1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sqarimi i fatit të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë në interes të të gjithëve

Reagime nga Kosova pas njoftimeve në BBC dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese BIRN

E ashtuquajtura shtëpi e verdhë në fshatin Gurrë pranë Burrelit, për të cilin flet në librin e saj Gjuetia ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Karla Del Ponte.

E ashtuquajtura "shtëpi e verdhë" në fshatin Gurrë pranë Burrelit, për të cilin flet në librin e saj "Gjuetia" ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Karla Del Ponte.

Shërbimi boteror i BBC-së dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese "BIRN" janë shprehur në disa shkrime për ekzistencën e burgjeve dhe kampeve të UCK-së, ku gjatë luftës janë keqtrajtuar burgosur, madje dhe vrarë civilë. Hulutimi i tyre kishte shkas pohimet në librin e fundit të ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Karla Del Ponte, e cila shkruante se në Burrel të Shqipërisë, janë mbajtur civilë serbë të sjellë aty nga UÇK-ja, janë vrarë dhe më pas u janë hequr organet për trafikim. Njëri nga ish-udhëheqësit e ish-UÇK-së, Xhavit Haliti, e mohon ekzistencën e kampeve të kësaj ushtrie dhe thotë se do ishte mirë sikur institucionet e Kosovës të kishin mundësi për të ndihmuar për ndriçimin e fatit të të gjithë atyre që kanë pësuar gjatë luftës së fundit. "Jam i bindur se institucionet e Kosovës edhe ato të Shqipërisë duhet të bashkëpunojnë me gjykatat ndërkombëtare, duhet që maksimalisht të përpiqen me i zgjidhë këto probleme, sepse është në interesin e Kosovës, është në interesin e qytetarëve të Kosovës, dhe në këtë rast po them jo vetëm të shqiptarëve, por edhe në interesin e qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë sepse ne bashkë me ta duhet të punojmë dhe duhet të jetojmë këtu," - thotë Haliti.


Aktivistë që angazhohen për të drejtat e njeriut thonë se vrasja e civilëve gjatë luftës cilësohet një ndër krimet më të rënda, të cilat duhen dënuar. Behxhet Shala, i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Prishtinë thotë: "Ndëshkimi i krimit dhe dënimi i kriminelëve mund të jetë si një udhëzues për një të ardhme normale. Pa ndëshkimin e krimit nuk ka mundësi të normalizohet situata politike e as e sigurisë dhe nuk ka mundësi të ketë afrim ndërmjet dy popujve. Po ashtu pa ndëshkimin e krimit nuk mund të ketë kthim të serbëve të zhvendosur në Kosovë e as kthim të shqiptarëve në veri të Kosovës. Pra dënimi i krimit është parakusht për ndërtimin e një shoqërie normale."


Në fund të muajit të shkuar në faqen zyrtare të prokurorisë serbe shkruhej se një dosje e hartuar rreth rastit të Burrelit në Shqipëri nga prokurorë serbë në Beograd, u është dorëzuar zyrtarëve të Misionit EULEX. Përgjegjësi për çështje të drejtësisë në këtë mission, Alberto Perduca, nuk ka pranuar të flasë me hollësi, nëse një dosje e tillë është apo jo në duart e këtij misioni. Mirëpo ai thotë se krimet e luftës janë në përgjegjësi të misionit të tij. "Ajo që mund të konfirmoj është se prokurorët e EULEX-it e marrin seriozisht çdo çështje që lidhet me krime të rënda. Natyrisht ne e marrim me seriozitet nevojën e bashkëpunimit me çfarëdo autoriteti që mund t'i ndihmojë prokurorët tanë në përmbushjen e mandatit të tyre. Më shumë se kaq nuk mund të them," - thotë Alberto Preduca.


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë ka të dhëna për civilët e vrarë gjatë luftës në Kosovë nga periudha një janar 1998 deri në hyrjen e forcave të NATO-s më 12 qeshor 1999. Sipas kësaj organizate gjatë luftës janë vrarë 297 serbë dhe janë zhdukur diku afër 400 të tjerë. Ndërsa tek shqiptarët sipas kësaj organizate llogariten rreth 1500 të zhdukur, ndërsa janë vrarë 8509 civilë.

  • Data 10.04.2009
  • Autor Bekim Shehu/Prishtinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HUOe
  • Data 10.04.2009
  • Autor Bekim Shehu/Prishtinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HUOe