1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Suksesi i bashkimit të Gjermanisë nuk është ende i plotë

Rindërtimi i Lindjes thuajse është kryer. Në shumë fusha landet e reja ia kanë kaluar të vjetrave. Vetëm produktiviteti vazhdon të jetë në nivel të ulët. Këtë mund ta rregullojë koha. Por për Lindjen koha nuk pret.

default

Bashkimi monetar u krye në vitin 1990

Imagjinojeni: 400.000 vetë migrojnë nga lindja në perëndim të Gjermanisë, vetëm brenda një viti. Ishte viti 1989, viti i rënies së Murit. Dhe një vit më vonë përsëri 400.000 të tjerë. Thjesht u larguan. Eshtë një eksod të vërtetë prej zonave të ish RDGj-së, Republikës Demokratike Gjermane. Kancelari i atëhershëm gjerman Helmut Kohl është nën presion. Gati tre muaj pas rënies së Murit ai shpall më 1 korrik 1990 bashkimin e monedhës.

Qytetarët e RDGJ-së duhet të kenë markë gjermane, një joshje për të mos u larguar nga shtëpia. Kjo dhuratë po e paguan deri sot çmimin e saj. Këshilli gjerman i ekpertëve për vlerësimin e zhvillimit ekonomik i shkruante më 9 shkurt 1990 një letër "kancelarit të nderuar". Të katër ekonomistët i luteshin Helmut Kohlit, që para bashkimit të monedhës të siguronte një reformë ekonomike: "Ne besojmë se realizimi i shpejtë i bashkimit të monedhës është mjeti i gabuar për të ndalur emigrimin."

Fundi i aftësisë konkurruese

Por Kohl nuk i merr parasysh rezervat e ekonomistëve. Me 1 korrik 1990 pagesat, si rrogat, pagat dhe pensionet konvertohen në D-Mark në vlerën një me një. Por raporti i këmbimit një me një nuk pasqyron produktivitetin e dy ekonomive: Në fund të diktaturës së SED-së produktiviteti i RDGj-së arrin në rreth një të tretën e nivelit perëndimor. Raporti i këmbimit shkakton rritjen disafish të çmimeve në lindje.

Deutschland Ansturm auf Banken Einführung der D-Mark in der DDR

Futja e markës gjermane solli mësymje në banka

Firmat gjermanolindore humbasin përfundimisht aftësinë konkurruese, pasi sindikatat dhe punëdhënësit nga Perëndimi në pranverën e vitit 1991 negociojnë për pagat e Gjermanisë Lindore, gjë që çon në rritjen e shpejtë të pagave. "Rrogat u rritën më shpejt se produktiviteti", thotë Gerhard Heimpold nga Instituti për Hulumtime Ekonomike në Halle (IWH), "që do të thotë se ato nuk përballoheshin dot nga ana e ndërmarrjeve."

Ndërmarrjeve u duhet që të mbyllen. Deri në vitin 2005 procesi masiv i deindustrializimit shkurton më shumë se një milion vende pune. Në vitin 1997 papunësia në lindje rritet në 17,7 për qind. Shumë gjermanolindorë, shpesh të rinj dhe të kualifikuar, shkojnë në perëndim. Në vitin 2005 papunësia në lindje arriti në nivelin më të lartë, 18,8 për qind,.

Arritjet e para

Në vitin 2006 gjendja nisi të ndryshojë. Papunësia ra. Në vitin 2013 norma e papunësisë arriti me 10.3 për qind nivelin më të ulët që nga viti 1991. Kush i shqyrton më nga afër këto shifra, konstaton se thjesht dallimi lindje perëndim më nuk mjafton. Sepse gjendja në Turingji është më e mirë se në Renaninë Veriore Westfali, apo në qytet-shtetin e Bremenit.

Bildergalerie Strukturwandel Magdeburg

Protesta - pas bashkimit gjendja ekonomike nuk u përmirësua menjëherë për gjermanolindorët

Më mbresëlënës megjithatë është bumi ekonomik në pesë vitet e para pas rënies së Murit të Berlinit: Arka e shtetit të RDGj-së ishte krejt bosh dhe po aq e madhe ishte nevoja për të rikuperuar mungesat me investime në tregun e pasurive të patundshme, në infrastrukturë dhe në biznes.

Deri në mes të viteve 1990-të produkti i brendshëm bruto për frymë rritet aq shpejt, sa gjatë mrekullisë ekonomike në Gjermanisë Perëndimore të periudhës së pasluftës dhe kjo nga një nivel pikënisjeje shumë më i lartë.

