1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sqarimi i rastit të NSU-së duhet të vazhdojë!

Marcel Fürstenau 23 Gusht 2013

Komisioni hetimor i parlamentit gjerman për çështjen e "ilegalitetit nacionalsocialist" dorëzoi raportin përfundimar. Ai ka bërë shumë punë, tani është detyra e politikës dhe shoqërisë civile, që të zbatojë rekomandimet.

https://p.dw.com/p/19V2H

Tre ekstremistë të djathtë zhduken pa lënë gjurmë në fund të viteve 1990, megjithë vëzhgimin intensiv të Mbrojtjes Kushtetuese. Ndërsa ata jetojnë në ilegalitet, ndodh një seri vrasjesh misterioze. Nëntë burra me prejardhje të huaj vriten me të shtëna të së njëjtës armë. Në nëntor të vitit 2011 policia i gjen të vdekur dy meshkujt e treshes së ekstremistëve të djathtë. Ata kishin kryer vetëvrasje, për t'i shpëtuar arrestimit. Shoqja e tyre e idealit i dorëzohet policisë pas një arratisjeje të shkurtër.

Në vitet e mëparshme dyshohej se vrasësit e nëntë burrave me origjinë turke dhe greke vinin nga qarqet e krimit të organizuar. Dyshimi bie sidomos tek familjarët e viktimave. Mafia, droga, pastrimi i parave –rreth këtyre koncepteve vërtiten hetimet. Për motive raciste as që u shkon mendja hetuesve. Kush flet për to, nuk merret seriozisht. Në vend të kësaj një komision i posaçëm merr emrin "Bosfori". Në këtë klimë vrasësit e krahut të djathtë ekstremist, e kishin të lehtë të lëviznin në vend duke kryer vrasje.

Asnjë ndihmës i NSU-së në zyrat e qeverisë

Kur trioja terroriste me emrin si të thuash programatik "Ilegaliteti nacionalsocialist" (NSU) zbulohet rastësisht, befasimi është i madh. Që parlamenti gjerman në fillim të vitit 2012 aprovon me miratimin e të gjitha partive krijimin e një komisioni hetimor, është inkurajuese dhe imediate. Sepse informacionet qysh në këtë fazë të hershme janë sa të qarta aq edhe të frikshme: Organet e sigurisë kishin dështuar në mënyrë të llahtarshme. Eshtë meritë e hetuesve parlamentarë, që kanë pyetur me durim një vit e gjysëm dhe kanë sqaruar deri diku arsyet e këtij dështimi.

Që ata shpesh hasin në pengesa duke studiuar dokumentet dhe pyetur dëshmitarët, dëshmon shumë për shefat e autoriteteve dhe politikanët. Kur pyetjet mbeten pa përgjigje, sepse nxirret si argument mbrojtja e burimit të agjentëve të fshehtë, apo asgjesohen dosjet e shërbimeve sekrete me referenca të mundshme për NSU, detyrimisht të vjen dyshimi për mbulim të qëllimshëm. Prandaj është qetësuese që deputetë nga të gjitha grupet parlamentare e përjashtojnë njëzëri mundësinë që në radhët e policisë apo të mbrojtjes kushtetuese të ketë patur mbështetës së NSU-së.

Në foto, Marcel Fürstenau
Në foto, Marcel FürstenauFotografi: DW

Komisioni i NSU-së flet qartë

Megjithatë është e drejtë dhe e rëndësishme, që në përfundim të dëgjosh nga kryetari i komisionit hetimor, se seria e vrasjeve të NSU ka qenë një "dështim historikisht i paparë i autoriteteve”. Akoma më e rëndësishme është që ky organ i jep politikës dhe shoqërisë rekomandime konkrete, se çfarë mësimesh mund të nxirren nga katastrofa e NSU-së. Hapat e parë kanë nisur. Kështu tani ekziston një skedar qendror për ekstremizmin e djathtë dhe një qendër e përbashkët për luftën kundër terrorit në këtë fushë të kriminalitetit për motive raciste.


Mbrojtja e Kushtetutës do të duhet të reformohet rrënjësisht. Që kjo kërkesë e komisionit hetimor për NSU të mos lihet në harresë, në rast nevoje për këtë duhet të kujdeset opinioni publik, nëse politika i shmanget përgjegjësisë. Sherbimi sekret brenda vendit i shumëpërfolur me të drejtë, si pasojë e paaftësisë së tij, duhet të jetë mirënjohës, që kërkesa e të Majtëve për ta abroguar atë, nuk mbështetet nga shumica.

Racizmi i përditshëm është kudo

Përveç reformave thelbësore të autoriteteve Gjermania duhet të konfrontohet më në fund bindshëm me racizmin e përditshëm. Kjo nënkupton pranimin se ai është i përhapur në të gjitha shtresat dhe mosneglizhimin e tij si një dukuri margjinale. Prej shumë vitesh ka studime serioze në lidhje me shkallën e diskriminimit jo vetëm në zyrat e qeverisë, por edhe në shkolla, sheshe sportive, në punë.

Këtë fushë të gjerë komisioni për shkak të arsyeve kohore e ka trajtuar vetëm kalimthi. Vullnetin e tij të mirë ai dokumentoi duke kërkuar këshilla nga disa ekspertë. Avokatja e Popullit e qeverisë gjermane për anëtarët e familjeve të viktimave të NSU-së, Barbara John, ishte e ftuar në fillim dhe në përfundim të dëgjimeve publike në komisionin hetimor. Kritikat dhe sugjerimet e saj kanë gjetur pasqyrim në raportin përfundimtar.

Kërkohet kujdes edhe nga gazetarët

Kur pas zgjedhjeve me 22 shtator të jetë mbledhur parlamenti të ri, shpresojmë se deputetët do ta kuptojnë, se ekstremizmit të djathtë dhe racizmit duhet t'i kushtohet vemendja e nevojshme dhe kjo të bëhet evidente. Por megjithë pyetjet e shumta të mbetura të pasqarua nuk është patjetër nevoja e ngritjes së një komisioni tjetër hetimor. Mund të krijohej një komision për ndihmë juridike, në të cilin kjo tematikë komplekse të trajtohet nga deputetë dhe ekspertë.

Në qoftë se qeveria financon me bindje dhe më mënyrë permanente iniciativat kundër ekstremizmit të djathtë dhe jo vetëm në kuadër të projekteve, ky do të ishte një tjetër sinjal i rëndësishëm. Dhe në fund edhe ne mediet duhet të kemi kujdes të mos forcojmë stereotipet dhe paragjykimet. Kanë qenë gazetarë ata, që ngulitën termin "vrasjet dëner" për vrasjet e NSU-së.