1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Steinmeier paralajmëron nga rreziku për atentate në Turqi

Në Ankara dhe në Stamboll janë mbyllur përfaqësitë gjermane. Arsyeja janë „sinjalizimet paralajëmruese, që duhen vlerësuar seriozisht“, thotë ministri i Jashtëm Steinmeier.

"Dje në mbrëmje na erdhën disa sinjale mjaft konkrete e si që rrjedhojë duhen vlerësuar seriozisht, sipas tyre janë përgatitur atentate terroriste ndaj përfaqësive tona brenda Turqisë", tha ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier në Berlin në Ministrinë e Jashtme. Për këtë arsye ai ka vendosur si masë mbrojtëse që të mbyllen Ambasada gjermane në Ankara dhe Konsullata e përgjithshme në Stamboll si dhe shkollat gjermane në të dy këto qytete. "Mbrojtja e njerëzve atje duhet të ketë tani prioritet."

Masat e sigurisë përreth këtyre institucioneve ndërkohë janë duke u verifikuar si dhe po mblidhen informacione të mëtejshme për gjendjen e sigurisë në Turqi. Ministri u bëri thirrje atyre që vizitojnë Turqinë, që t'u kushtojnë vëmendje paralajëmrimeve për udhëtimet drejt këtij vendi të publikuara në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme.

Territori përreth Konsullatës gjermane në afërsi të sheshit Taksim në Stamboll duhet të evitohet, thuhet në një njoftim të konsullatës i dhënë si masë paraprake kujdesi.

Alarm për terror

Instituti Goethe në qendër të Stambollit e ka ndërprerë mësimin e rregullt të gjermanishtes për shkak të alarmit për terror. Institui i Kulturës gjermane, që ka një degë të tij në afërsi të Istiklal Caddesi në qendër të qytetit, është mbyllur përkohësisht. Banorët reguan të shqetësuar, por edhe të shpenguar ndaj këtyre zhvillimeve. Si Xhevdeti, pronar i një kafeneje në afërsi të Konsullatës gjermane, i cili thotë, se të tilla paralajmërime të ngjallin shqetësim por „ne nuk kemi frikë. Ne jemi ambjentuar ndërkohë me rrezikun“, i thotë ai një reporteri të DW.

Ambasada gjermane në Ankara dy ditë më parë i paralajmëroi qytetarët gjermanë për atentate të tjera të mundshme në kryeqytetin e Turqisë. Këto atentate mund të ndodhin në një kohë shumë të afërt. "Ju lutemi, kthehuni menjëherë në shtëpi dhe prisni atje udhëzimet e tjera", thuhej në një lajmërim për qytetarët gjermanë në Ankara. Ka paralajmërime konkrete për atentate, midis të tjerave në qendrat tregtare. "Na duhet të besojmë se ka edhe kërcënime të tjera para nesh". Shkolla gjermane dhe kopështi u mbyllën para kohe.

Istanbul Türkei Terrorwarnung Wache Polizei Deutsches Konsulat

Konsullata gjermane në Stamboll

Paralajmërimet në Stamboll dhe në Ankara pasojnë pak ditë pas sulmit me pasoja të rënda në kryeqytetin turk, ku gjetën vdekjen 37 vetë. Ndër viktimat ishin edhe studentë e nxënës. Në Stamboll në janar një atentator kamikaz vrau 12 turistë. Ky akt shkon në llogari të milicëve terroristë të Shtetit Islamik (IS).

Për atentatin e së dielës (13.03) në Ankara e mori përgjegjësinë lëvizja Skifterët e Lirisë së Kurdistanit (TAK). Ky grup është pjesë e partisë së ndaluar kurde "Partia e Punës e Kurdistanit" (PKK). Sulmi në Stamboll ishte një akt hakmarrjeje ndaj veprimeve të trupave turke kundër kurdëve në juglindje të Turqisë, deklaroi TAK. Qeveria turke ndërkohë ka bërë përgjegjës rebelët kurdë për sulmin. Për shkak të festës kurde të Vitit të Ri Nevruz të hënën e ardhëshme priten aksione të mëtejshme të grupimeve ekstremiste kurde.

Aviacioni luftarak turk bombardoi sërish pozicione të PKK në Irakun e Veriut. Në këtë kuadër, në rajonnin Kandil u vranë 45 luftëtarë të PKK, bëri të ditur ushtria. PKK ka në Kandil selinë e saj qendrore. Edhe në juglindje të Turqisë dhuna vazhdon. Agjencia e lajmeve DHA bëri të ditur se në Xhiarbakir u vra në luftime një luftëtar i PKK dhe një ushtar.