1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Steinmeier: Bota e jashtme pret prej Gjermanisë më shumë angazhim dhe përfshirje

Frank-Walter Steinmeier: Ne duhet të rindërgjegjësohemi edhe për shkallën e përgjegjësisë së Gjermanisë në arenën ndërkombëtare.

DW: Të dielën në Ukrainë zgjidhet një president i ri. A keni besim në to zoti ministër?

Steinmeier: Ne kemi punuar për këtë gjë. Kur them ne mendoj jo vetëm gjermanët, por edhe shumë të tjerë. OSBE-ja luan një rol të madh për të zhvillimin e këtyre zgjedhjeve dhe që ato të bëhen të mundura. Unë shpresoj se shumica e ukrainasve - edhe në Ukrainën Lindore - do të kenë mundësinë të votojnë. Dhe unë shpresoj që këtë javë do të zhvillohet në Dones një tryezë e rrumbullakët, që të kuptohet se vetëm zgjedhjet mund të krijojnë legjitimitet të ri. Dhe një fund që të zgjidhet një president që e pranojnë edhe në lindje të vendit.

DW: A do jetë kjo një pikë kthese?

Steinmeier: Unë them që është patjetër një rrugëdalje e vogël. Aktualisht kemi një qeveri të re, një udhëheqje të re në Kiev, e cila u zgjodh nga Parlamenti, por legjitimiteti i së cilës vihet në diskutim në Ukrainë lindore. Dhe sidomos kritikuesve ne u themi gjithmonë: Nëse ju kritikoni, atëherë duhet të keni interes të madh që me zgjedhjen e presidentit të fillojë ndërtimi i një procesi të ri legjitimimi, i cili në hapat e mëtejshëm përmes reformës së Kushtetutës të mund të vazhdojë edhe më tej dhe ne shpresojmë se gjatë vitit pastaj mund të zhvillohen edhe zgjedhjet parlamentare.

DW: A ka ndonjë ide, edhe pse kjo fjalë është e stërpërdorur, për një vijë të kuqe, në rast se në të ardhmen do të duhet të bëhen përsëri kërcënime me sanksione?

Steinmeier: Këtë do të na e tregojë jeta e përditshme, unë nuk mendoj vazhdimisht për këtë në këtë moment. Unë përqëndrohem në atë që zgjedhjet e kësaj të diele do të zhvillohen dhe se në to do të marrin pjesë sa më shumë vetë që të jetë e mundur. Dhe edhe me këto zgjedhje problemet nuk janë zgjidhur. Ne do të kemi me siguri probleme politike, p.sh. për hartimin e një kushtetute të re, për të decentralizuar drejtimin e ardhshëm të vendit, për balancën e pushtetit mes presidentit dhe qeverisë në kushtetutën e ardhshme. Por sigurisht edhe më sfiduese do të jenë problemet për stabilizimin ekonomik të vendit, duke filluar me luftën kundër korrupsionit, me miratimin e një ligji të ri kundër korrupsionit dhe ajo që është edhe më e rëndësishme, me krijimin e organeve të pavarura të hetimit që do të jenë të pavarura nga çdo qeveri, dhe sigurisht nga individë, për të shkulur vërtetë rrënjët e shumë të këqijave në Ukrainë. Përveç kësaj nevojiten ndihma ekonomike që duhet të vihen në jetë përmes një politike më të mirë. Dhe të gjithë këto janë sfida të mëdha për vetë Ukrainën, por edhe për komunitetin ndërkombëtar, të paktën për të gjithë ata që janë të interesuar që Ukraina të stabilizohet përsëri.

DW: Ju vetë keni thënë se javët dhe muajt e fundit keni qenë i zënë çdo ditë 24 orë me këtë konflikt. Ju keni bërë shumë udhëtime dhe në fotografi ju shohim se si bisedoni praktikisht me çdo njeri, ju flisni, flisni, flisni. Njëkohësisht shtohet presioni që ndjek një logjikë konfrontimi, që do të thotë ne duhet të shtojmë buxhetin e mbrojtjes për të arritur balancimin e forcave. Si e shpjegoni këtë?

Steinmeier: Unë jam i sigurt se ne duhet t'i shqyrtojmë burimet që kemi faktikisht në dispozicion. Por ndër gabimet e politikës së jashtme dhe të diplomacisë bën pjesë edhe mbivlerësimi i tyre. Unë mendoj se në fund, në qoftë se ne do ta kapërcejmë vërtetë krizën aktuale në Ukrainë, atëhere nuk do të kthehemi në gjendjen e viteve 80-të. Por nga përvoja e krizës në Ukrainë ne pavarësisht buxhetit jo të lartë, shtojmë pak armatimet dhe përmirësojmë ato ekzistuese. Bota nuk është më botë e blloqeve në konfrontim me njëri-tjetrin. Dhe unë mendoj se ata që duan të risjellin Luftën e Ftohtë, do ta shohin se instrumentet nuk funksionojnë më. Gjithësesi Evropa duhet të medojë sërish për një strukturë të re sigurie. Përmes instrumentesh të reja ne duhet të sigurojmë që brezat e rinj ta përjetojnë si në dekadat e fundit, se paqja është një gjë e natyrshme dhe do të mbetet një gjë e natyrshme edhe në të ardhmen

DW: Cili është qëllimi i politikës së jashtme gjermane?

