1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Statusi i Kosovës duhet të arrihet me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar

Presidenti kroat, Stjepan Mesic qëndroi dje në Berlin ku ndër të tjera mbajti një fjalim në Fondacionin Bertelsman. Ai mendon se Gjermania mund të veprojë edhe për Kosovën siç veproi për Kroacinë.

Presidenti kroat, Stjepan Mesiç

Presidenti kroat, Stjepan Mesiç

Presidenti kroat, Stjepan Mesic theksoi se Kroacia do të pranojë për Kosovën çdo lloj zgjidhjeje, që do të kënaqte të dy palët. "Ne e mbajmë planin e Ahtisaarit si bazë të mirë, mbi të cilin mund të zhvillohen bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës," tha ai.

Edhe për Kosovën Gjermania të veprojë si për Kroacinë

I pyetur çfarë këshille do t`ju jepte ai gjermanëve, çfarë do të duhet të bëjnë ata nëse Kosova shpall pavarësinë, presidenti kroat tha: "Në lidhje me dilemën, para të cilës ka mundësi që të ndodhet Gjermania, nëse Kosova shpall pavarësinë, unë mund të kujtoj vetëm si u soll Gjermania kur ishte fjala për të njohur Kroacinë. Gjermania u kritikua ashpër në atë kohë, megjithëse ajo që bëri Gjermania ishte njohja e realiteteve. Gjermania tregoi se është një shtet i madh dhe i fuqishëm. Ajo ndërmorri hapin e parë, dhe të tjerët e ndoqën. Statusi i Kosovës duhet të arrihet me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar."

Duhet njohur historia e shqiptarëve të Kosovës

Stipje Mesiçit ju kujtua nga publiku se disa vjet më parë ka qenë kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, kur është pyetur për çështjen e Kosovës. Por Mesiç, ju kthye historisë, që sipas tij ka qenë e padrejtë me shqiptarët: "Sa i përket Kosovës, do ju lutesha të kujtonit historinë e të djeshmes, në mënyrë që të kuptojmë atë të të sotmes. Gjatë gjithë historisë politika kundrejt shqiptarëvë te Kosovës ka qënë e gabuar, si në periudhën e Jugosllavisë ashtu edhe nën Milloshevicin. Gjatë periudhës së mbretërisë jugosllave shqiptarët nuk kanë patur asnjë të drejtë, nuk njiheshin si etni dhe nuk ju njihej gjuha, ata nuk kishin shkollë në gjuhën shqipe e kështu me rradhë."

Referendumi nuk u mbajt

Presidenti kroat, kalon në historinë e Luftës së dytë botërore dhe harron se ishin fashistët ata, por thotë: "Gjatë luftës së dytë botërore, italianët hapën shkolla në gjuhën shqipe, botuan gazeta në gjuhën shqipe dhe lejuan publikim e gazetave të pavarura shqipe. Shqiptarëve u pëlqeu kjo dhe gjatë luftës qëndruan të rezervuar. Ata nuk morrën pjesë në rezistencën, që kryente Partia Komuniste e Jugosllavisë, nën udhëheqjen e marrshall Titos. Tito bëri një marrëveshje me Enver Hoxhën, që duke qenë udhëheqës i rezistencës në Shqipëri të ndikonte që të fuste edhe shqiptarët e Kosovës në rezistencë, me premtimin që pas luftës të organizohej një referendum popullor për të përcaktuar statusin e Kosovës. Ju e dini që pas luftës, Tito pati një konflikt me Stalinin, Hoxha kaloi në anën e Stalinit, dhe referendumi nuk u mbajt."

Tito i shtypi shqiptarët që kërkonin republikë

Shpejt e shpejt kalohet në periudhën kur Tito i bëri shqiptarëve shumë lëshime, dhe u dha atyre autonominë. "Ata i kishin të gjitha, që nga kopshti i fëmijëve deri tek Akademia. Në Kosovë u krijua një inteligjencë e fuqishme, ekonomia u lidh me ekonominë e vendeve të tjera dhe u aktivizua potenciali natyror dhe njerëzor. Ky zhvillim u ndihmua financiarisht nga republikat më të zhvilluara. Shqiptarët ngritën pretendimin e një republike të vetën, kjo u shtyp brutalisht. Që në kohën e Titos," vëren presidenti kroat.

