1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Steinmeier skeptik për rezolutën për Armeninë

Pas më pak se dy javësh, Parlamenti gjerman, Bundestagu do ta shpallë si "gjenocid" dëbimin dhe masakrimin e armenëve në Perandorinë Osmane. Ministri i Jashtëm Steinmeier nuk beson se rezoluta do të ndihmojë.

"Unë i kam përqendruar përpjekjet që t'i bindim turqit dhe armenët t'i rivlerësojnë së bashku ngjarjet dhe për një afrim", tha Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank- Walter Steinmeier në një intervistë me gazetarët e gazetës së Berlinit "Tagesspiegel". Ai vetë e konsideron rezolutën e planifikuar për t'u miratuar në 2 qershor si jo të zgjuar, sepse e rrezikon nga jashtë "procesin tepër të ndjeshëm" midis Armenisë dhe Turqisë. "Unë kam frikë se vetëm me vendimin për konceptin e gjenocidit nuk merr fund puna."

Shqetësim për marrëdhëniet me Turqinë

Por Steinmeieri është i shqetësuar edhe për raportin midis Ankarasë dhe Berlinit. "Shpresoj që marrëdhëniet gjermano-turke të mos rëndohen nga rezoluta dhe që bashkëpunimi ynë të vazhdojë i mirë edhe më tej", deklaroi Steinmeier. Ministri i Jashtëm gjerman pati shprehur që një vit më parë rezerva për kategorizimin e ngjarjeve të atëhershme si gjenocid.

Bundestagu ka planifikuar që në seancën e datës 2 qershor ta dënojë dëbimin dhe asgjësimin e armenëve nga Perandoria Osmane zyrtarisht si gjenocid. Sipas paraqitjes që u bën Armenia fakteve, duke nisur nga 24 prilli 1915, në territorin e Turqisë së sotme vdiqën deri në 1,5 milionë armenë, në vazhdën e një fushate të qëllimshme asgjësuese. Atëherë u përndoqën edhe aramejët dhe grekët. Turqia kundërshton deri sot karakterizimin e ndodhive si gjenocid dhe flet edhe për një numër shumë më të vogël viktimash.