1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Startim jo i mirë i një projektligji për mbrojtjen e klimës.

LA20 Dhjetor 2007

Rregullorja e parashikuar e komisionit evropian për reduktimin e emetimit të dioksidit të karbonit për automjetet e reja preokupon shtypin gjerman

https://p.dw.com/p/CduJ
Reduktimi i CO2: Industria e makinave para sfidave të rejaFotografi: picture-alliance/ dpa/dpaweb

"Handelsblatt" e Dyseldorfit

"Shefi i komisionit evropian, Jose Manuel Barroso ka nxjerrë në dritë një projektligj, i cili që në daljen në jetë ka shkaktuar kundërshtime të ashpra. Të gjithë komisarët nga vende të rëndësishme të prodhimit te automjeteve kanë reaguar negativisht. Ky është një startim jo edhe aq i mirë për një projektligj për mbrojtjen e klimës. Është e lehtë të llogarisësh si do të veprohet më vonë. Qeveria dhe parlamenti evropian do ta copëtojnë propozimin e Brukselit deri në shfytyrim. Që në fund të kësaj kasaphane do të qëndrojë një zgjidhje e mirë, kjo nuk dihet. Përgjegjës për këtë është taktika e gabuar e Barrosos. Ajo që paraqiti ai dhe komisari i tij për ambientin, Stavros Dimas të bën të dyshosh në mençurinë politike dhe përmbajtësore të tyre.

Ndërsa "Frankfurter Rundschau" trajton marrëdhënien mes Berlinit dhe Brukselit

"Klima mes Berlinit dhe Brukselit është prej vitesh një klimë e ftohtë. Arsyeja: Vlera kufi e dioksidit të karbonit për makinat në Evropë në të ardhmen dhe dënimet për të ashtuquajturat makina "llupës benzine" dhe shkatërruese të ambientit. Qeveria gjermane ndjehet e anashkaluar nga komisioni evropian dhe kalon në anën e industrisë së makinave. Koalicioni i madh po tregon unitet si kurrë më parë. "

Me teorinë dhe praktikën e mbrojtjes së klimës merret "Frankfurter Neue Presse" që kujton:

"Në samitin e klimës në Bali Evropa e vjetër e paraqiti veten si një kontinent për t'u marrë shembull. Ndryshe nga kinezët, amerikanët, dhe indianët, Evropa doli si luftëtare e denjë në luftën kundër ngrohjes së globit. Por vetëm tre ditë më pas Balit, kemi ardhur në realitetin e përditshëm të BE-së. Francezët, italianët, dhe gjermanët bëjnë sherr kur bëhet fjalë për zbatimin praktikm të tezave të ndryshimit të klimës. Kur bëhet fjalë për koston, të gjithë janë ngushtë. Sherri në Bruksel për klimën është si një sinjal paralajmërimi. Lufta për atë se kush do të bëjë çfarë, do të bëhet më e ashpër sepse lufta kundër ndryshimit të klimës është e shtrenjtë."