1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Studime pa patur maturën

Publikohet "Raporti evropian i studentëve". Ne krahasim me 22 vende të tjera të BE-së Gjermania renditet ndër vendet e fundit.

Studime pa kufi

Studime pa kufi

Në Gjermani është tepër e vështirë që pas disa vitesh pune si punëtor i kualifikuar të vazhdosh studimet në një degë të caktuar, p.sh. një mekanik për inxhinjeri apo një laborante për kimi, pa pasur dëftesën e maturës. Ky është përfundimi në të cilin arrin "Raporti evropian i studentëve". Ne krahasim me 22 vende të tjera të BE-së Gjermania renditet ndër vendet e fundit. Qeveria gjermane do ta trajtojë këtë temë në takimin e saj të nivelit të lartë në vjeshtë duke kërkuar që shkollat e larta të hapin dyert për këtë kategori.

Një i ri që ka përfunduar një shkollë të mirë profesionale duke mësuar edhe zanatin përkatës e ka në Gjermani tepër të vështirë të vazhdojë nëse dëshiron studimet, sepse nuk ka maturë. Sipas një studimi të fundit të ndërmarrë në 22 vende të BE-së, Gjermania bashkë Letoninë të ndjekura nga Franca dhe Italia renditen të fundit në listë. Ndërsa në Suedi 36% e atyre që kanë përfunduar studimet nuk kanë maturë, por kanë filluar studimet pasi kanë përfunduar një shkollë profesionale në Gjermani kjo shifër është vetëm 5%. Shanse të mira për të studiuar pa maturë kanë edhe të rinjtë në Spanjë apo Skoci, ku një ndër tre apo katër të rinj mund të studiojnë pa maturë. Në Irlandë dhe Holandë këtë mundësi e ka një ndër dhjetë të rinj.

Në sfondin e këtyre të dhënave politikanët gjermanë po kërkojnë që në përgjigje të standardeve të vendeve të tjera të BE-së edhe dëftesa e shkollimit profesional në Gjermani të konsiderohet e vlefshme për vazhdimin e studimeve të larta. Në lidhje me këtë eksperti për çështjet e arsimit të SPD-së Jërg Taus u shpreh: "Ne duhet të bëjmë kujdes që në krahasim me vendet e tjerta të BE-së ta ngrejmë vlerën e shkollimit profesional gjerman, dmth. të përmirësojmë mundësinë për kalimin nga sistemi profesional në atë akademik."

Kryetari i partisë liberale FDP Gido Westerwelle theksoi "Në asnjë vend tjetër të krahasueshëm me Gjermaninë shanset e të rinjve për t'u shkolluar nuk janë të varura kaq fort prej prejardhjes sociale sa në Gjermani. Dhe një vend i tillë si Gjermania, ku rezervat e lëndëve të para janë kaq të pakta, nuk mund t'ia lejojë vetes një gjë të tillë."

Studentë të sukseshëm pa maturë ka edhe në Gjermani, sikurse tregon shembulli i Shkollës së Lartë për Ekonomi dhe Politikë në Hamburg, e cila është sot pjesë e universitetit të këtij qyteti. Aleksandër Bassen, punonjës i Universitetit të Hamburgut sqaron: "Në degët tona shohim që mes studentëve që kanë maturë dhe atyre që s'kanë nuk shohim ndryshime as sa i përket kohës së studimeve dhe as notave."

Gjithësesi edhe një gjë del në pah prej raportit evropian të studentëve. Në Gjermani numri i studentëve që nuk rrjedhin nga familje me prindër të shkolluar është shumë më i vogël nga ai i familjeve me prindër të shkolluar. Me sa duket prejardhja është shpesh pengesë për vazhdimin e studimeve.

  • Data 16.06.2008
  • Autor Pandeli Pani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EKTg
  • Data 16.06.2008
  • Autor Pandeli Pani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EKTg