1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Stamboll: një atentatore vetëvrasëse vret edhe një polic

Një atentatore vetëvrasëse e ka hedhur veten në një stacion policie në Stamboll, duke vrarë një polic. Stacioni i policisë ndodhet në lagjen Sultanahmet, ku çdo ditë mijëra turistë vizitojnë Hagia Sofian dhe Xhaminë Blu.

Një polic në Turqi vdiq nga plagët e rënda që mori, kur një grua atentatore vetëvrasëse e hodhi veten në erë. Agjencia turke e lajmeve Anadolu tha se polici vdiq në mbrëmje. Guvernatori i Stambollit, Vasip Sahin tha se një polic tjetër u plagos lehtë në shpërthimin që ndodhi para një stacioni të policisë së turistëve.

Sipas medieve turke, atentatorja kishte folur anglisht. Ajo u pati thënë policëve se e kishte harruar brenda në stacion portofolin, përpara se ta hidhte veten në erë. Në lagjen Sultanahmet ndodhen Haga Sofia e famshme, Xhamia Blu dhe Cisterna Basilika, të cilat bëjnë pjesë në magnetet më të mëdha për turistët në metropolin e Bosforit. Policia e rrethoi zonën rreth vendit të ngjarjes, transporti publik i distancave të shkurta u ndërpre për një periudhë kohe.

Radikalë të majtë apo luftëtarë të IS?

Deri tani përgjegjësinë për aktin nuk e ka marrë asnjë grupim. Javën e kaluar, një burrë hodhi në Stamboll një granatë ndaj një polici. Përgjegjësinë për këtë akt e mor grupi radikal i majtë DHKP-C. Ky grup ndërmori një atentat vetëvrasës edhe vitin e kaluar kundër Ambasadës së SHBA në Ankara.

Po edhe mbështetës të milicisë radikale islamike "Shteti Islamik" (IS) përfaqësojnë një rrezik. Disa luftëtarë të IS-it kanë depërtuar nga Turqia në shtetet fqinje Siri dhe Irak, ku prej disa muajsh i kanë vendosur këto rajone nën kontroll. Tani po shtohen shqetësimet se luftëtarët e IS mund të kthehen në Turqi dhe të ushtrojnë aty atentate.