1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Stoppel: Me sa duket në Shqipëri duan të zgjidhin problemin e së shkuarës në mënyrë biologjike

Wolfgang Stoppel, njohës i mirë i çështjeve të së drejtës në Shqipëri analizon efektet e ligjit për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë në ballafaqimin e shoqërisë shqiptare me të shkuarën diktatoriale.

default

Pamje simbolike e dosjeve

DW: Ligji i ri i lustracionit u debatua ashpër në Shqipëri. Sa transparencë do të sjellë ky ligj në trajtimin e rasteve të veçanta të viktimave të asaj kohe, të atyre që ishin të përfshirë në kohën e diktaturës, por edhe për opinionin publik në Shqipëri ?

Stoppel: Pyetjes mund t'i përgjigjem me një Jo të qartë. Nuk ka ndonjë transparencë dhe ndonjë gjë të re në këtë ligj. Që në vitet 90-të ka pasur përpjekje për largimin nga jeta publike të funksionarëve dhe zyrtarëve që kanë qenë të lidhur me regjimin e atëhershëm. Atëkohë nuk u arrit shumë, pasi nenet u zbatuan në kuadrin e kondradiktave politike. Kështu do të jetë edhe fati i këtij ligji të ri. Me këtë ligj, qarqet e personave të prekur janë të përcaktuara qartë, pra kush është i prekur dhe do t'i nënshtrohet shqyrtimit të figurës. E përcaktuar qartë është gjithashtu edhe se cilat persona kërkohen, megjithëse ka edhe disa klauzola të përgjithshme. E gjithë procedura zhvillohet tek Autoriteti i Kontrollit, i cili merr iniciativën vetë si institucion, por edhe me kërkesë të personave të caktuar, të institucioneve të ndryshme që duan të punësojnë një person. E gjitha kjo zhvillohet pas dyerve të mbyllura, në seanca të tilla nuk lejohet të marrë pjesë askush. Personi i prekur është i informuar atëherë kur e ka bërë vetë kërkesën. Rezultati i kontrollit del si pasojë e shqyrtimit të dosjeve, të cilat ky autoritet ka të drejtë t'i hapë. Edhe arkivat i vihen në dispozicon këtij komisioni. Rezultati i bëhet i ditur personave në fjalë dhe publikohet në internet. Por siç e thashë, çdo gjë publikohet më pas. Procedura më duket se është e njëanshme. Nuk jam i sigurtë nëse një procedurë e tillë mund të quhet transparente.

DW: Ligji i gjerman i lustracionit i jep rëndësi viktimave dhe publikut. Kjo do të thotë që edhe ata që u spinunuan kanë të drejtë të shohin dosjet e tyre. A mund të jetë i aftë ligji shqiptar të hedhë dritë në punën e atëhershme të Sigurimit të Shtetit?

Stoppel: Duhet të them se ligji nuk ka të bëjë me viktimat apo zbardhjen e së shkuarës. Është për të ardhur keq se parlamenti shqiptar njëzëri që në vitin 2006 ka miratuar një rezolutë për dënimin e krimeve të terrorit komunist. Në këtë rezolutë ishin renditur një sërë pikash se si duhej bërë zbardhja dhe ballafaqimi me të shkuarën komuniste, aty parashihej edhe krijimi i kushteve të posaçme në favor të viktimave të diktaturës, që ata të merrnin në dorë dosjet e tyre, të kishin mundësi të kuptonin se çfarë ka ndodhur, pasi shumë vetë nuk e dinë këtë as sot. Shumë gjëra nga këto që përmenda nuk gjenden në këtë ligj, por ky as nuk ka qenë synimi i ligjit. Por duhet thënë se ligjit i është bërë një shtojcë në konsultimet parlamentare të minutës së fundit, ka një nen, ku çdo qytetar ka të drejtë të bëjë kërkesë në komisionin e kontrollit nëse gjenden të dhëna për personin e tij në dosje. Megjithatë nuk bëhet fjalë për të drejtën personale të shikimit të dosjeve, psh. çfarë është grumbulluar mbi një person, nëse ka qenë i vëzhguar, nëse ka qenë viktimë, por në këtë ligj bëhet fjalë për të përcaktuar nëse ka të dhëna që bien ndesh me funksionin apo pozicionin e sotëm. Edhe në raste të tilla, pretendimi për informacion kap vetëm nivelin e informimit, pra personi njoftohet nëse ekzistojnë apo nuk ekzistojnë të dhëna për të. Kur ka të dhëna për këtë person, atëherë personi duhet ta bëjë vetë kërkesën me lutjen për shqyrtim. Por askush nuk e ka mundësinë për të parë dosjen e vet, jo më dosjet e të tretëve.

