1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Stop Soros" - Një ligj i ri kundër NGO-ve në Hungari

20 Janar 2018

Qeveria hungareze synon që me një ligj të ri të vërë nën mbikqyrje organizatat e shoqërisë civile, të cilat nxisin "migrimin ilegal". Ajo me këtë largohet edhe më tej nga parimet e shtetit juridik.

https://p.dw.com/p/2rBea
Ungarn | Anti-Soros Plakate
Fotografi: AFP/Getty Images

Armiku i preferuar i kryeministrit hungarez Viktor Orban quhet George Soros. Sipas pikëpamjes së Orbanit, miliarderi i SHBA me origjinë hungareze e hebreje ka në plan që të shkatërrojë kulturën e krishterë të Evropës dhe të shkatërrojë kombet evropiane. Për këtë synim sipas Orbanit, Sorosi mbështet invazionin e kontinentit nga miliona migrantë myslimanë. "Plani Soros" kështu e quan kryeministri hungarez projektin e supozuar.

Tani qeveria e Hungarisë shkon edhe një hap më tej: ajo do të miratojë një të ashtuquajtur paketë ligjore "Stop-Soros", siç bëri të ditur të mërkurën në Budapest ministri i Brendshëm, Sandor Pinter.

Taksa ndëshkuese, detyrim për regjistrim dhe ndalim hyrjeje për kritikët

Paketa ligjore e qeverisë drejtohet kundër organizatave të shoqërisë civile (NGO) - një nga instancat e fundit funksionuese të kontrollit të pushtetit në Hungari. Ajo përbëhet nga tri përcaktime:

- Të gjitha NGO-të, të cilat kontribuojnë në ndonjë formë për "migrimin ilegal" duhet të regjistrohen në gjykatë dhe të paraqesin rregullisht raporte për aktivitetin e tyre.

- NGO-të që kanë të bëjnë me "migrim ilegal" dhe që marrin më shumë se gjysmën e të ardhurave të tyre nga bota e jashtme, duhet të paguajnë për këto të ardhura një taksë ndëshkuese prej 25 përqind.

- Qytetarëve hungarezë, të cilët dyshohen se e mbështesin "migrimin ilegal", mund t'u ndalohet hyrja në një shirit prej tetë kilometrash në kufirin e jashtëm të Shengenit; qytetarëve të huaj, të cilët janë nën të njëjtin dyshim, mund t'u ndalohet hyrja në Hungari.

Po t'i miratojë këto përcaktime Parlamenti, Hungaria largohet edhe më tej nga sundimi i ligjit dhe vlerat bazë evropiane dhe u afrohet rrethanave represive si në Rusi, mendojnë vëzhguesit kritikë. "Unë dyshoj që këto përcaktime janë në përputhje me kushtetutën dhe me marrëveshjet bazë evropiane", thotë në bisedë me DW politologu Attila Tibor Nay nga Instituti Méltányosság. "Në një shtet juridik, organizatat civile duhet të funksionojnë lirisht. Por përmasa e tatimit është kaq e madhe, sa një punë e lirë e këtyre organizatave nuk është më e garantuar."

Deklarime propagandistike

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Hungari dyshojnë që përcaktimet e paketës ligjore do të miratohen në këtë formë. "Është krejt e qartë që qeveria përpiqet për të disatën herë që ta bëjë të heshtë zërin e kritikës - dhe që ndoshta nuk mund ta arrijë në këtë mënyrë", thotë Mate Szabo, drejtor i "Shoqërisë për të Drejtat e Lirisë" (TASZ), një nga organizatat më të rëndësishme të shoqërisë civile hungareze, përballë medieve hungareze. Szabo tërhoqi vëmendjen në rrethanën se ndoshta nuk ekziston baza ligjore që të tatohen të ardhurat për shkak të prejardhjes së tyre të huaj.

Njëherë për njëherë, paketa ligjore "Stop-Soros" plotëson një funksion propagandistik, sepse në 8 prill në Hungari janë zgjedhjet parlamentare. Sondazhet nuk lënë dyshim se Partia Fidesz e Orbanit do të fitojë, aq më tepër kur ligji elektoral është i prerë ekzaktësisht sipas nevojave të partisë në pushtet. Studiues kritikë të zgjedhjeve dhe ekspertë juridikë thonë në këtë kuadër se zgjedhjet në Hungari janë vërtet të lira, por zhvillohen në kushte kuadër jokorrekte. Por edhe në këtë mënyrë, nuk është e sigurtë një shumicë prej dy të tretash për Orbanin. Prandaj, kështu besojnë shumë vëzhgues, me deklarime si paketa ligjore "Stop-Soros", Orbani kërkon ta polarizojë maksimalisht fushatën elektorale.

 

Keno Verseck, flokë të shkurtra, të kuqërreme, me kaçurela, pas syzeve me skelet të hollë një shikim i buzëqeshur drejt objektivit të kamerës.
Keno Verseck Redaktor, autor dhe reporter