1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Spiun i shërbimit sekret gjerman në Bundestag

Sektori i Berlinit, të Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (Shërbimit të brendshëm informativ gjerman) ka patur për vite me radhë një njeri të vetin në Parlamentin gjerman, Bundestag.

Stenografi në parlament

Stenografi në parlament

Shërbimi sekret gjerman ka punuar së bashku me një referent të një deputeti socialdemokrat të Parlamentit. Sipas gazetës "Berliner Zeitung", deputeti ka qenë në dijeni për aktivitetin tjetër të punonjësit të tij.

Rasti është shumë delikat. Për vite me radhe, Sektori i Berlinit, të Zyrës federale për mbrojtjen e kushtetutës (Shërbimit të brendshëm informativ gjerman) ka punuar së bashku me një referent të një deputeti socialdemokrat të Parlamentit. Spiuni ka patur mundësi që të shtijë në dorë edhe dokumenta sekrete të Komisionit për Mbrojtjen të Parlamentit, njoftoi ditën e martë "Berliner Zeitung". Bashkëpunëtori shkencor i ish deputetit socialdemokrat nga Saksonia, Andreas Weigel, ka pasur një kontratë pune edhe më shërbimin informativ dhe ka kryer për ta detyrat e ngarkuara.

Socialdemokrati Andreas Weigel.

Socialdemokrati Andreas Weigel.


Deputeti ka patur dijeni por nuk ka treguar

Bashkëpunimi ka zgjatur nga viti 2003 deri në vitin 2005. Burime konkrete nga ka marrë informacionin, gazeta nuk ka bërë të ditura. Zyra për mbrojtjen e Kushtetutës (Shërbimit të brendshëm informativ të vendit) nuk donte të fliste për rastin në fjalë. Por, sipas informacioneve të gazetës ish deputeti Weigel, ka pranuar se ka pasur dijeni për funksionin e dyfishtë të punonjësit të tij. Megjithatë nuk ia ka bërë këtë të ditur shefit të fraksionit dhe administratës së parlamentit. "Ai më ka ndihmuar shumë në punën time, përgatiste për mua fjalimet dhe bënte kërkime informacionesh," thotë Weigel duke vlerësuar punën e ish referentit të tij. Weigel ka qëndruar si politikan i socialdemokratëve në Parlamentin gjerman nga viti 2002 deri në vitin 2009.

Delikat është rasti edhe sepse Weigel ka qenë edhe anëtar i Komisionit për Mbrojtjen të parlamentit. Prandaj punonjësi i tij ka patur mundësi të shohë edhe dekumente sekrete të këtij organi, thuhet në artikullin e gazetës. Weigel mbahet si ekspert i luftës kundër islamizmit dhe terrorizmit dhe ka marrë pjesë edhe në Konferencën e Sigurisë të Mynihut. Ai tha për gazetën se Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës (Shërbimi informativ i brendshëm) i ka thënë se është i detyruar që të mos flasë. Ata kanë qenë të interesuar "për dijet e mia metodike në studimin e terrorizmit".

Sektori i Berlinit, Zyra federale për mbrojtjen e kushtetutës (Shërbimi i brendshëm informativ gjerman).

Sektori i Berlinit, Zyra federale për mbrojtjen e kushtetutës (Shërbimi i brendshëm informativ gjerman).

Sipas gazetës, shefi i seksionit që merret me ekstremizmin në Zyrën për Mbrojtjen e Kushtetutës, seksioni i Berlinit i ka kërkuar personalisht bashkëpunim referentit. Ai ka qenë në dijeni për punën e tij në Parlament.

Ströbele paralajmëron për dëmtim të besimit

Deputetët e vlerësojnë rastin si problematik. Parlamentari i partisë ekologjike Christian Ströbele tha se në këtë mënyrë "mund të krijohet një dëmtim i madh i besimit", nëse qytetarët mendojnë se ekziston mundësia që një punonjës i shërbimeve sekrete mund të ndodhet në zyrën e një parlamentari.

Edhe ekspertët e shohin këtë rast me sy kritikë. "Si Zyra për mbrojtjen e Kushtetutës, ashtu edhe BND (Shërbimi informativ federal) ashtu edhe MAD (Shërbimi informativ ushtarak) kanë si praktikë që të mos kërkojnë burime informacioni në parlament, thotë për gazetën një ekspert i lartë për çështjet e sigurisë. "Dëmet që krijohen kur zbulohen raste të tilla tregojnë se nuk ia vlen të përdorësh këto metoda."

Edhe Zyra për mbrojtjen e Kushtetutës pranoi se i vlerëson në parim si të papërshtatshme aktivitetet paralele, shkruan gazeta.

Autor: Der Spiegel/ Aida Cama

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 24.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mac0
  • Data 24.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mac0