1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Steinmeieri shpreson për qetësimin e gjendjes në Ukrainë

Kriza e Ukrainës, sipas pikëpamjes së ministrit të Jashtëm, Steinmeier është ende larg kapërcimit. Por ka shanse për shtensionim, tha kryediplomati gjerman pas bisedimeve me Rusinë.

Ministrat e Jashtëm Steinmeier, Lavrov dhe Sikorski

Vërtet që është ende herët, që të flitet për një rrugëdalje nga kriza. Por në vendin e acarimit të gjendjes e ka zënë një "atmosferë e re", tha ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier para gazetarëve në metropolin rus të Detit Baltik, St.Petersburg. "Ndoshta ka një dritë të vogël në fund të tunelit", tha ai. Në St.Petersburg, politikani socialdemokrat gjerman dhe ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski u takuan me kryediplomatin rus, Sergej Lavrov.

Atmosferë e ftohtë

Takimi në një hotel luksoz ishte takimi i parë i të tri ministrave që prej shkallëzimit të situatës në Ukrainë. Vëzhguesit folën për një atmosferë të ftohtë. Sikorski shprehu hapur, se midis ministrave ka mendime të ndryshme. Por bisedimet diplomatike nuk janë të rëndësishme vetëm kur moti është i mirë, por pikërisht në një krizë si aktualja, theksoi ai. Polonia është i vetmi shtet i BE me kufi të përbashkët si me Rusinë, ashtu edhe me Ukrainën. Në kuadër të BE Varshava mban pozicionin më të ashpër përballë Moskës.

Kievi vendos korridore humanitare

Pas bisedës midis të treve, Lavrovi përshëndeti vendimin e presidentit të ri të Ukrainës, Petro Poroshenko, që përballë vazhdimit të luftimeve në Lindje të Ukrainës të krijohen të ashtuquajtura korridore humanitare, midis të cilave të çohen mijëra civilë në siguri.

"Unë kam shumë besim se ky nuk është plan dhelpërak ushtarak, për t'u dhënë dorë të lirë trupave qeveritare", tha Lavrovi pas takimit me Sikorskin dhe Steinmeierin. Njëkohësisht, Lavrovi kërkoi fundin e ndërhyrjes së ushtrisë në Ukrainën Lindore.

Poroshenko pati deklaruar vendosjen e një armëpushimi këtë javë, por pa përmendur një datë të saktë. Ai është i bindur, u shpreh ministri i Jashtëm rus - se armëpushimin do ta respektojnë edhe kryengritësit.

Rreth 200 të vrarë në luftime

Në Ukrainën Lindore, trupat qeveritare veprojnë prej javësh kundër separatistëve prorusë, të cilat pas votimeve jo të njohura ndërkombëtarisht në rajonet e Luhanskut dhe të Donetskut kanë shpallur të ashtuquajtura republika popullore të pavarura. Ofensiva e ushtrisë qeveritare, e quajtur "Operacioni Antiterror" deri tani ka sukses të kufizuar. Vlerësohet se luftimet kanë kërkuar deri tani 200 të vdekur.

Steinmeieri u bëri thirrje Rusisë dhe Ukrainës, që ta ruajnë së bashku kufirin, për të ndaluar depërtimin e luftëtarëve. "Për këtë...tani duhet të vendoset një shkëmbim substancial, ku këto çështje të diskutohen në mënyrë bilaterale", tha ministri i Jashtëm gjerman.