1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Steinmeier - tur vizitash në vendet e Lindjes së Mesme

Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier nis këtë të hënë një seri vizitash në vendet e Lindjes së Mesme. Ai do të zhvillojë bisedime në Izraeli, territoret palestineze, Siri dhe Liban.

MPJ Frank-Walter Steinmeier (SPD)

Kjo është vizita e 14-të e MPJ Steinmeier në këtë rajon

Gjatë turit të vizitave në Lindjen e Mesme Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier synon t'i nxisë palët që të kthehen sa më shpejt në tryezën e bisedimeve për paqen. Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme gjatë bisedimeve dyditore Steinmeier do të angazhohet për një impenjim më të madh te vendeve arabe për zgjidhjen e konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve. Kjo është vizita e 14-të e Steinmeier në këtë rajon që kurse mban postin e ministrit të Jashtëm, vuri në dukje zëdhënsi i tij Andreas Peschke. Kjo vizitë është një sinjal i qartë për rëndësinë që i kushton Gjermania procesit të paqes në këtë rajon. "Synimi është mëse i qartë që së bashku me partnerët në rajon, të cilët mbajnë përgjegjësinë kryesore, si dhe me bashkësinë ndërkombëtare të arrihet një zgjidhje e drejtë dhe korrekte me dy shtete. Në këtë drejtim duhet të punojmë. Kjo është e vetmja rrugë për garantimin e paqes së qëndrueshme në rajon. Ky objektiv duhet të ketë prioritet dhe për këtë ne do të flasim hapur me partnerët në rajon e po ashtu edhe me Izraelin," - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme. Sipas zëdhënësit në procesin e paqes tani ka pasur lëvizje të reja - nga njëra anë prej angazhimit të presidentit të SHBA-së, Barack Obama, nga ana tjetër edhe prej normalizimit të marrëdhënieve mes Libanit dhe Sirisë.


Të hënën (06.07) Steinmeier do të qëndrojë në Izrael, ndërsa të martën (07.07) do të vizitojë Sirinë dhe Libanin. Në Jeruzalem programi i vizitës përmban bisedime me presidentin Shimon Peres, me kryeministrin Benjamin Netanjahu dhe me ministrin e Jashtëm Avigdor Lieberman. Takimi i planifikuar me ministrin e Mbrojtjes, Ehud Barak, është anulluar, sepse ky i fundit është nisur për në Londër, ku ka një takim me të ngarkuarin e SHBA-së për Lindjen e Mesme George Mitchell. Gjithashtu duket se nuk do të zhvillohet as takimi me presidentin palestinez Mahmud Abbas në Ramallah, për të cilin ishte rënë fillimisht dakord, pasi Abazi gjendet për momentin në kryeqytetin e Jordanisë, Aman, në përpjekje për krijimin e një qeverie uniteti me Hamasin radikal-islamik. Pikërëndesë e takimit me udhëheqjen izraelite me orientim të djathtë pritet të jetë kërkesa e SHBA-së dhe e BE-së për ndalimin e ndërtimit të vendbanimeve hebreje. Izraeli e refuzon kategorikisht këtë kërkesë. Së fundi qeveria u shpreh e gatshme të pezullojë përkohësisht zgjerimin e vendbanimeve. Të dielën (05.07) për herë të parë kryeministri izraelit Netanjahu u shpreh për themelimin e një shteti të pavarur palestinez, por me kusht çmilitarizimin dhe një sërë kushtesh të tjera.


Në takimin e dytë qysh nga viti 2006 me presidentin e Sirisë, Bashar al-Asad, në Damask ministri i Jashtëm gjerman synon të inkurajojë udhëheqjen siriane që të marrë një rol më konstruktiv për zgjidhjen e konflikteve në rajon. Bashkësia ndërkombëtare pret prej Sirisë ndërprerjen e mbështetjes që ky vend i jep Hisbollahut në Libanin fqinjë si dhe distancimin nga afërsia politike me Iranin. Gjatë stacionit të fundit të këtij turi vizitash në Bejrut, Steinmer, si i pari politikan perëndimor i nivelit të lartë, do të takohet me kryeministrin e ri të zgjedhur Saad Hariri. Aleanca politike properëndimore e drejtuar nga djali i ish-kryeministrit të vrarë më vitin 2005, Rafik Hariri, fitoi në qershor zgjedhjet parlamentare në Liban.

Autor: Vilma Filaj-Ballvora
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 06.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ihwk
  • Data 06.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ihwk