1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Stefanoviq: Dialogu Beograd-Prishtinë shans për kompromis historik

Shefi i delegacionit serb në negociatat me Prishtinën, Borislav Stefanoviq: "Nuk do të bisedohet vetëm për çështjet teknike, por për të gjitha çështjet e hapura në raportet mes Prishtinës dhe Beogradit".

default

DW: Cilat tema do të hapen në takimin e parë me palën kosovare në Bruksel?

Borislav Stefanovq: Ajo që është e sigurt është se do të bisedohet në bazë të parametrave të Bashkimit Evropian. Këto janë: bashkëpunimi rajonal, liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit. Është hartuar një listë e temave, por kjo nuk do të thotë se lista është përfundimtare dhe se do të arrijmë marrëveshje për secilën temë. Në këtë fazë do të bisedojmë për kryesimin e CEFTA-s, pamjen e vulave në dogana sipas Rezolutës 1244, kadastrat si dhe trafikun rrugor e telekomunikacionin. Por kjo nuk do të thotë se do të merremi vesh për të gjitha këto çështje dhe se kjo është lista përfundimtare e temave.

DW: Pala shqiptare ka deklaruar se në këtë dialog do të flitet vetëm për çështje teknike, ndërsa Beogradi pohon të kundërtën. Mendoni se më vonë do të hapet çështja e statusit të Kosovës?

Borislav Stefanoviq: Ne natyrisht që po i përcjellim deklarimet e Prishtinës dhe kemi mirëkuptim të plotë se përse Prishtina gjithnjë e thekson karakterin teknik të negociatave. Ne mendojmë se nuk ka asgjë teknike kur është fjala për jetën e njerëzve dhe zgjidhjen e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit. Do të flasim për të gjitha çështjet e hapura mes nesh. Qëndrimet e Beogradit dhe të Prishtinës për statusin janë diametralisht të kundërta dhe është iluzore të flitet për qëndrimet e Prishtinës apo të Beogradit rreth statusit. Duhet të largohemi nga dallimet terminologjike mes nesh, sepse ato shërbejnë vetëm për qëllime të brendshme. Esenca është që në Bruksel do të bisedohet për të gjitha çështjet e hapura, sepse këtë e kërkon jeta e përditshme dhe situata në Kosovë e Metohi që në masë të madhe pamundëson integrimet evropiane të tërë rajonit.

DW: Zoti Stefanoviq, cili është qëndrimi juaj ndaj veriut të Kosovës dhe a do të kërkojë Beogradi ndarjen e Kosovës?

Borislav Stefanoviq: Mendoj se duhet të bisedojmë për të gjitha specifikat në Kosovë, e veriu është një prej tyre. Normalisht që ne i kuptojmë vështirësitë e delegacionit nga Prishtina për shkak të një opozite të fuqishme, e cila kërkon edhe bojkotimin e dialogut. Dialogu është i domosdoshëm dhe ai duhet të zgjidhë një varg problemesh. Me vite të tëra kemi punuar për të mundësuar një komunikim normal mes Prishtinës dhe Beogradit, me qëllim zgjidhjen e problemeve. Veriu i Kosovës ka veçoritë e veta dhe këtë e kanë të qartë të gjithë. Unë nuk dua të flas për modalitetet, por me siguri që do të flitet për të gjitha mundësitë. Beogradi nuk ka ndonjë formulë të gatshme, por duhet të jemi kreativ dhe të kërkojmë zgjidhjen e problemeve.

DW: Ju keni deklaruar se ky është një shans për marrëveshje historike mes Prishtinës dhe Beogradit. Mendoni se me të vërtetë mund ta arrini këtë marrëveshje?

Borislav Stefanoviq: Absolutisht besojmë në një marrëveshje të tillë, sepse ajo është e domosdoshme për prosperitetin e Ballkanit. Në qoftë se shqiptarët dhe serbët i zgjidhin problemet e tyre nga e kaluara, të cilat influencojnë edhe ardhmërinë tonë, mendoj se i tërë rajoni mund të vazhdojë rrugën e prosperitetit dhe të integrimit në BE. Ky dialog duhet të kuptohet si mundësi për një kompromis historik mes shqiptarëve dhe serbëve, por këtu bëjnë pjesë disa elemente.

DW: Cilat janë këto elemente?

Borislav Stefanoviq: Këto elemente janë shumë çështje të rëndësishme të pazgjidhura mes serbëve dhe shqiptarëve: mbrojtja e serbëve në Kosovë e Metohi si dhe reregullimi i raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës. Për pajtimin mes popujve është shumë i rëndësishëm edhe trajtimi adekuat, gjykimi i të akuzuarve për krime lufte si dhe zbardhja e fatit të të pagjeturve. Pa këto elemente nuk mund të arrijmë deri pajtimin mes popujve, por besoj se me këtë dialog jemi në rrugë të mirë që ta arrijmë këtë.

DW: Sa do të influencohet ky dialog nga raporti i Dick Martyt, i cili akzon disa prej krerëve të UÇK-së si dhe kryeministrin e tanishëm, për krime dhe tregti me organe njerëzish?

Borislav Stefanoviq: Ne e kemi thënë shumë qartë që raproti i Dick Martyt nuk ndërlidhet me këtë dialog. Ai ka rrugën e vet të hetimeve, rrugën juridike dhe politike. Organeve kompetente u duhet mundësuar që të kryejnë hetime të pavarura.

DW: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka dështuar dy herë, me ndërmjetësimin e Ahtisarit dhe të trojkës. Pse tani jeni i sigurt që ai do të ketë sukses?

Borislav Stefanoviq. I sigurt jam sepse Prishtina dhe Beogradi tani mund të bisedojnë për një diapazon të gjërë temash që na ngarkohen sy më sy dhe me ndërmjetësimin e BE-së. Kjo na bën optimist. Ne ndoshta kurrë nuk do t' i zgjidhim të gjitha problemet, por është me rëndësi të zgjidhim ato më të rëndësishmet. Negodiatat e mëparshme janë marrë vetëm me një temë esenciale të raporteve tona. Tani besoj se me formën e aktuale të dialogut kemi shanse shumë më të mira për marrëveshje.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 07.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10Utn
  • Data 07.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10Utn