1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Steinmeier: Nuk duhet të rikthehet ndarja e vjetër Lindje-Perëndim

Ministri i Jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier paralajmëroi para Kombeve të Bashkuara për një luftë të re të ftohtë, po qe se nuk gjendet zgjidhja në konfliktin për Ukrainën. Kriza paralizon edhe Kombet e Bashkuara.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, në një fjalim para Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar nga kthimi në kohën e Luftës së Ftohtë për shkak të krizës në Ukrainë. Para Asamblesë së Përgjitshme në Nju Jork, Steinmeier tha se nuk duhet lejuar që konflikti i vjetër Lindje-Perëndim të rikthehet në Kombet e Bashkuara. Për sa kohë që Perëndimi dhe Rusia grinden për Ukrainën, kjo kërcënon të paralizojë edhe Kombet e Bashkuara, paralajmëroi ministri i Jashtëm gjerman. "Ne kemi nevojë për një Këshill Sigurimi të aftë dhe me vullnet për të vepruar, me qëllim për të menaxhuar detyrat e vështira, që kemi tani përpara, por edhe ato të së ardhmes."

Steinmeier: Rusia ka shkelur të drejtën ndërkombëtare

Steinmeier përforcoi kritikën ndaj veprimeve të Rusisë duke e akuzuar atë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare. "Zoti president, jo ndonjë shtet çfarëdo, por një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit. Rusia ka shkelur ligjet ndërkombëtare me aneksimin e Krimesë duke ndryshuar kufijtë ekzistues në Europë. Këtij sinjali të rrezikshëm ne duhet t'i dalim përballë, sepse nuk duhet të lejojmë që të gërryhet nga brenda forca e së drejtës ndërkombëtare." Rusia nga ana e saj u kundërpërgjigj duke sulmuar strategjinë e perëndimit ndaj Ukrainës. "Ukraina është viktimë e politikës arrogante të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian", tha Lavrov në Nju Jork. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, tha se "BE dhe Perëndimi gënjejnë vetveten, kur paraqiten si rojet e demokracisë."

Ndryshe nga Perëndimi Rusia është e mendimit se qeveria ukrainase e drejtuar nga miliarderi Petro Poroshenko përbëhet nga oligarkë, ultranacionalistë dhe disa forca proeuropiane. Megjithatë në televizionin rus Lavrov përdori tone pajtuese, duke theksuar se Rusia është gati për një fillim të ri në marrëdhëniet me Perëndimin dhe SHBA.

Keqpërdorin emrin e zotit për veprën e djallit

Ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier trajtoi në fjalimin e tij edhe mbështetjen, që Gjermania do t'i japë aleancës ndërkombëtare kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik. "Ne jemi të shokuar nga brutaliteti i atyre terroristëve, që keqpërdorin emrin e zotit për veprën e djallit". Gjermania i mbështet me armë njësitë kurde, që luftojnë në Irakun e Veriut, por nuk do të marrë pjesë me sulme ajrore ushtarake kundër xhihadistëve. Mjaft shqetësuese është që "këta predikues të urrejtjes", tha Steinmeier, arrijnë të fitojnë të rinj nga Europa për luftën e tyre.

"A nuk duhet të na shqetësojë fakti, kur predikuesit e urrejtjes arrijnë të bëjnë për vete të rinjtë, që janë rritur në mesin e shoqërisë sonë. Prandaj ky nuk është një konflikt rajonal, një problem me Irakun dhe Sirinë, apo Afrikën, ku terrori shkel me këmbë veçanërisht të drejtat e grave dhe vajzave. Por ky barbarizëm drejtohet kundër të gjithë neve. Kundër asaj që mbrojnë Kombet e Bashkuara."