Sipas llogaritjeve të Institutit Ifo të Drezdenit transfertat financiare nga perëndimi në masat për zhvillimin të viteve 1991-2013 arrijnë në rreth 560 miliardë dollarë. "Kanë qenë para të shpenzuara mirë", thotë Heimpold. Sot pajisja me kapital në sektorin e prodhimit në lindjen e Gjermanisë është më e mirë se në Gjermaninë Perëndimore, infrastruktura është më moderne, pjesa e brendshme e qyteteve gjermane gjithashtu, dhe universitetet janë të pajisura mirë.

Problemet strukturore e lënë lindjen pas

Por përmasa, në të cilën shprehet mrekullia e dytë ekonomike gjermane, është në të njëjtën kohë edhe shqetësimi i ekonomistëve. Sepse pas shpejtësisë fillestare për të rikuperuar, vjen stagnacioni. Objektivat e mëdha të investime u konsumuan. Që prej 20 vjetësh vlerat gjermanolindore dhe gjermanoperëndimore nuk po barazohen dot.

67 për qind të nivelit perëndimor ka arritur lindja deri sot, përsa i përket produktit të brendshëm bruto për frymë. Sigurisht që lindja nuk ka nevojë për njëqind për qind të nivelit perëndimor në produktin e brendshëm bruto, thotë Klaus-Heiner Rëhl nga Instituti i Ekonomisë Gjermane në Këln (IW), "Por nga ana tjetër 67 për qind janë përsëri vlera mjaft të ulëta." Edhe landi Schleswig-Holstein, si më i dobëti në Gjermaninë Perëndimore, arrin 82 përqind. Të paktën me më të dobëtit në Gjermaninë Perëndimore duhet të barazohet Gjermania Lindore, mendon Rëhl.

Ostprodukte sind wieder angesagt

Produktet nga Lindja janë sërish atraktive në treg

Edhe Heimpold mendon se produktiviteti duhet të ecë përpara: "Kjo është e arsyeshme për arsye se ne kemi ndryshimin demografik, kështu që një numër në rënie punonjësish duhet të sigurojë prosperitetin e rajonit dhe të vendit." Por pikërisht kjo është tepër e vështirë, sepse pasojat e zhvillimeve ekonomike prej bashkimit të monedhës kanë bërë, që sot të kemi këto probleme të vështira strukturore. Lindja nuk e ka marrë veten kurrë si duhet nga deindustrializimi masiv i fazës fillestare. Mbizotërojnë ndërmarrjet e mesme. "Kur kemi parasysh firma me 100 deri 250 punonjës dhe kur krahasojmë vetëm këtë klasë sipërmarrësish në lindje dhe perëndim, atëherë konstatojmë se ata janë njësoj të fortë ekonomikisht", thotë Rëhl nga IW. Megjithatë produktiviteti gjermanolindor arrin vetëm tre të katërtat e nivelit gjermanoperëndimor.

Çelësi i suksesit: më shume inovacione

Çka mungon në lindje, janë kompanitë e mëdha. Ato janë të gjitha në perëndim dhe ato bëjnë dallimin. Se nuk janë vetëm më produktive, por edhe eksportojmë më shumë dhe për këtë arsye mund të rriten më shpejt. Në perëndim norma e eksportit është gati 50 për qind, në lindje pak më shumë se 30 për qind. Dhe kompanitë e mëdha bëjnë më shumë hulumtime e studime, janë më inovative dhe më të afta për të konkurruar: Në perëndim sektori privat mban rreth 70 për qind të shpenzimeve për kërkimin dhe zhvillimin, në lindje vetëm 40 për qind.

Natyrisht që ndërmarrjet e mesme gjermane mund të bëhen kompani të mëdha. Por për këtë duhet kohë, thonë Heimpold dhe Rëhl.

Por kohë lindja nuk ka, sepse asaj po i largohet popullata në moshë pune. Largimi i djemve me kualifikim të lartë e ka thelluar edhe më shumë në lindje problemin mbarëgjerman të plakes së popullatës. Nga vitet 1990-2012 numri i personave, që punojnë, ka rënë nga 11,2 milionë në 10,1 milionë. Në perëndim numri ka mbetur i qëndrueshëm. Deri në vitin 2030 në lindje numri të personave të aftë për punë do të bjerë përsëri me shifra milionëshe.

Joachim Ragnitz nga Ifo-Institut në Dresden i druhet mungesë së fuqisë punëtore, gjë që pengon zhvillimin. „Përafrimi i metëjshëm i standardeve të jetesës do të ngelet në vend“, thotë ai. E vetmja gjë, që mund të bëhet për zhvillimin demografik, thotë Rëhl është që të gjitha proceset të bëhen më efikase, me më shumë njohuri, më inovative. Kështu mund ta pengosh këtë zhvillim "këtë lloj letargjie, e cila mund të bëhet e përhershme." Një detyrë e vështirë për klasën e mesme. Por nëse ajo ia del, Gjermania mund ta gëzojë fuzionimin e suksesshëm gjermano-gjerman. Por vetëm atëherë."