1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekspertiza e paqes 2012: Kriza financiare rrezikon paqen

Vilma Filaj-Ballvora23 Maj 2012

Katër institutet prestigjoze gjermane për studimet e paqes publikojnë ekspertizën vjetore.

https://p.dw.com/p/150Go
Pamje simbolike: pëllumbi i bardhë i paqes
Fotografi: Fotolia/chris-m

Kriza financiare u krijon shteteve evropiane jo vetëm probleme të rënda sociale, por veç kësaj shton edhe rrezikun për paqen. Në këtë konkluzion arrijnë katër institutet prestigjoze gjermane  për studimet e paqes në ekspertizën e fundit vjetore. Bashkimi Evropian është i preokupuar me krizën e vet financiare, por jo përshtatje me kohën, vëren Bruno Schoch nga Fondacioni i Hesenit për Studimet e Paqes dhe Konflikteve. Një rregullim i tregut të financave në tërësi është urgjentisht i nevojshëm.  "Bankat mbeten të paprekura nga tatimet", kritikoi duke prezantuar ekspertizën në Berlin.   "Në vend që ta bëjë këtë e gjithë Evropa po i nënshtrohet një diktati kursimesh drakoniane, që e shtyn ekonominë në recesion."

Evropa dhe shteti social rrezikojnë kësisoj të dalin tërësisht jashtë kontrollit. Në një sfond të tillë është i nevojshëm një "New Deal për Evropën". Kjo do të thotë, që detyrimet për qëndrueshmërinë e financave të kushtëzohen me solidaritetin evropian. Kriza e euros e vendos në radhë të parë qeverinë gjermane përballë një sfide të re, sepse ajo po e imponon Gjermaninë si një gjigant ekonomik në rolin e drejtuesit përgjegjës evropian. "Thirrja për këtë përforcohet gjithnjë e më shumë, por njëkohësisht po shtohet edhe frika nga një Berlin i superfuqishëm", tha Schoch. Përgjegjësia e drejtimit është  diçka tjetër nga sundimi - ajo presupozon organizimin e konsensusit me të tjerët, duke marrë parasysh interesat e tyre.

Fotografi simbolike për industrinë e automobilëve nga vendet BRIC
Fotografi simbolike për industrinë e automobilëve nga vendet BRIC

Më shumë përgjegjësi për vendet në ekspansion ekonomik

Ekspertiza e paqes përpilohet çdo vit nga katë rinstitutet e mëdha të paqes. Krahas Fondacionit të Hesenit për Studtimet e Paqes dhe të Konflikteve (HSFK) dhe Instituti të Hamburgut për Politikën e Paqes dhe të Sigurisë, marrin pjesë edhe Qendra Ndërkombëtare për Konversion në Bon dhe Qendra studimore e Bashkësisë evangjeliste të Studimeve, FEST.

Pikërëndesa e ekspertizës së sivjetme janë spostimet globale të pushtetit, shkëputja nga superfuqitë tradicionale drejt vendeve në ekspansion si Kina dhe Brazili. Kryesisht SHBA-ja ka humbur mjaft influencë, jo vetëm për shkak të përqëndrimit tek konfilktet ushtarake, çka lidhet edhe me shpenzimet përkatëse, por sipas raportit: "Ndërkohë që SHBA ka zhvilluar dy luftra duke e dyfishuar brenda dhjetë vjetëve buxhetin e ushtrisë në 700 miliardë dollarë, Kina e ka çuar përpara ekonominë e saj duke grumbulluar valutë".  Fuqizimi i të ashtuquajturve vendet BRICS (vendet në ekspansion: Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut)  i përgjigjet zbehjhes së Perëndimit.  Kjo ndonëse ngjall frikë dhe frymën e alarmit, jo domosdoshmërisht çon në konfrontime të reja. Veçse vendeve të BRIC u bëhet thirrje që të marrin më shumë përgjegjësi ndërkombëtare mbi vete.

Një avion ushtarak iranian i telekomanduar
Një avion ushtarak iranian i telekomanduarFotografi: AP

Kërkohet ndalimi i përdorimit të avionëve me telekomandë

Shkas pë rshqetësim paraqet, sipas instituteve studimore për paqen, intensifikimi i përdorimit të avionëve të armatosur me telekomandë.

"Këto armë të telekomanduara ë bëjnë luftën më të padukshme dhe më të pakushtueshme, minimizojnë viktimat në radhët e palës që i përdor ato dhe e bëjnë më të lehtë ushtrimin e dhunës ushtarake", thuhet në ekspertizën e paqes për vitin 2012.  Në disa ushtri të NATO-s nderkohë po mendohet, që në misionet për ruajtjen e paqes dhe imponimin e paqes nën mandatin e OKB-së të vihen në përdorim avionët ushtarakë të telekomanduar, deklaroi Margret Johannsen nga Instituti për Studimet e Politikës së Paqes dhe të Sigurisë në Hamburg. Kjo bën që të hiqet dorë prej mjeteve diplomatike për zgjidhjen e konflikteve duke ushtruar kësisoj më shpejtë dhunë ushtarake.

Përdorimi i avionëvë ushtarakë të telekomanduar p.sh. në Jemen, apo në Pakistan, shtron edhe çështje ligjore, sepse për këtë nuk vendos ushtria, por shërbimi sekret amerikan CIA. Efekti i përdorimit të këtyre avionëve është mjaft kontradiktor, shton studiuesi nga Heseni Schoch. Në Pakistan p.sh. sulmet shtohen pavarësisht përdorimit të bombarduesve me telekomandë qëkurse është në pushtet Barack Obama. "Ne i bëjmë thirrje qeverisë gjermane, që të angazhohet për klasifikimin e avionëve të armatosur me telekomandë në kategorinë e armëve të ndaluara në regjistrin e OKB-së ", vë në dukje studiuesi i paqes.

Lindja e Mesme fuçi baruti

Institutet e paqes shprehins hqetësim edhe sa i përket gjendjes në Siri dhe tensioneve mes Izraelit dhe Iranit. Plani ndërkombëtar i paqes për Sirinë thuajse nuk ka shanse, u shpreh Schoch duke theksuar, se nuk është optimist. "Më se voni kur të vriten ushtarë të OKB-së, plani do të jetë i dështuar."

Në grindjen për programin bërthamor të Iranit studiuesit e paqes vazhdojnë të mbështeten tek mjetet diplomatike. "Ne propozojmë, që të hiqet dorë nga kërkesa që Irani të ndërpresë pasurimin e uraniumit". Në vend të kësja prej Iranit duhet kërkuar, që të lejojë kontrollin dhe inspektimin e komplekseve bërthamore nga Agjencia Ndërkombëtare Atomike. Izraelit dhe Iranit duhet t'u ofrohen garanci për sigurinë, të cilat mund të kontribuojnë për zbutjen e tensioneve.