Steinmeier: Qëllimi i politikës së jashtme gjermane është që ne të mbajmë atë pjesë të përgjegjësisë që mund të mbajmë. Dhe duke ju referuar debateve të tanishme që unë zhvilloj me mysafirë shtetërorë nga e gjithë bota, por edhe përvojës në institucionet ndërkombëtare, ato që priten nga Gjermania po shtohen në të vërtetë nga viti në vit. Kjo lidhet me atë që ne jemi ekonomikisht relativisht të fortë në krahasim me shumë të tjerë, kjo lidhet gjithashtu me atë që ne kemi kapërcyer edhe krizat në vendin tonë, dhe ka të bëjë edhe me atë që Gjermania përfaqëson një politikë të jashtme relativisht të ekuilibruar që nuk ka tendencë për të bërë shumë zhurmë, por është më e përqendruar në përpjekje për t'iu përgjigjur krizave me analizë të hapur dhe për të kërkuar zgjidhje në vend që të bëjë klasifikime dhe duke e futur veten në qorrsokak.

DW: Pra bota e jashtme pret prej nesh që të përfshihemi më shumë. Kurse në qoftë se pyesni gjermanët, dy të tretat e gjermanëve thonë: të durojmë edhe më shumë.

Steinmeier: Po ne sapo bëmë një test duke pyetur ekspertë ndërkombëtarë: Çfarë prisni nga Gjermania dhe politika e jashtme gjermane? Dhe përgjigjet janë të tilla si: Gjermania duhet të drejtojë më shumë në Evropë. Ose duhet të ngrejë zërin e saj më fort. Ose duhet të angazhohet më shumë në konfliktet aktuale në botë. Dhe kjo është në kundërshtim të qartë me anketim tjetër që kemi bërë për pyetjen: Çfarë presin gjermanët, publiku gjerman, prej politikës së jashtme? Rreth dyzet për qind janë për më shumë angazhim, apo që ky ndoshta do të jetë edhe i nevojshëm. Por shumica, pra reth gjashtëdhjetë për qind thotë më mirë jo, dhe në qoftë se është e mundshme të qëndrojmë larg.

Në këtë drejtim duhet bërë pra punë pedagogjike dhe bindëse, për të treguar se ç'pritet prej nesh dhe se në rast se ne jemi në gjendje ta ofrojmë këtë ta bëjmë dhe dhe në rast se jo të qëndrojmë larg. Ne duhet të bëjmë të qartë për njerëzit këtu në Gjermani se jemi një vend i lidhur fort me botën jo vetëm ekonomikisht, por edhe përmes kontakteve njerëzore, studentëve etj. Ne nuk jetojmë në një ishull dhe s'kemi punë me të tjerët. Në këtë drejtim politika duhet të bëjë punë shpjeguese.

DW: Ju keni thënë se doni t'ia nënshtroni politikën e jashtme gjermane një rishikimi, dhe madje edhe duke shtruar pyetjen mjaft të guximshme: Çfarë është e gabuar në politikën e jashtme gjermane? Cili do të ishte suksesi i këtij rishikimi?

Steinmeier: Së pari procesi i shqyrtimit, siç e quajmë ne atë, nuk do të ishte serioz, në qoftë se unë mund t'ju jap tani përgjigje për këtë. Por sigurisht që ne kemi marrë përgjigje me shkrim para fillimit të aktiviteteve të para publike dhe atë që unë shoh tani është një mbingarkesë e tepruar e Gjermanisë dhe e politikës së jashtme gjermane. Pra ka vlerësime të tilla që ne duhet të drejtojmë Evropën apo duhet të marrim përsipër një rol udhëheqës në botë, ose që duhet që rolit tonë politik t'i japim një rëndësi të barabartë si rolit ekonomik, që duhet të jemi më aktivë, madje edhe ushtarakisht në konflikte. Gjermania sigurisht nuk mund t'i përballojë të gjitha këto. Por ne duhet të rindërgjegjësohemi edhe për shkallën e përgjegjësisë sonë. Dhe ajo që unë dua, është gjithashtu një pjesëmarrje publike, madje edhe në radhët popullsisë gjermane, në procesin e vetëpozicionimit të politikës së jashtme gjermane. Dhe pastaj do të shohim se deri ku mund të shkojmë.