1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Stefanoviq: Ngjarjet në Kosovë ndikojnë keq në sigurinë e Kosovës dhe në procesin negociator

Beogradi zyrtar nuk ka asnjë lidhje me sulmin e ekstremistëve serb në kalimin kufitar në veri të Kosovës, thotë në një intervistë me DW shefi i grupit negociator serb në bisedimet me Prishtinën, Borislav Stefanoviq

Shefi i grupit negociator serb në bisedimet me Prishtinën, Borisllav Stefanoviq

Shefi i grupit negociator serb në bisedimet me Prishtinën, Borisllav Stefanoviq

DW: Zoti Stefanoviq, çfarë implikimesh mund të ketë ndërhyrja e policisë së Kosovës në veri dhe sulmi i grupit të serbëve ndaj pikëkalimeve kufitare?

Stefanoviq: Edhe njëra edhe tjetra janë shumë të këqija për stabilitetin dhe sigurinë dhe për vullnetin që kishte filluar të zhvillohet tek të dyja palët. Ato mund të kenë ndikime shumë negative në procesin negociator. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu prej disa ditësh dhe po provojmë të zgjidhim këtë problem, të ulim tensionet dhe të gjejmë zgjidhje. Sidoqoftë ajo çfarë kanë bërë grupi i ekstremistëve dje (27.07.) në Jarinjë është shumë e dëmshme, shumë e pavolitshme për të gjithë dhe besoni kemi zhvilluar me orë të tëra bisedime me gjeneralin Bühler që të stabilizojmë gjendjen gjë që edhe e kemi arritur mbrëmë. Tani ka mbetur që të diskutojmë edhe për kalimin në Brnjak në mënyrë që plotësisht të normalizojmë gjendjen dhe njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre."

Pohimet e zotit Thaçi plotësisht të pavërteta

DW: Kryeministri i Kosovës ka akuzuar Beogradin zyrtar se qëndron pas grupit të huliganëve që i vunë zjarrin pikë-kalimit kufitar në Jarinje. Cili është komenti i juaj?

Stefanoviq: Ne me vendosmëri hedhim poshtë pohimet e zotit Thaçi, vlerësojmë se kjo është plotësisht e pavërtetë dhe mendojmë se këtë e dinë të gjithë edhe bashkësia ndërkombëtare, këtë e dinë edhe njerëzit të cilët këtu me ne kanë tre ditë që provojnë që të rregullojnë gjendjen. Beogradi zyrtar e as serbët të cilët kanë protestuar në mënyrë paqësore gjatë kësaj kohe nuk kanë asnjë lidhje me aktin e ekstremistëve të cilët bënë dje atë që bënë. Ne për çdo rast jemi në gjendje që të zgjidhim problemin dhe nuk do të lejojmë që kjo ngjajrje shumë e pavolitshme dhe negative të shkatërrojë perspektivën e zgjidhjes paqësore.

DW: Edhe njëherë ndoshta pak më gjerëisht, si do të ndikojnë këto ngjarje në procesin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit?

Stefanoviq: Mendoj se këto ngjarje ndikojnë shumë keq dhe presim që gjendja të normalizohet në tërësi, që gjendja në kalimet adminstrative të kthehet në situatën e mëparshme, kjo do të mundësojë kthimin e qetësisë, kjo do të mundësojë që njerëzitë të kthehen në shtëpitë e tyre. Nëse nuk vjen deri tek kjo, atëherë mendoj se është e qartë se nuk do të mund të arrihet ndonjë marrëveshje.

DW: Siç duket vulat e doganave mbeten problemi kryesor në procesin negociator. Si mund të dilet nga kjo situatë?

Të ruhet qetësia dhe të zgjidhet problemi i vulave doganore

Stefanoviq: Unë mendoj se ne mund të gjejmë zgjdihje për vulat doganore në muajin shtator ashtu siç edhe jemi marrë vesh, por që të ndodh diçka e tillë është e palejueshme pavarësisht se cila palë do të ndryshoj gjendjen në terren. Mendoj se të gjithë e kanë të qartë tani se pas këtyre ngjarjeve të cilat ndodhen në tre ditët e fundit është shumë me rëndësi që të ruajmë qetësinë dhe gjendjen ashtu siç ka qenë, në mënyrë që t'i japim shans procesit të bisedimeve. Ne jemi të gatshëm që të zgjidhim problemin e vulave doganore dhe këtë e dinë të gjithë, bashkësia ndërkombëtare dhe Prishtina. Ajo që ndodhi ishte përpjekje që i gjithë procesi të prejudikohet dhe gjërat të merrnin një drejtim të gabuar.

Intervistoi: Esat Ahmeti

Redaktoi: Mimoza Kelmendi