1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Strehimore azili bosh, shpërdorim parash apo rezerva?

Richard Fuchs
24 Dhjetor 2017

Para dy vitesh shumë komuna duhet të ngrinin në kohë rekord strehimore azili. Ka kohë që vala e refugjatëve ka rënë, tani sidomos në rajonet rurale ato tani qëndrojnë bosh. Komunat gjermane përballen me kosto të larta.

https://p.dw.com/p/2psJq
Deutschland Letzte provisorische Flüchtlingsunterkunft in Hamburg schließt
Fotografi: picture-alliance/dpa/D. Reinhardt

Fluksi i refugjatëve në Gjermani është bërë më i vogël. Rreth 90.000 azilkërkues erdhën në gjysmën e parë të vitit 2017. Autoritetet llogarisin me një shifër të njëjtë edhe në gjysmën e dytë të vitit. Krahasuar me vitet e kaluara shifrat janë ulur, por kjo nuk reflektohet në kostot e shpenzimeve të komunuave gjermane. Arsyeja: Shumë strehimore azili ndërkohë po qëndrojnë bosh, por ato u kushtojnë komunave ende shumë para, sepse për pasuritë e paluajtshme u negociuan kontrata disavjeçare të qirasë.

Sipas një sondazhi të radios gjermane, WDR në landin e Rinit Verior- Vestfalisë, në landin me numrin më të madh të popullsisë, janë bosh një e treta e këtyre strehimoreve. Sipas përllogaritjeve, vetëm në një qytet prej 250.000 banorësh, si Mönchen-Gladbach, kjo shumë shpenzimesh për qira, shërbimin e sigurisë, rrymën, ngrohjen e riparimet kap shifrën e 10 milionë eurove. Në kohën e krizës së refugjatëve qyteti mundësoi në kohë rekord 2300 vende për refugjatët, por deri në dhjetor aty kanë mbërritur jo më shumë se 750 vetë. Vetëm në qytete si Berlini, Hamburgu e Bremeni strehimoret mbushen, landet e tjera njoftojnë se strehimoret po mbeten bosh.

Deutschland Flüchtlingsunterkünfte in Bochum
Strehimore azili, BohumFotografi: picture-alliance/dpa/R. B. Fishman

Përshtatja e shumës së shpenzimeve për kokë

Qytetet dhe komunuat kanë lëshuar alarm. Çdo qytet në Rin Verior-Vestfali merr për pranimin e një refugjati një shumë të përgjithshme prej 10.400 eurosh në vit. Nëse vijnë më pak refugjatë, atëherë këto të ardhura mungojnë. Andreas Wohland nga Lidhja e Qyteteve e Komunave të Renani-Vestfalisë kërkon që komunat të ndihmohen. „Ne kërkojmë që të bëhet përshtatja e shumës së përgjithshme të shpenzimeve për frymë" Këto shpenzime të larta përbëjnë më shumë rrezik për bashkitë me deficite buxhetore.

Provizore apo e vazhdueshme?

Megjithëse numri i refugjatëve mbetet i ulët, komunat i presin sfida të mëdha. Për shembull në Dyseldorf. Aty bashkia ka filluar që strehimoret e përkohshme t'i kthejë në apartamente banimi afatgjatë. Vërtet që numri i refugjatëve ka rënë, por në qytet është rritur një shifër tjetër. Në vitin 2018, Dyseldorfi duhet të kujdeset për 5000 vetë, që pas largimit nga vendlindja do të qëndrojnë në Gjermani, por që nuk gjejnë dot apartamente me çmim të arsyeshëm. Problemi është se me ligj azilkërkuesit nuk lejohen të largohen drejt zonave më rurale e me çmime më të leverdisshme. Një fenomen që shihet edhe në Berlin. Këtu është vazhdimisht i lartë numri i refugjatëve. 25.700 refugjatë jetojnë aktualisht në Berlin. Aty nuk ka strehimore bosh, në Berlin ato do të mbusheshin shpejt, edhe në rast të tillë.