1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Stoltenberg: NATO-ja do ta garantojë paqen në rajon

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg qëndroi (03.02) në Kosovë, ku takoi përfaqësuesit më të lartë politik të vendit, ata shqiptarë dhe serb si dhe komandantin e KFOR-it e përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në Prishtinë, se stabiliteti i Ballkanit është i rëndësishëm për NATO-n, ndërsa KFOR-i do të vazhdojë misionin e vet në Kosovë, për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Ai siguroi qytetarët e Kosovës se forcat paqeruajtëse garantojnë paqen në Kosovë dhe do të mbeten të përkushtuara për një mjedis të sigurtë. Këto komente Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri gjatë një vizite që realizoi në Prishtinë, ku takoi përfaqësuesit më të lartë politik të Kosovës si ata shqiptarë dhe serb, komandantin e KFOR-it dhe përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare. "NATO është në Kosovë dhe ka forcën e saj KFOR këtu, që garanton paqen dhe sigurinë në këtë rajon, si pjesë e angazhimit për ruajtjen e paqes në Evropë. KFOR-i me mbi 4.500 ushtarë do të jetë i pranishëm në Kosovë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Por, tani është koha për dialog. Prishtina dhe Beogradi duhet të vazhdojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian", tha Jens Stoltenberg, gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

"Është jetësore që marrëveshjet e arritura të zbatohen"

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha, se marrëveshjet e arritura me Serbinë në kuadër të dialogut duhet të zbatohen, sepse kjo është e vetmja zgjidhje në procesin e normalizimit ndërmjet dy vendeve. "Është jetësore që marrëveshjet e arritura të zbatohen. Duhet të vazhdojmë me procesin e normalizimit, sepse kjo është e vetmja zgjidhje. NATO e ka forcën e KFOR-it për ta ruajtur paqen këtu. Policia është forca e parë, pastaj EULEX-i dhe pastaj KFOR-i, që të ruajnë sigurinë e vendit dhe ne do të veprojmë gjithmonë aq sa është e domosdoshme për të ruajtur paqen", tha Stoltenberg, duke shtuar se "NATO i jep mbështetje të plotë dialogut të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian. Stoltenberg nuk pranoi të flasë nëse Rusia e ka shtrirë ndikimin në Ballkan, por konfirmoi, - siç tha - se "kjo pjesë e Evropës mbetet zonë strategjike e rëndësishme për NATO-n".

Autoritetet e Prishtinës ka kohë që dëshirojnë që Forcën e Sigurisë së Kosovës, FSK, ta shndërrojnë në ushtri të Kosovës, mirëpo për ta arritur këtë duhet ndryshim i Kushtetutës me miratimin edhe të përfaqësuesvve të serbëve në Parlamentin e Kosovës. E përfaqësuesit e serbëve, në këtë fazë, nuk janë të gatshëm ta mbështesin krijimin e ushtrisë së Kosovës.

Lidhur me krijimin e ushtrisë së Kosovës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha, se "NATO mbështet zhvillimin e kapaciteteve aktuale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa transformimi mbetet çështje ligjore që duhet ta zgjidhin institucionet e Kosovës".

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nga ana e tij tha, se i gjithë spektri politik në Kosovë ka qëndrim unik sa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, duke rikonfirmuar se Kosova mbetet e angazhuar për dialog me Serbinë, në mënyrë që të tejkalohen tensionet aktuale.

"Dialogu me Serbinë është orientim strategjik i politikave tona për normalizimin e marrëdhënieve, mirëpo përkundër kësaj qasjeje në kohët e fundit kemi pasur disa provokime sistematike nga Beogradi, për të cilat jemi marrë vesh në Bruksel që t'i tejkalojmë me paqe", tha kryeministri Isa Mustafa.

Ndërsa, sa i përket transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës, kryeministri Mustafa tha se "ky transformim po mbahet peng nga ana e Serbisë, përmes ndikimit që ka tek deputetët serb në parlamentin e Kosovës".

Edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, e vlerësoi lartë punën e KFOR-it në Kosovë duke thënë, se "me

përkushtimin e tyre forca paqeruajtëse KFOR ka arritur që të jetë institucioni më i besueshëm për qytetarët tanë".

"Kosova e vlerëson shumë rolin tuaj dhe gatishmërinë e shprehur për të krijuar një bazë për rritjen e bashkëpunimit tonë. Shteti ynë mbetet i përkushtuar për avancimin e marrëdhënieve me NATO-n, si në rrafshin politik, ashtu edhe praktik", i tha presidenti Thaçi, shefit të NATO-s.

EULEX: Nuk ka informata lidhur me armët në veri

Ditë më parë në një intervistë për DW, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha, se "Serbia po armatos serbët në veri të Kosovës", me qëllim destabilizimin e asaj pjese. Nga ana tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha, se Prishtina zyrtare "po dërgon forcat speciale të policisë në veri me qëllim të frikësimit të serbëve".  Por zyrtarë të misionit të BE-së për policinë dhe drejtësi EULEX, i thanë DW-s në Prishtinë, se ata nuk kanë informacione që në veri të Kosovës po hyjnë armë nga Serbia për civilët serbë. "EULEX-i nuk ka informata të tilla në lidhje me armët në veri. Ne inkurajojmë të gjithë ata që kanë ndonjë dëshmi në lidhje me trafikimin e armëve në veri të Kosovës të informojnë Policinë e Kosovës. EULEX-i mbetet i angazhuar në veri të Kosovës në rolin e përgjegjësit të dytë për çështjet e sigurisë", tha Besa Domi zëdhënëse e misionit EULEX.

Beogradi dhe Prishtina edhe pas dy raundeve të dialogut në nivel të lartë politik që u zhvillua në Bruksel me datën 24 janar dhe 1 shkurt, vazhduan me deklarata "nxitëse", ndonëse para shefes së diplomacisë evropiane që i ftoi në takime, ata ishin zotuar që do të kontribuojnë për uljen e tensioneve. Maja Kocijanqic, zëdhënëse e Federika Mogherinit, tha se BE-ja shpreh keqardhje për "kumtesat nxitëse të përsëritura".

"Në mbledhjen në kuadër të dialogut në nivel të lartë të presidentëve dhe kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës, është arritur marrëveshja për përmbajtje nga mesazhet dhe kumtesat nxitëse. Shprehim keqardhje të madhe për kumtesat ndezëse të përsëritura", tha Maja Kocijanqic, duke ftuar palët që t'i qetësojnë mesazhet dhe të vazhdojnë me përpjekjet për uljen e tensionit.