1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Spiunime nga Londra në Berlin

Ambasadori britanik në Berlin thirret në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Britania e Madhe është nëna e gjithë veprimtarisë së shërbimeve të fshehta. Të paktën kështu na kanë mësuar Ian Fleming, John Le Carre etj, shkrimtarë britanikë që kanë krijuar në tregimet e romanet e tyre histori spiunësh mjeshtërorë gjatë kohës së Luftës së Ftohtë. Tani në Berlin duket se historitë me agjentë po kthehen në realitet.

Bazuar në dokumentet e Edward Snowden gazeta britanike "The Independent" botoi një artikull me titull "Britain's secret listening post in the heart of Berlin". Në raport thuhet se në çatinë e Ambasadës Britanike në Berlin ka një stacion përgjimi. Dokumentet e publikuara muajt e fundit lidhur me NSA "të kombinuara me fotografi ajrore dhe hetimet për aktivitetet e mëparshme të përgjimit në Gjermani", të bëjnë të mendosh se "Britania e Madhe ka një stacion përgjimi" në lagjen ku gjendet qeveria gjermane në Berlin. Ambasadori britanik u thirr sot në Ministrinë e Jashtme.

Ambasada britanike në Berlin

Ambasada britanike në Berlin

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha se ambasadori Simon McDonald qe ftuar me kërkesën e ministrit të Jashtëm Guido Westerwelle (FDP) për një bisedë në ministri. Ministria vuri në dukje se "përgjimi i komunikacionit nga mjediset e një misioni diplomatik bie ndesh me aktet ndërkombëtare."

Zyrtarë të qeverisë donin të ndalonin pjesë të raportit

Duncan Campbell është një nga gazetarët që kanë punuar për artikullin e gazetës "The Independent". Ai thotë se SHBA dhe Britania e Madhe punojnë ngushtë së bashku. "Ata janë në një krevat me njëri-tjetrin," tha Campbell në intervistë për DW.

Gazetari raporton prej rreth 40 vjetësh në lidhje me veprimtarinë e shërbimeve sekrete dhe në vitin 1970 shërbimi sekret britanik GCHQ gati sa nuk e futi në burg. Kjo është arsyeja pse ai nuk u trondit shumë kur pas botimit të artikullit në gazetën "Independent" në redaksi erdhi dikush për vizitë. "Në mbrëmje vonë erdhi një përfaqësues i qeverisë dhe foli me një koleg, i cili kishte turnin e natës. "Nëpunësi kërkoi që nga artikulli të hiqeshin disa detaje, të cilat, sipas Campbell, kishin kohë që nuk ishin më sekret.

Jo ndonjë surprizë e madhe

Jan Philipp Albrecht,

Jan Philipp Albrecht,

Jan Philipp Albrecht, euro-deputet i Partisë Ekologjike dhe anëtar i Komitetit për Liritë Civile dhe Drejtësinë, thotë se pas atyre që janë dëgjuar deri tani për NSA nuk është shumë i çuditur, që edhe Londra është e interesuar se çfarë ndodh në Berlin. "Ne duhet të flasim tani, se çfarë pasojash duhen nxjerrë nga ajo aferë."

Fakti që britanikët ndoshta kanë përdëgjuar nëpërmjet pajisjeve të përgjimit të vendosura mbi çatinë e ambasadës së tyre politikanët gjermanë, është sipas Albrecht një prerje më e madhe në besë se të njëjtat veprime të amerikanëve. "S'ka kuptim që një shtet evropian si Britania të kryejë spiunazh në shtetet e tjera të BE," - tha Albrecht në intervistë për DW.