1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Steinmmeier në Sarajevë - Gjermania ndihmon në pastrimin e minave në Bosnjë

Ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier ndodhet në Sarajevë, ku po bisedon edhe për pasojat e vërshimeve. Veç mbështetjes humanitare ai premtoi edhe ndihma të tjera. Duhet vepruar, përndryshe pasojat mund të jenë fatale.

Avioni i Frank-Walter Steinmeier-it sapo ishte ulur, kur u bë e ditur se Gjermania shton ndihmat e saj për viktimat e përmbytjeve. Një milion euro kishte vënë Gjermania fillimisht në dispozicion, tani vijnë edhe pesë milionë të tjerë. Dhe çfarë është më e rëndësishmja: qeveria gjermane do të verë në dispozicion 600.000 euro të tjera për heqjen e minave. Bosnje-Hercegovina është një prej vendeve të botës, ku gjenden ende shumë mina tokësore. Ato janë trashëgimia shpërthyese e luftës civile të Jugosllavisë, prej vitit 1992 deri në vitin 1995. Sipas ekspertëve një sipërfaqe prej më shumë se 1200 kilometrash katrorë është e kontaminuar, rreth 2.3 për qind e të gjithë vendit. Thuhet se aty ka 120.000 mina tokësore.

"Problemi më i madh që prej luftës"

“Ne kemi pasur një izolim relativisht të mirë të territoreve, ku ndodhen minat", thotë Stuart Maslen, ekspert për çminimin dhe anëtar i Fushatës Ndërkombëtare kundër Minave Tokësore. Por përmbytja e komplikon kërkimin. Zonat e shënuara tashmë janë shkatërruar, tabelat me shenjat paralajmëruese janë zhdukur. Dhe nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës minat shpërthyese janë larguar me kilometra larg në zonat deri tani të paminuara.

"Ky është një problem shumë i madh, më i madhi që nga lufta", thotë Ahdin Orahovac nga Qendra boshnjake e Veprimit kundër Minave (BHMAC). Sidomos zonat përreth Doboj dhe Olovo në veriperëndim të Bosnjë-Hercegovinës, që janë prekur rëndë nga përmbytjet, janë shumë të minuara. Javën e kaluar në një vend tjetër në veri të vendit shpërtheu një minë tokësore e nxjerrë nga uji.

Minat plastike notojnë si barka të vogla

Ky është një rrezik edhe për vendet fqinje: "Disa nga këto mina janë prej plastike, kështu që janë shumë të lehta, por edhe ato të rëndat prej hekuri mund të lëvizen me lehtësi nga uji", thotë Fikret Smajis i BHMAC. Si anije të vogla ato mund të arrijnë në vende të tjera të Evropës Juglindore përmes lumenjve të Savës dhe Danubit, madje sipas ekspertëve edhe deri në Detin e Zi.

Një gjë e tillë ka ndodhur para disa vitesh pas përmbytjeve në Mozambik thotë eksperti i minave Thomas Küchenmeister për Deutsche Welle-n. "Edhe atje minat, që nuk ishin pastruar ende, u morën nga uji dhe dolën papritmas në zona, të cilat vlerësoheshin si jo të minuara dhe u shfaqën para një popullsie fare të papërgatitur, që nuk ishte e paralajmëruar. Kjo gjë ka shkaktuar probleme të mëdha, vdekje dhe plagosje". Minat plastike kalben shumë ngadalë në kontakt me ujin. Edhe minat e tjera, edhe pse ndodhen shumë gjatë në ujë dhe mekanizmi ndezës i tyre është lagur, ato mund të shpërthejnë.

Largimi i minave: E gjitha nga fillimi

Ekspertët boshnjakë, serbë dhe kroatë janë bashkuar në një komitet ekspertësh. Ata shkëmbejnë çdo ditë informacione: "Të gjitha qëndrat për minat do t'i kushtojnë një vemendje të veçantë informimit të publikut, për t'i paralajmëruar nga rreziku në rritje", thuhet në BHMAC. Sepse edhe në baltën, që ka rrënuar shtëpitë, mund të ndodhen tani mina. "Është shumë e rrezikshme ta heqësh vëtë baltën. Atë duhet ta bëjë ushtria. Duhet bërë pastrimi nga minat", pohoi edhe përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë, austriaku Valentin Inzko.

Se sa i madh është me të vertetë dëmi, do të merret vesh, pasi uji të jetë tërhequr krejtësisht. Atëherë duhet të nisë nga fillimi puna klasike për pastrimin e minave: Të lokalizohen zonat e minuara, të gjenden minat dhe të çaktivizohen ato.

Ndihma për rindërtimin me teknologji dhe para

Megjithatë aktualisht çështje të tjera janë të më të rëndësishme. "Uji i pijshëm është një problem i madh, nevojiten impiante për pastrimin e ujit dhe pompa", thotë Valentin Inzko. Në vend janë ndërkohë disa organizata humanitare gjermane, si Agjencia e Ndihmës Teknike (THW). Më shumë se 70 punonjës të THW largojnë me pompa të mëdha masat e ujit nga shtëpitë dhe qytetet e përmbytura. Dhe një trupë e ndihmës së shpejtë me impiante për përgatitjen e ujit të pijshëm kujdeset që zonat e përmbytura të kenë përsëri në dispozicion ujë të pastër.

"Gjermania tregohet solidare me njerëzit në nevojë dhe ka reaguar shpejt pas katastrofës së përmbytjes", i tha Deutsche Welle-s një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme me rastin e vizitës së Ministrit të Jashtëm Steinmeier. Ndihmat shtesë janë për të ndihmuar kryesisht individët dhe ndërmarrjet e vogla për rindërtimin.
Por ndihma i vjen përshtat edhe qeverisë së Bosnjes. Sepse në fakt qëllimi i saj ka qenë për të hequr të gjitha minat në vend deri në vitin 2019. Tani sipas të dhënave nga Sarajeva kjo do të zgjasë shumë më tepër: të paktën 20 deri në 30 vjet.