1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Studimi i Institutit Alensbach: "Brezi i mesëm" shqetësohet për të ardhmen

Shqetësime nga terrori, varfëria në pleqëri dhe rritja e numrit të refugjatëve: "brezi i mesëm" është i siguruar ekonomikisht, por sheh me pesimizëm të ardhmen, ky është konkluzioni i sondazhit të Institutit Allensbach.

"Ne kemi një rënie të dukshme të optimizmit për të ardhmen", tha drejtorja e Institut Institutit Allensbach, Renate Köcher, lidhur me një pyetësor drejtuar 30 deri në 59 vjeçarëve. Një frymë të tillë kaq negative ka pasur vetëm shtatë herë qysh nga viti 1949, në rastet e krizave të mëdha botërore si ndërtimi i Murit të Berlinit, kriza e Koresë, sulmet e 11 shtatorit 2001 ose në kulmin e krizës financiare më 2008/2009. Veçanërisht i pazakontë është skepticizmi tani, kur koniunktura po ecën mirë, tregu i punës është robust dhe njerëzit janë gjithnjë e më të kënaqur me raportet e tyre financiare.

Köcher vlerësimin pesimist për të ardhmen e shpjegon me rreziqet që sheh popullsia në Gjermani: një rritje e hendekut midis të varfërve dhe të pasurve, sulmet terroriste, rritja e ksenofobisë dhe numri i madh i refugjatëve. Por nga ana tjetër "brezi i mesëm" nuk shqetësohet, se mund të kërcënojë një rënie ekonomike.

Politika nuk i merr seriozisht shqetësimet

Politika në dymbëdhjetë muajt e fundit e ka humbur shansin për ta qetësuar popullsinë dhe për t'i marrë seriozisht shqetësimet e saj. Kjo u bë e qartë gjatë valës së madhe të refugjatëve në verën e vitit 2015. "Pjesërisht popullsia u trajtua si një fëmijë i vogël", mendon Köcher. "U tha: ndonëse 'ne kemi humbur kontrollin, gjithçka do të bëhet mirë'." Kjo i ka shokuar njerëzit. Sepse gjermanët qysh në fillim kanë qenë të bindur, se me krizën e refugjatëve kemi të bëjmë me një problem gjigand afatgjatë.

Ndërkohë rritja e migracionit shkakton skepticizëm ndaj imigracionit. Dy të tretat e të pyeturve, sipas studimit, i vlerësojnë shanset e integrimit për refugjatët si pak të mira e madje aspak të mira. Rreth 21% i vlerësojnë këto shanse si të mira dhe vetëm një përqind si shumë të mira. Krahasuar me vitin 2014 qendrimi i kësaj gjenerate lidhur me imigracionin ka ndryshuar dukshëm.

"Të pyeturit theksojnë rreziqet e imigracionit shumë më tepër se sa shanset e tij", deklaron shoqata e agjencive të sigurimeve. Kjo shoqatë e ka mandatuar sondazhin e realizuar nga Instituti Alensbach. Studiuesit gjatë anketimit kanë pyetur në gyjsmën e parë të vitit 2016 mbi 1000 burra e ga nga kjo grupmoshë.

Të pyeturit në moshën 30 deri në 59 vjeçare vlerësojnë mjaft pozitive situatën e tyre personale dhe ekonomike, por gjendjen e shoqërisë dhe zhvillimet i shohin gjithnjë e më me skepticizëm. 60 përqind e të pyeturve druajnë, se në moshë të thyer do t'u duhet të shtrëngojnë rripin - tendenca është në rritje. Njerëzit ankohen për rritjen e pasigurisë sociale dhe humbjen e stabilitetit shoqëror. Shumë shqetësohen, se mund të bien viktimë e kriminelëve. Një e treta ka përshtypjen, se numri i krimeve është në rritje.