1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Stanjacioni në Uashington i shqetëson amerikanët

Për herë të parë që prej gati dy dekadash në Shtetet e Bashkuara është e paralizuar një pjesë e jetës publike. Ndërsa punonjësit vrasin mendjen, kur do të marrin rrogën, vendi kërcënohet nga një tjetër shutdown.

Shumëkush nuk e kishte marrë me mend atë, që ndodhi në sekondat e fundit para mesnatës të së martës (01.10.2013). Edhe Presidenti Obama kishte shpresuar deri në fund, se para skadimit të afatit do të arrihej një marrëveshje me Kongresin, për ta shmangur shutdown-in, por më kot.
Në ditët normale në Washington DC të gjithë nxitojnë. Më shumë se 700.000 punonjës publikë kanë vendet e tyre të punës në qytet dhe milionë turistë vizitojnë çdo vit simbolin politik të SHBA. Qeveria është punëdhënësi më i madh në vend, më shumë se dy milionë njerëz punojnë për shtetin. 800.000 prej tyre duhet të marrin tani pushim të detyruar pa pagesë. Vetëm vendet absolutisht të rëndësishme mbeten të zëna me punonjës, me qëllim që vendi të funksionojë.

Të ndërpriten pagat për deputetët

Shumë punonjës, të cilët shkuan për të punuar në Uashington të martën në mëngjes, u desh të ktheheshin përsëri. "Kur erdha këtu, mora vesh se punëdhënësi im është pezullluar për momentin", thotë një punonjës. "Tani po pres që të nisen përsëri trenat dhe të shkoj në shtëpi." Të tjerë nuk shprehën me kaq qetësi. "Edhe atyre ajte lart duhet t'ua presin rrogat. Në qoftë se ne nuk paguhemi, nuk duhet të paguhen as ato."
Vendet kyçe të shërbimeve publike, si shkollat​​, transporti publik, si dhe policia dhe agjencitë e sigurisë nuk janë të prekura nga mbyllja. Ndërsa dhjetëra muze, memorialë dhe madje edhe kopshti zoologjik kombëtar mbeten të mbyllura. Ekonomistët paralajmërojnë se shutdown mund t'i kushtojë vetëm rajonit të Uashingtonit deri në 200 milionë dollarë amerikanë (148 milion euro) në ditë.

Pak mbështetës

Panda im Smithsonian National Zoo Washington

Edhe Panda në Kopështin zoologjik në Uashington aktualisht nuk mund të shihet

Ka arritur një eskalim i ri në luftën për pushtet në Kongresin amerikan gjithsesi të padëshiruar ndërkohë. Anembanë vendit nuk mund ta kuptojnë, se si përfaqësuesit e zgjedhur të popullit nuk mund të ulen së bashku dhe të arrijnë një marrëveshje.
Sipas një sondazhi të stacionit televiziv CNN, 70 për qind e amerikanëve mendojnë se nuk është mirë, në qoftë se pjesë të tëra të shërbimit publik mbeten të paralizuara qoftë edhe për disa ditë. Vëzhgues të jetës politike në Uashington druhen se klima politike është ndërkohë aq e helmuar, saqë edhe propozimet e thjeshta legjislative instrumentalizohen, për të dëmtuar kundërshtarët politikë.

Për Travis Culliton, një drejtues sektori në Forcën Ajrore të SHBA, shutdown është një tjetër shenjë se deputetët kanë pushuar që ta kenë mendjen tek njerëzit, të cilët i kanë zgjedhur. "Unë mendoj se vetëm shumë pak prej deputetëve tanë dëgjojnë se çfarë ka për të thënë popullata", thotë 41-vjeçar.

Si i vetmi pjesëtar i familjes në marrëdhënie pune, Culliton thotë se ashtu si dhe si shumë të tjerë, ai ka probleme për të përballuar shkurtimet e mëdha të buxhetit, të cilat kanë prekur prej muajsh institucionet federale. Ai thotë se shutdown është si një shqelm kundër dikujt, që ndodhet i shtrirë në tokë. "Familja ime jeton nga paga e një dite në tjetrën dhe ne duhet të llogarisim me shumë ekonomi. Shkurtimet e detyruara na kanë shkatërruar. Unë sapo kam filluar të paguaj faturat e prapambetura. Shtëpia jonë është e rrezikuar të nxirret në ankand, nëse unë këtë vit nuk paguhem me pagën time të plotë."

Pa perspektivë për përmirësime

USA Haushaltskrise Shutdown Museum

Shutdown - Muzeum në Uashington

Culliton bën përgjegjës republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve. Ata i mbajnë peng familjet e shtresës së mesme për të ndaluar reformën shëndetësore të Obamës. Sondazhet tregojnë se gati 70 për qind e amerikanëve kanë këtë mendim. "Republikanët janë përpjekur t'i bëjnë shantazh Kongresit dhe Shteteve të Bashkuara për të tërhequr një ligj, të cilin ata nuk mund ta ndalojnë në mënyrë të rregullt”, thotë një avokat, i cili ndodhet rrugës duke shkuar në punë në Uashington

Sipas Jacob Kierkegaard, një nga studjuesit kryesorë të Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, situata do të përkeqësohet, para se të marrë një kthesë pozitive. Ai konstaton se krahu republikan i drejtuar nga senatori nga Teksasi, Ted Cruz, i ashtuquajtur Tea Party e ka vënë pothuajse nën kontroll partinë republikane. Anëtarët e Tea Party, thotë ai, nuk do të bien në qetësi, para se "Obamacare", e ashtuquajtura reformë e shëndetësisë, të tërhiqet.

Debati vendimtar për kufirin e borxhit

Analistët e drejtojnë vëmendjen në matjen e ardhshme të forcave në Uashington, debatin mbi tavanin e borxhit, që rrezikon të ketë pasoja të mëtejshme. Meqë demokratët dhe republikanët bien me shpejtësi nga një krizë në tjetrën, amerikanët ndoshta duhet të mësohen me beteja të tjera mes kampeve politike.
Por pasojat, që kërcënojnë, në qoftë se nuk arrihet marrëveshja për të rritur kufirin e borxhit, janë aq serioze, saqë të dyja palët ndoshta do të kthehen në tryezën e bisedimeve. Kufiri i deritanishëm i borxhit do të arrihet me 17 tetor. Që atëherë e tutje SHBA-të do të jenë të paafta të paguajnë. Prandaj presioni mbi politikanët rritet nga dita në ditë. "Ky është me të vërtetë faktori kyç këtu", thotë Kirkegaard. "Në fund të fundit ky do të jetë shkaku, që të kërkohet zgjidhja me bisedime.”