1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Stabilizimi i Ballkanit Perëndimor parakusht vendimtar për ecje përpara"

Në takimin e Kosovë-Serbi që zhvillohet në Bruksel marrin pjesë presidentët dhe kryeministrat e të dyja vendeve. Ky është takimi i dytë i nivelit të lartë Kosovë-Serbi brenda një jave.

Udhëheqësit më të lartë politik të Kosovës dhe Serbisë, takohen të mërkurën (01.02) në Bruksel në përpjekje për të ulur tensionet dhe për të garantuar siç thuhet "zbatimin e marrëveshjeve të arritura nga dialogu”. Në takimin që zhvillohet me ftesë të shefes së diplomacisë evropiane Federika Mogherini, marrin pjesë Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Tomisllav Nokoliq, të shoqëruar nga dy kryeministrat, Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiq. Ky takim i nivelit të lartë Kosovë-Serbi është takimi i dytë brenda një jave, pas një periudhe tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Para nisjes për në Bruksel, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha për mediet në Prishtinë se ai "pret që tensionet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ulen edhe më shumë dhe të vazhdojë dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”.

Nga ana tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha në Beograd, se "pret që vazhdimi i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të kalojë në bisedime esëll dhe se të gjithë do të marrin vesh se stabilizimi i Ballkanit Perëndimor është parakusht vendimtar për ecje përpara”, shkruan agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Në takimin e së mërkurës që do të zhvillohet vonë në mbrëmje, delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit do të bisedojnë për marrëveshjet që kanë ngecur pa u zbatuar: marrëveshja për drejtësinë, e cila duhej të fillonte të zbatohej më 15 janar, marrëveshja për transmisionin energjetik (KOST) dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Tensionet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit u ngritën pas arrestimit nga policia franceze e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, bazuar në një flet-arrest të Serbisë, ndërtimit nga serbët lokal të një muri në veri të Mitrovicës dhe tentimit të Serbisë që ta fus një tren në Kosovë, me mbishkrimin”Kosova është Serbi”, por që u ndalua në kufi nga autoritet e Prishtinës.

Shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini, më 24 janar, mblodhi në zyrën e saj në Bruksel krerët më të lartë të Kosovës dhe Serbisë dhe u kërkoi atyre që të ulin tensionet dhe të shmangin deklaratat nxitëse. Ndërkohë, krerët e të dyja vendeve Kosovës dhe Serbisë, thanë se janë pajtuar të ulin tensionet dhe të vazhdojnë dialogun.

Në Prishtinë, Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa, në këtë fazë po përballen me kërkesën e opozitës për kushtëzim të Serbisë në dialog, përderisa siç thonë, Serbia nuk zbaton në tërësi marrëveshjet e arritura. Kuvendi i Kosovës dy javë më parë nxori një rezolutë, e cila a ngarkon qeverinë e Kosovës që ta rrënojë murin ndarës në urën mbi lumin Ibër, më së largu deri më datën 31 janar. Kjo nuk ndodhi dhe partitë politike opozitare janë mbledhur (01.02) për të diskutuar hapat e mëtejshëm.

Inicuesi i rezolutës, Pal Lekaj, shef i grupit parlamentar të AAK-së, tha para takimit se "qeveria nuk po gjen kohë të rrënojë murin, kurse pa hezitim po shkon në Bruksel për t'ua shtrirë dorën atyre që e kanë ndërtuar murin”. Kjo sipas Pal Lekajt është e papranueshme.

Kosova dhe Serbia më 19 prill të vitit 2013, nënshkruan marrëveshje dy palëshe për normalizimin e marrëdhënieve. Që nga ajo kohë, janë nënshkruar një sërë marrëveshjes, por disa prej tyre ende nuk janë zbatuar. Ndër marrëveshjet më të rëndësishme, por që ende nuk ka nsiur të vihet në jetë, është krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.