1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Strategji e re e BE për Afrikën

Në Ditët Evropiane të Zhvillimit në Bruksel u nënshkrua një deklaratë për mbështetjen e ardhshme evropiane për Afrikën. Pjesëmarrësit në ceremoni theksuan nevojën e investimeve në zonat rurale e urbane në Afrikë.

Migrimi nga Afrika është kthyer në një temë që ngjall shumë diskutime në politikën evropiane. BE dhe G20-a kanë nisur ta rikonfigurojnë strategjinë e tyre për Afrikën. "Të investojmë në një të ardhme të përbashkët" është tani jo vetëm një slogan për "Partneritetin G20-Afrikë". Por edhe një deklaratë e fortë për atë se sa e rëndësishme është puna për zhvillimin në Afrikë, kur bëhet fjalë që të reduktohet presioni nga migrantët.

Në Ditët Evropiane të Zhvillimit në Bruksel këtë javë, tri institucione të Bashkimit Evropian nënshkruan një "Konsensus Evropian për Zhvillimin" - si përgjigje ndaj Agjendës 2030, të përcaktuar nga OKB-ja në 2015.

Komisioneri i BE, Neven Mimica shpjegoi në këtë ngjarje se si ka ndryshuar me kalimin e viteve e gjithë ideja e dhënies së ndihmës për zhvillimin. Sipas tij, rritje ekonomike gjithëpërfshirëse nuk do të thotë vetëm që të investohet në sektorin e duhur, por edhe që të ngrihet një mjedis i qendrueshëm për bizneset afrikane në zonat rurale dhe urbane. "Zhvillimi nuk është diçka që e bëjmë ne për njerëzit. Zhvillimi është diçka që njerëzit e bëjnë për veten."

Kanayo F. Nwanze ka punuar si drejtues i ndihmës në zhvillim kudo në Afrikë. Nigeriani ka fituar për herë të parë Çmimin e Ushqimit të Afrikës, për shtimin e burimeve për të përmirësuar jetët e miliona vetëve në Afrikë. Puna e Nwanzes është përqendruar në preokupimet e fermerëve të vegjël në zonat rurale.  

Nwanze thekson se po të dojë Evropa ta ndalojë migrimin prej shumë vendeve afrikane, ajo duhet të mësojë të investojë në zonat rurale. Ai thotë se "Afrika duhet të zhvillohet nga afrikanët. Por ajo ka nevojë edhe për mbështetje nga jashtë. Një pemë duhet t'i ketë të ngulitura rrënjët e saj në tokën ku është mbjellë, përpara se të përdorë energjinë e dritës së diellit dhe të shiut".