1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Sport për përmirësimin e imazhit

Shtetet autokratike preferojnë organizimin e evenimenteve të mëdha sportive me shpresë që të përmirësojnë imazhin e tyre.

Ceremoni pompoze të hapjes, stadiume moderne, njerëz që brohorasin dhe yje botërore në garë - me Lojërat Olimpike dhe turnetë ndërkombëtare të futbollit mund të bësh reklamë të mirë për vendin. Veprimtaritë gjallërojnë turizmin dhe jo rrallë politikanë të nivelit të lartë nderojnë me vizitën e tyre vendet organizatore.

Pikërisht këtë e kanë kuptuar shtetet, të cilat konkurrojnë për të fituar shortin si vende organizatore të veprimtarive të tilla sportive - këtë e bëjnë edhe vendet që drejtohen në mënyrë autokratike. "Për sundimtarët autokratë organizimi i eventeve të tilla në vendin e tyre do të thotë përmirësim i imazhit", nënvizon Wenzel Michalski, shef i organizatës joqeveritare "Human Rights Watch" në Gjermani. Kampionati Evropian dhe të tjera evente të ngjashme i përmbushin qëllimet e propagandës, mendon Michalski: Botës dhe popullit duhet t'i tregohet, se vendi nuk është aq i zymtë, sa e paraqesin atë kundërshtarët, që atje ka jetë të larmishme dhe njerëz të gëzuar dhe se e gjithë bota vjen për ta nderuar qeverinë. "Popullit i ofrohen ndeshjet, në mënyrë që ai të mos guxojë të ngrejë krye."

Diktatorë të entuziazmuar nga sporti

Që veprimtaritë e mëdha zhvillohen në vendet me drejtim autokratik, kjo nuk është dukuri e re. Ansgar Molzberger, historian sporti në shkollën e lartë të sportit në Këln, kujton Lojërat Olimpike të vitit 1968 në Meksiko, të cilave u kishte paraprirë mposhtja e përgjakshme e protestave studentore. Por historia thekson veçanërisht një ngjarje: "Lojërat Olimpike në Berlin në vitin 1936 janë një shembull lapidar: Diktatura nacionalsocialiste atëherë e shfrytëzoi këtë ngjarje sportive për të shkëputur vëmendjen nga realiteti gjerman." Molzberger tërheq vëmendjen, se vendet e Kampionatit Evropian, që po zhvillohet sot, janë përcaktuar qysh në vitin 2007, kur Ukraina ende ishte nën drejtimin e Viktor Jushçenkos dhe Julia Timoshenkos, periudhë kjo kur vendi ishte në frymën e reformimit dhe në rrugën drejt BE-së.

Deutschland NS-Zeit Bauten in Berlin Olympiastadion

Stadiumi Olimpik i Berlinit ndërtuar nga nacionalsocialistët për Lojërat Olimpike 1936

Kritere të rëndësishme në dhënien e shorteve për të tilla veprimtari të mëdha sportive janë nga njëra anë që mundësisht sa më shumë vende të përfshihen në këto procese dhe që vendi përkatës të jetë në gjendje ta përballojë një sfidë të tillë, sqaron Molzberger. Në këtë mënyrë duhet të garantohet që në vendin përkatës të ketë mjaftueshëm stadiume dhe infrastrukturë të mirë. Por procesi i votimit brenda Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, ICO, si dhe brenda shoqatave të futbollit FIFA dhe UEFA është mjaft kompleks dhe i pakontrollueshëm. Rëndom qarkullojnë fjalë për vota të blera, por këto fjalë nuk mund të vërtetohen me prova.

Edhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut e marrin fjalën

IOC dhe FIFA shpesh herë e argumentojnë dhënien e votës për evenimentet sportive në vendet autokratike me faktin, se sporti ndërton ura dhe kësisoj indirekt mund të ndikojë në përmirësimin e të drejtave të njeriut në vendin përkatës. Madje edhe vetë mbrojtësit e të drejtave të njeriut si Wenzel Michalski nga "Human Right Watch", venë në dukje efektet e mundshme pozitive të të tilla evenimenteve. "Veprimtaritë e mëdha ndihmojnë që organizatat joqeveritare dhe politikanët kritikë ndërkombëtarë të tërheqin vëmendjen në raste të tilla ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut, për të cilat zakonisht nuk flitet dhe nuk u kushtohet sa duhet vëmendje." Kjo mund të bëjë edhe që të huajt ta rrisin presionin ndaj këtyre qeverive.

Olympia 2008 Olympiastadion in Peking bei Nacht

Stadiumi Olimpik i Pekinit ndërtuar për Lojërat Olimpike 2008

Faktikisht Lojërat Olimpike në Pekin në radhë të parë i krijuan mundësi opozitës që të ketë një skenë, ku mund të shprehte shqetësimet e saj - ngjashëm si edhe aktualisht në Ukrainë në kuadër të Kamionatit Evropian të Futbollit. Fotografitë e murgjve tibetianë duke protestuar, apo fotografitë e Julia Timoshenkos së sëmurë, dëshmojnë për këtë. Këto imazhe nguliten më fort në kujtesën e opinionit ndërkombëtar se sa imazhet e qeverisë në fjalë. Prania e opozitës në media megjithatë nuk ndihmon në demokratizimin e vendit.

Në të shumtën e rasteve këto veprimtari nuk ndryshojnë asgjë

Një përjashtim ka qenë Koreja e Jugut: "Për shembullin e Seulit është dëshmuar, që qysh nga dhënia e votës në vitin 1981 e deri në organizimin e Lojërave Olimpike ka pasur një proces demokratizimi në Korëne e Jugut", shpjegon historiani i sportit Ansgar Molzberger. Syri vigjilent i opinionit ndërkombëtar që u drejtua në këtë vend, ishte një faktor i rëndësishëm për këtë zhvillim. Por krejt e kundërta është përvoja me Pekinin në vitin 2008, me Berlinin në vitin 1936, apo me Kampionatin Botëror të Futbollit në 1978 në Argjentinë.

Për Wenzel Michalski këto evenimente në shumicën e rasteve nuk kanë influencuar për ndryshime rrënjësore, sepse me largimin e sportistëve janë larguar edhe kamerat. Megjithatë vlen të theksohet, se ndonjëherë ka pasur edhe efekte të shkurtëra apo afatmesme, kur p.sh. nën presionin ndërkombëtar janë liruar të burgosur politikë. Ndërsa asnjëherë nuk ka dallë llogaria e sundimtarëve autoritarë, se mund të përmirësohet imazhi i qeverisë së tyre përmes evenimenteve sportive.