1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Strategjia e re e mbrojtjes e SHBA - dëshmi besimi për Evropën

Më e vogël, më elegante dhe e zhdërvjellët - këtë pamje do të ketë në të ardhmen ushtria e SHBA. Strategjia e re e mbrojtjes sjell disa ndryshime. Evropianët duhet të gëzohen për këtë.

Mbrojtje raketore e SHBA

Mbrojtje raketore e SHBA

Strategjia e re e mbrojtjes e SHBA-së ka lindur edhe nga nevoja. Ministri amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta bëri prezantimin e kësaj strategjie pa e fshehur në fakt që deficiti i madh i buxhetit dhe borxhi i lartë janë një „rrezik për sigurinë kombëtare“ dhe rëndojnë buxhetin e mbrojtjes. Të paktën 450 miliardë dollarë duhet të kursejë Pentagoni në dhjetë vitet e ardhëshme. Në qoftë se Kongresi nuk bie dakord lidhur me mosmarrëveshjet për buxhetin, ndoshta duhet që të bëhen përsëri shkurtime në 500 miliardë dollarë.

Pra ushtria nuk ka tjetër zgjidhje, vetëm të vendosë prioritetet

Ishte afër mendsh që për këtë të merrej parasysh deviza e politikës mbrojtëse të qeverisë aktuale dhe njëkohësisht të bëhen përgatitje për gjendjen e ndryshuar të politikës së sigurisë në botë.

Për evropianët përfundimi është një lajm i mirë, sepse është krejtësisht në frymën e multilateralizmit të favorizuar prej tyre. Kush zvogëlon numrin e ushtarëve dhe ndahet nga teza e zhvillimit të dy luftërave të mëdha njëkohësisht, ai nuk do të jetë në gjendje që të zhvillojë kollaj i vetëm luftëra si ajo e Irakut, siç veproi presidenti i atëhershëm Bush.

Në të njëjtën kohë strategjia e re përmban një deklarim të qartë pro aleancës më të rëndësishme të evropianëve, ndaj NATO-s SHBA dëshiron të garantojë edhe më tej nenin 5 të marrëveshjes së NATO-s, rastin e mbrojtjes kolektive. Çdo vend i Aleancës mund të mbështet si më parë tek ndihma ushtarake e amerikanëve, po ta sulmojnë. Ndërkohë që amerikanët e përkrahin NATO-n jo pa interes vetjak. Ata e kuptuan që me aleancën transatlantike kanë në duart e tyre një instrument, që u mundëson arritjen e synimeve ushtarake, pa qenë nevoja që ata të mbajnë të gjithë barrën dhe përgjegjësinë- në personel dhe në financa. Libia është shembulli aktual. Po kjo u vjen për mbarë evropianëve, sepse pa fuqinë ushtarake të SHBA-së, NATO do të ishte për fat të keq një tigër prej letre. Pra njëra dorë lan tjetrën.

Helikopter Apache

Helikopter Apache

Amerikanët i besojnë Evropës

Që amerikanët duan ta reduktojnë prezencën e trupave të tyre në Europë edhe më tej dhe që vemendjen e tyre po e zhvendosin në hapësirën pacifike – aziatike, nuk është shënje e lënies pas dore, kur dihet që europianët shpesh janë ankuar për orientime të ndryshme të amerikanëve kohëve të fundit. Kjo është shumë më tepër një shenjë besimi, e cila është shprehur në stratëgjinë e re në një fjali që do të thotë : "Shumica e vendeve europiane janë tani vetë garantues të sigurisë në vend që të jenë vetëm përfitues". Në sytë e amerikanëve Europa është rritur dhe mund të kujdeset jo vetëm për vete, por edhe për të tjerë. Ajo mund dhe duhet të marrë më tepër përgjegjësi. Për këtë amerikanët kanë tani besim.

Edhe devizat e tjera të politikës mbrojtëse janë në përputhje me linjën evropiane: çarmatimi bërthamor, lufta kundër ekstremistëve radikalë islamikë në Lindjen e Mesme dhe gjetkë, ndihmat humanitare, garancitë për tregtinë e lirë nga ajri dhe deti si dhe aftësia për të shmangur ose për të luftuar sulmet në hapësirën kibernetike. Dhe askush nuk duhet të gabohet: Pavarësisht të gjitha shkurtimeve financiare, SHBA të mbetet fuqia më madhe ushtarake në botë. Dhe Europa „partneri i saj i parë në përpjekjen për siguri globale dhe ekonomike". Dhe kjo, siç thuhet më tej në dokumentin e strategjisë, "do të mbetet kështu për një kohë të parashikueshme". Europa mund të jetë shumë e kënaqur me strategjinë e e re të mbrojtjes së SHBA-së.

Autor: Christina Bergmann/ Mimoza Cika- Kelmendi

Redaktoi: Auron Dodi