1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

161210 USA Afghanistan

16 Dhjetor 2010

Një vit pas shpalljes së strategjisë së re për Afganistanin, presidenti amerikan, Barack Obama do të prezantojë të enjten raportin për zhvillimet e një viti në misionin e Afganistanit.

https://p.dw.com/p/QcwN
Presidenti Barack Obama në Bagram, bazën ajrore në Afganistan, 3 dhjetor 2010
Presidenti Barack Obama në Bagram, bazën ajrore në Afganistan, 3 dhjetor 2010Fotografi: AP

Siç u bë e ditur më parë nga Shtëpia e Bardhë, raporti përmend suksese në luftën kundër talebanëve, paralajmëron në të njëjtën kohë edhe për gjendjen e vështirë të vazhdueshme të trupave atje. Në dhjetor 2009 Obama rriti praninë e trupave amerikane në misionin e Afganistanit në 100.000 ushtarë.

19-vjeçarët Cody Childers dhe Nathan Schultz janë dy viktimat e fundit ndër 88 ushtarët amerikanë që kanë humbur jetën që nga korriku i këtij viti. Fotografitë e tyre dhe të ushtarëve të tjerë të vrarë i botoi gazeta e njohur "Washington Post" në numrin e së shtunës. Shumica e të rënëve janë më të rinj se 25 vjeç, ndërsa më i vjetri është 43 vjeç. Gazeta boton fotografi në intervale të rregullta me fytyrat amerikane të luftës: 1413 vetë deri në fundjavën e fundit.

Trupat e Nato-s në Afganistan
Trupat e Nato-s në AfganistanFotografi: AP

Deri sa Obama të prezantojë opinionin e tij për gjendjen në Afganistan, ky numër është rritur. Pavarësisht kësaj, qeveria amerikane mendon se ndodhet në rrugën e duhur, siç e bëri të qartë edhe ministri i Mbrojtjes, Robert Gates gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Afganistan javën e shkuar:

"Do të kthehem me bindjen se strategjia jonë po tregon fryte. Do të jemi në gjendje të arrijmë objektivat kryesore, ato që presidenti Obama i ka përcaktuar para një viti."

Në Akademinë Ushtarake "Westpoint" në dhjetorin e vitit të shkuar, Obama kishte bërë të ditur para elitës së re ushtarake se do të rrisë numrin e ushtarëve amerikanë me 30.000 vetë. Njëkohësisht ai përcaktoi edhe qëllimet e misionit:

"Nuk duhet t'i lejojmë Al-Kaidës mundësi tërheqjeje të sigurta. Duhet t'i ndalojmë talebanët dhe të mos u japim asnjë shans të rimarrin pushtetin. Gjithashtu duhet të forcojmë forcat afgane të sigurisë dhe të qeverisë, me qëllim që ato të mund të marrin përgjegjësinë për të ardhmen e vendit të tyre."

Trupat shtesë luftojnë ndër të tjera në provincën Helmand në Jug dhe në Veri, aty ku janë të stacionuar ushtarët e NATO-s. Sukseset ushtarake nuk të entuziazmojnë shumë. Megjithatë ministri i Mbrojtjes, Robert Gates paraqitet relativisht i kënaqur:

"Suksesi i ka tejkaluar pritshmëritë e mia. Sot talebanët kontrollojnë më pak se sa para një viti."

Robert Gates në Kabul
Robert Gates në KabulFotografi: AP

Rreze të vogla drite këto - si për shembull dëbimi i talebanëve nga qyteti Nava në jugperëndim të Afganistanit. Kjo i bën amerikanët të shpresojnë se që në pranverën e vitit të ardhshëm mund të kalohet përgjegjësia tek trupat afgane.

Por trajnimi i trupave afgane të sigurisë po zgjat më shumë se sa ishte parashikuar. Megjithatë suksese të vogla ka edhe në këtë drejtim, i thotë koloneli Art Kandarian radios NPR:

"Ata nuk do të jenë kurrë një ushtri si ajo e Shteveve të Bashkuara, por as nuk është nevoja për një gjë të tillë. Ata janë këtu, gjithmonë krah nesh. Ata - kam parasysh ne - fitojnë këtu çdo lloj beteje.

Por sipas vëzhguesve përfundimi i trajnimit të trupave afgane nuk pritet të marrë fund para 2014-s. Kjo do të jetë një temë në raportin që do të prezantohet në Uashington, po ashtu si talebanët dhe Al-Kaida. Rëndësi e veçantë do t'i kushtohet Pakistanit, gatishmëria e të cilit për të bashkëpunuar, muajt e fundit është rritur.

Autor: Rüdiger Paulert/ Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama