i shokuar dhe i tronditur nga ky sulm kundër ushtarëve britanikë, të cilët po kryenin detyrën dhe kundër personave civilë, që vetëm po bënin detyrën. Për ne siguria e njerëzve në Irlandën e Veriut ka qenë gjithmonë prioriteti më i lartë. Do të ndërmarrim çdo masë që ta ruajmë edhe në të ardhmen këtë siguri. Ju siguroj gjithashtu se do t´i çojmë vrasësit përpara gjyqit. Asnjë vrasës nuk do të mund ta bllokojë procesin e paqes, i cili gëzon mbështetjen e shumicës së popullit të Irlandës së Veriut."

Deri tani nuk e ka marrë askush përgjegjësinë për këtë sulm. Mendohet se këtu kanë gisht republikanët ekstremistë, të cilët e luftojnë procesin e paqes në Irlandën e Veriut. Pas disa vitesh paqeje, tashmë janë shtuar kërcënimet ndaj policisë dhe ushtrisë në Irlandën e Veriut.

Lule para kazermës ku u vranë ushtarët britanikë

Lule para kazermës ku u vranë ushtarët britanikë

Madje javën e kaluar shefi i policisë deklaroi se kërcënimet e disidentëve pro-irlandezë, janë më të forta se kurrë qysh prej marrëveshjes së paqes. Eksperti për terrorizmin, Kevin Tulis, thotë:

"Këtu kemi të bëjmë me grupime të vogla. Mendoj se këta janë një IRA e re."

Por në rast se IRA vështrohet si një familje, atëhere këtu kemi të bëjmë me një brez të ri, sepse aksoni i fundit terrorist kundër britanikëve ndodhi përpara 12 vitesh, vazhdon eksperti. "Shohim një udhëheqje të re, e cila i ka rrënjët tek republikanët , dhe që është e gatshme të përdorë dhunën e ka akses tek armët dhe lëndët shpërthyese."

Në Irlandën e Veriut janë zhvilluar për dekada me radhë luftime të përgjakshme mes protestantëve pro-britanikë dhe katolikëve pro-irlandezë. Në vitin 1998 u nënshkrua marrëveshja për procesin e paqes, e cila deri tani ka sjellë një stabilizim relativ të situatës në Irlandën e Veriut. Por qysh prej viteve `60 nga sulmet terroriste e kanë humbur jetën mbi 3.000 vetë.

  • Data 09.03.2009
  • Autor Torsten Huhn/Sand/aud
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H8Xo
  • Data 09.03.2009
  • Autor Torsten Huhn/Sand/aud
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H8Xo