1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Studiuesit e vërtetojnë mitin "gjaku i ëmbël" për mushkonjat

Me rritjen e temperaturave mushkonjat shfaqen përsëri. Se sa shepsh pickohemi prej tyre, e përcaktojnë genet tona, konstaton një studim.

"E ke gjakun e ëmbël!" Ato që vuajnë nga të pickuarit e mushkonjave, e kanë dëgjuar disa herë këtë frazë dhe shpesh kanë vënë buzën në gaz, sikur të donin ta largonin nga vetja këtë bezdisje.

Tani studiuesit kanë siguruar prova shkencore, se gjenet tona vendosin me të vërtetë, se kush pickohet nga mushkonjat dhe kush jo. Shkencëtarë të "London School of Hygiene and Tropical Medicine" testuan në një studim binjakë njëvezorë, pra gjenetikisht identikë, dhe binjakë dyvezorë. Këta të fundit kanë dallime më të mëdha gjenetike. Mushkonjat bënin të njëjtat zgjedhje të atyre, që pickonin. Ndërsa tek binjakët njëvezorë mushkonjat i shpërndanin pickimet në mënyrë të barabartë, tek binjakët dyvezorë preferonin më shumë njërin prej binjakëve.

Një grua me malarje në spital

Mushkonjat mund të përhapin sëmundje të rënda si malarja dhe ethet tropikale

Studimi, i publikuar në revistën "Nature", ka një sfond serioz. Studiuesit shpresojnë se kështu mund të hedhin bazat për përmirësimin e ilaçeve kundër mushkonjave. Sepse sëmundjet, që transmetohen nga mushkonjat, si malaria dhe ethet dengue, janë përsëri në rritje.

Një mjet mbrojtës nga mushkonjat mund të ndihmojë për të penguar infektimin me këto sëmundje. Ai mund të jetë i dobishëm edhe për njerëzit me alergji të theksuara.

Deri tani ka qenë e njohur vetëm se mushkonjat preferojnë disa njerëz të caktuar për shkak të erës së tyre të trupit. Studimet e deritanishme kanë treguar, se edhe gratë shtatzëna dhe njerëzit me temperatura të larta të trupit janë më tërheqës për mushkonjat. Studjuesit në Londër thonë tani, se trashëgimia që përcakton të qenit tërheqës për mushkonjat është gati po aq e theksuar sa edhe për përcaktimin e madhësisë së trupit dhe të inteligjencës.

Se cila pjesë e kromozomeve tona përcakton, që mushkonja të vijë tek ne, këtë studiuesit nuk e kanë zbuluar ende. Dhe nëse gjaku ynë ka me të vërtetë shije të ëmbël për mushkonjën? Ku ta dish. Sipas studimeve shkencore asnjë nga metodat e vjetra shtëpiake nuk ndihmon kundër mushkonjave, që thithin gjakun. Shpesh rekomandohen hudhra dhe dy birra. Atij, që i aplikon këto metoda, të paktën nuk i afrohet kush shumë pranë me komentet, se e ka gjakun të embël.