1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Steinmeier: Integrimi i Kosovës ka mbështetjen e Gjermanisë

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Steinmeier priti në Berlin ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj. Dy homologët janë për herë të dytë ministra të Jashtëm në vendet përkatëse e së fundi janë takuar në Paris.

Ministria e Jashtme gjermane njofton se një temë e rëndësishme e bisedës së ministrave të Jashtëm ishte integrimi i Kosovës në komunitetin ndërkombëtar. Gjermania e ka mbështetur Kosovën që në fillim në këtë proces të vështirë, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Steinmeieri e përshëndeti edhe procesin e afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian. "Ne përpiqemi, për aq sa është e mundur nga ana jonë, të mbështesim procesin e reformave brenda Kosovës", tha ai. Ai shprehu besimin se marrëveshja e Stabilizim-Asociimit të BE me Kosovën, që ka hyrë në fuqi prej 1 prillit 2016 do ta shtyjë përpara procesin e reformave; si dhe do t'i shërbejë procesit të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Ministri i Jashtëm gjerman tha se të dyja palët flasin hapur për pengesat që janë në këtë rrugë. Por Enver Hoxhaj në mandatin e tij të kaluar ka bërë pjesë në ata "që e kanë mbështetur aktivisht këtë proces normalizimi". Prandaj ai shpreson ta bëjë këtë edhe në hapat e tjerë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj tha se ndodhej në Berlin jo vetëm si ministër i Jashtëm, por si mik i Gjermanisë, për të thelluar edhe më tej marrëdhëniet e përbashkëta të mira. Ai tha se në shtatë-tetë vitet e fundit në Kosovë është ngritur nga themelet një shtet demokratik dhe laik, që është faktor stabiliteti në rajon. Hoxhaj e quajti komunitetin që jeton që prej tri brezash në Gjermani, dhe që është integruar shumë mirë, pjesë të shoqërisë dhe të ekonomisë së Gjermanisë. Përsa i përket situatës në rajon, ministri i Jashtëm i Kosovës u shpreh se ajo është shumë e vështirë dhe komplekse. "Zhvillime ka si në Evropën Juglindore ashtu edhe në BE", tha Hoxhaj. "Megjithë këto zhvillime, ne si shteti më i ri i Evropës besojmë fort te Evropa, besojmë fort në BE."

Hoxhaj tha se shpreson që në vjeshtën e ardhshme të marrë lajme të mira nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave me Kosovën. Mbështetjen gjermane në këtë drejtim ai e vlerësoi si shumë të rëndësishme.

Përsa i përket dialogut me Serbinë, Enver Hoxhaj tha se ai "duhet të ketë objektiva të qarta dhe një hapësirë kohore të përcaktuar". "Objektiva të qarta do të thotë që në fund të kemi një njohje reciproke të Kosovës dhe të Serbisë; që të bëhet një shenjim i kufirit midis dy shteteve dhe një proces pajtimi mes dy shteteve, që t'i japë fund njëherë e përgjithmonë konfliktit", theksoi në Berlin ministri i Jashtëm i Kosovës.