1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Stuhi me pasoja të rënda në Oklahomë

Mbi 90 të vdekur, shtëpi të shkatërruara, pemë të shkulura me rrënjë, makina të përmbysura - ky është bilanci aktual i një tornadoje të fuqishme që goditi shtetin amerikan amerikan qendror të Oklahomës.

Nga një tornado e fuqishme në shtetin amerikan të Oklahomës, sipas të dhënave zyrtare jetën humbën të paktën 91 njerëz. Ky numër i të vrarëve është kumtuar nga një ekspert i mjekësisë ligjore në qytetin e Oklahomës. Në mesin e të vdekurëve janë edhe 20 fëmijë, nxënës të një shkolle. Më shumë se 230 njerëz të tjerë u plagosën, shumë prej tyre fëmijë. Presidenti amerikan Barak Obama i premtoi nga Uashingtoni mbështetje guvernatores së Oklahomës, Maria Fallin. Qeveria amerikane do të japë të gjithë ndihmën e nevojshme. Edhe guvernatorja Fallin tha në një konferencë shtypi se nuk do të kursejë asnjë burim për të ndihmuar komunitetin të rimëkëmbet nga katastrofa.

Stuhia arriti shpejtësi deri në 320 kilometra në orë

Pamjet e kanalit lokal televiziv KFOR flasin për shkatërrime masive: lagje të tëra janë shkatërruar, rrugët janë bllokuar nga çatitë e shtëpive, makinat janë hedhur si lodra mbi njëra-tjetrën. Gjithashtu u shkatërruan edhe dy shkolla fillore. Nën rrënojat e tyre ekipet e shpëtimit po kërkojnë ende për viktimat e tjera të mundshme.

Që prej fundjavës, pjesë të rajonit të mesëm perëndimor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë goditur nga një seri e stuhive të rënda që lënë prapa gjurmë të shkatërrimit. Stuhitë tashmë kanë kaluar nëpër shtetet Oklahoma, Kansas si dhe Iowa e Illinois. Mediat amerikane njoftuan se vetëm të dielën janë regjistruar 28 tornado.

Të hënën në orët e hershme të mëngjesit nga një stuhi është goditur edhe Missouri. Brenda pak minutave janë shkatërruar shtëpi të tëra, janë shkulur pemë dhe makinat kanë fluturar në ajër. Meteorologët paralajmërojnë se ende nuk ka kaluar rreziku: në ditët e ardhshme mund të pasojnë stuhi të tjera.