Kur dështoi me Kroacinë dhe Bosnjën, Millosheviçi ju kthyer Kosovës

"Serbia e Millosheviçit u morri shqiptarëve statusin e tyre. Millosheviçi pushoi qindra mijra shqiptarë nga puna, që nga punëtorët e deri tek kuadrot, që nga mjekët e deri tek mësuesit. Kur dështoi me planet e tij për tu zgjeruar në kurriz të Kroacisë dhe Bosnjës, kujton presidenti kroat historinë, atëherë ai ju kthye Kosovës. Ai vendosi të përzinte dy milionë shqiptarë. Natos ju desh të ndërhynte që të pengonte këtë. Pas kësaj shqiptarët strukturuan ushtrimin e pushtetit të tyre dhe kërkúan nga pakicat të marrin pjesë në jetën politike. Por, Beogradi nga ana e tij i bën thirrje serbëve të Kosovës të bojkotojnë zgjedhjet."

Me një çështje Kosove të pazgjidhur, fitohen zgjedhjet në Beograd

mendon Mesic. Ai vlerëson se Serbia nuk ka kapacitete për prezencë në Kosovë. "Në vend që të nxisin pjesëmarrjen e serbëve në pushtetin e atjeshëm, Beogradi i këshillon ata që të mos marrin pjesë në to. Nëse duan të bëhen subjekt i pushtetit serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në zgjedhje," thotë ai.

Serbia nuk ka të drejtë të pretendojë Kosovën

Kosova ka qenë e lidhur me Serbinë në kohën e ish Jugosllavisë, por edhe me gjithë republikat e tjera të federatës. Serbia nuk ka të drejtë sot, që të konsumojë të drejtat e atëhershme si republikë duke pretenduar sot Kosovën. Një zgjidhje e pranueshme për Kosovën do të ishte zgjidhja më e mirë, por nuk duket që kjo të ndodhë. Prandaj komuniteti ndërkombëtar duhet të gjejë një zgjidhje. Mbase modeli gjermano- gjerman mund të ofrojë një pikënisje. Provincat në ish Jugosllavi kanë patur kufinj njësoj si republikat, prandaj mund të arrihet një zgjidhje që nuk ndryshon kufijtë".

Mitet nuk kanë çkërkojnë në politikën e ditës

I pyetu si i vlerëson projektet për rishkrimin e librave të shkollës, Stjepan Mesic thotë: "Kjo është një çështje e konsensusit. Mua do të më bëhej qëjfi nëse kjo ide vihet në jetë. Nëpërmjet saj ne do të vështronim historinë nga pika të ndryshme vrojtimi. Kjo do të ishte e rëndësishme për ne, sepse historia jonë ka shumë mite, që reflektohen në politikën aktuale. Çdo popull ka të drejtë të ketë mitet e veta, serbët, kroatët, gjermanët, danezët. Por mitet nuk duhet të kenë ndikim në politikën e ditës. Për shembull në Serbi ekziston miti i Fushë Kosovës. Ky është një nga mitet, por ai nuk ka ç`kërkon në politikën reale të Serbisë. Unë kam mendimin tim për betejën e Fushë Kosovës, dhe e di që si ngjarje ajo u shkrua në oborrin e Perandorisë Osmane 16 vjetë më vonë. Fëmijët në Serbi tregojnë sot, se pas betejës së Fushë Kosovës, këmbanat e kishave në Paris kumbuan për tre ditë me rradhë.

Lumturia duhet kërkuar brenda kufijve të vendit

Në Serbi duhet kuptuar ajo çka i ka thënë Ataturku turqëve: kërkojeni lumturinë dhe kënaquni brenda kufijve të Turqisë dhe jo jashtë kufijve të saj. Kjo tezë është e nevojshme të thuhet edhe në Serbi, dikush duhet t`ju thotë atë serbëve, që ta kërkojnë lumturinë brenda kufijve të Serbisë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të vazhdojmë të kemi situata të trazuara. Europa e Bashkuara e përjashton luftën si mundësi për të bërë politikë. Pakicat etnike janë ura bashkëpunimi dhe nëse ato nuk do të ekzistonin, atëherë do të duhet t`i krijonim për të bërë lidhjen midis shteteve. Bashkimi Europian i refuzon luftrat territoriale, dhe duke patur parasysh këtë duam edhe ne në rajon të hapim kufijtë, të hapemi ndaj Europës dhe të marrim standartet europiane.


  • Data 22.11.2007
  • Autor aca
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CQSt
  • Data 22.11.2007
  • Autor aca
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CQSt