1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulm i madh spiunazhi kompjuterik ndaj parlamentit gjerman

Sabine Kinkartz12 Qershor 2015

Prej katër javësh rrjeti kompjuterik i Bundestagut gjerman është pre e spiunazhit. Me sa duket deri tani sulmin nuk mund ta ndalë askush. A duhet të zëvendësohen të gjithë kompjuterat?

https://p.dw.com/p/1FfuE
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Jensen

Ky është sulmi më i madh i spiunazhit kompjuterik ndaj parlamentit gjerman - dhe nuk duket se ka të mbaruar. "Ne e dimë që Bundestagu e ka humbur me sa duket kontrollin ndaj infrastrukturës së tij të IT-së," thotë gazetari Markus Beckedahl i netzpolitik.org në një intervistë me DW: "Kjo do të thotë se Bundestagu në fakt është i paaftë për punë, sepse askush nuk e di, në qoftë se informacionet në kompjuterin e tij janë apo jo të sigurta."

Deputeti i SPD-së Lars Klingbeil vetëm se mund të konfirmojë këtë: "Ky është një problem i madh për punën tonë si deputetë." Ndër kolegët e tij mbizotëron pasiguri e madhe, tha kryetari i komisionit për Agjendën Digjitale. Kjo është një situatë shumë e rrezikshme. "Këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë të ri që do të fyejë Bundestagut gjerman dhe sulmon diku nga ndonjë garazh. Pas kësaj fshihen organizata kriminale, apo madje edhe shtete." Një mendim të ngjashëm ka edhe Konstantin von Notz, i partisë së Gjelbër. Ai thotë se kemi të bëjmë me një sulm që ka karakterin e atyre të shërbimeve sekrete.

Administrata e Bundestagut hesht

Trojanët e futur në kompjuterat e parlamentit janë ende aktivë. Ekspertët po punojnë për eleminimin e rrezikut, por ata nuk japin informacione, sepse ndërkohë po zhvillohen edhe hetime. Madje as deputetëve nuk po u jepen sqarime, kritikon Lars Klingbeil, që thotë se sulmet po ndodhin prej katër javësh dhe se shumë gjëra ata i kanë marrë vesh nga mediat.

Symbolbild Anonymous Hacker
Fotografi: AFP/Getty Images/R. Rahman

Sipas hulumtimeve të gazetarëve të NDR, WDR dhe Süddeutschen Zeitung Agjencia Federale për Sigurinë dhe IT ka arritur në përfundimin se rrjeti nuk mund të mbrohet dot më prej sulmeve dhe duhet ndërruar i tëri. Hakerët me sa duket kanë arritur të depërtojnë në thelbin e brendshëm të infrasturës së IT të Bundestagut dhe të kenë përvëtësuar edhe të drejtat e administratorëve duke pasur kështu mundësinë për të hapur të gjitha dyert e sistemit.

Dëm total

Drejtuesi administrativ i grupit parlamentar të CDU/CSU-së Bernhard Kaster, mendon se do të mjaftojë vetëm ndryshimi i software dhe nuk ka nevojë për të vendosur një rrjet të tërë të ri. Por eksperti i kompjuterave Beckedahl, thotë se kjo nuk mund të përjashtohet. "Të paktën që nga Snowden ne e dimë se shërbimet sekrete kanë edhe mundësinë për të manipuluar hardware". Në këtë rast, dëmi do të jetë edhe më i madh dhe i komplikuar. Sepse rrjeti Bundestagu përbëhet nga rreth 20.000 kompjutera. Zëvendësimi i gjithë atyre do të kërkojë jo vetëm shumë kohë, por edhe kosto të madhe shumë, "pra dhjetëra apo qindra miliona dollarë," tha Beckedahl. Sipas tij në Bundestag ka ende kompjutera që përdorin Windows XP për të cilin Microsoft nuk ofron më suport. Dhe këto duhet të kenë qenë pikat ku është depërtuar.

Mësimet për të ardhmen

Deputeti Klingbeil thotë se në të ardhmen duhet të "rriten standardet e sigurisë dhe ne kemi nevojë për personel dhe pajisje. Ne kemi nevojë për një rrjet të veçuar prej të tjerëve." Markus Beckedahl qesh kur e dëgjon këtë. Në kohët e sotme kjo është e pamundur, sepse Bundestagu duhet të komunikojë dhe të informohet në kohe reale. Një gjë e tillë është e pamundur në një sistem të mbyllur totalisht.

Në Bundestag po diskutohet nëse duhet përfshirë apo jo në hetime Enti për Mbrojtjen Kushtetuese. Ky ent ka si detyrë mbrojtjen prej spiunazhit. Por opozita, sidomos të Gjelbrërit dhe të Majtët nuk e duan këtë gjë, sepse atëhere parlamenti do të kontrollohej prej një institucioni qeveritar, qoftë edhe për të përndjekur gjurmën e sulmit kibernetik.