DW: Le të kthehemi tek përvoja gjermane. Trajtimi i së shkuarës nënkupton ekzistencën e së vërtetës, edhe pajtimi mes viktimave dhe xhelatëve ka si parakusht të vërtetën. Të vërtetë mund të ketë vetëm atëherë, kur bëhet ballafaqimi me atë që ka ndodhur, që të kuptohet pse ka ndodhur. Në këto kushte çfarë do të ndodhë me trajtimin e së shkuarës në Shqipëri?

Stoppel: Me këtë ligj nuk ndodh asgjë. Ligji i ri është para së gjithash i kufizuar deri në vitin 2014, kaq kohë punon Autoriteti i kontrollit. Në ligjin e vitit 1995, ligj që tingëllon gati njëlloj, madje me një titull të mrekullushëm, "Ligji mbi kontrollin e figurave publike në mbrojtje të demokracisë", thuhet qartë se dosjet, pra dosjet e sigurimit, ato të qeverisë, dosjet e politikës do të mbeten të mbyllura deri në vitin 2025. Në këtë pikë me sa duket nuk do të ndryshojë gjë në Shqipëri. Kjo do të thotë se zbardhja e së shkuarës nuk ka ndodhur dhe nuk ka për të ndodhur, pasi askush nuk ka të drejtë të futet në arkiva. Nëse është keq apo mirë për vendin, kjo është çështje politike, do të ishte mirë të fillohej ndonjëherë në kuptimin që të vihej në vend raporti viktimë-xhelat, por me sa duket në Shqipëri duan të zgjidhin problemin e së shkuarës në mënyrë biologjike. Sepse në vitin 2025 nuk i intereson më askujt se çfarë ka ndodhur më parë. Për fat të keq është kështu, më duhet ta them. Në Shqipëri si edhe më parë procesi i transformimit drejt demokracisë paraqet defiçite, defiçite që pasqyrohen në polarizimin politik. Rezultati i kësaj është që mungon konsensusi tek demokratët që të merren seriozisht me një temë të tillë. Rezoluta e vitit 2006 do të kishte qenë një fillim i mirë për një trajtim të përbashkët të së shkuarës. Por siç po duket kanë qenë vetëm fjalë dhe asgjë më tepër.

DW: Në Shqipëri dëgjohet argumenti, se është më mirë të mos trazojmë shumë nëpër kanalet e errëta të së shkuarës. Po të kujtojmë brutalitetin dhe specifikën e regjimit komunist shqiptar, a është i kuptueshëm për ju ky argument?

Stoppel: Po dhe jo. Natyrisht ka pasur shumë viktima, gati në çdo familje. Nga ana tjetër çdo familje ka patur përfaqësues në regjimin e kohës për të pasur mundësi për të mbijetuar. Ka qenë një marrë-dhënie. Shumë kanë bërë kompromise për të shpëtuar familjet. Ndoshta nuk do të ishte favorizuese për paqen e brendshme në vend që në këtë moment të hapej çdo dokument, siç e njohim ne këtë me ligjin e dosjeve te stasit në Gjermani. Ju e dini sa shumë të papritura ka pasur për shumë të prekurj, njerëz që kanë pasur madje probleme psikike pasi kanë lexuar dosjet e tyre, ku janë shënuar gjëra të pamendueshme për ta. Çështja është nëse kjo do të ishte e rekomandueshme për njerëzit në Shqipëri, ku gjërat qenë edhe më keq, diktatura edhe më e ashpër. Pas ndryshimit politik fjalia e parë për të gjithë ishte "Dosjet do të mbeten të mbyllura". Kjo është rikonfirmuar disa herë deri më sot. Ligji i lustracionit përfshin një pjesë të vogël të sferës dhe administratës publike, ai prek vetëm një rreth të vogël personash. Ju e dini që Shqipëria është një vend me popullsi me moshë të re, po qe se bëjmë një llogari problemi shtrohet për ata që janë më të vjetër se 45 vjeç. Të gjithë të tjerët nuk janë të prekur. Ndoshta duhet lënë gjërat në këtë pikë për të mos e rrezikuar paqen në vend.

DW: Atëherë do të ketë shumë punë për historianët e rinj më vonë!

Stoppel: Po. Kur të hapen dosjet, atëherë mund të shkruhet dhe të hulumtohet shumë, por kjo pastaj ka për të qenë vetëm histori.

Wolfgang Stoppel është ekspert juridik dhe gjykatës në Mynih

  • Data 09.01.2009
  • Autor Fabian Schmidt
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GVDA
  • Data 09.01.2009
  • Autor Fabian Schmidt
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GVDA