1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Spitalet publike në Shqipëri - Nga varësia prej shtetit dhe korrupsioni në entitete publike, autonome dhe jofitimprurëse

Reforma e planifikuar në sistemin e shëndetësisë në Shqipëri jep shpresa për ndryshimin e situatës 20 vjeçare të karakterizuar nga abuzimet dhe korrupsioni.

default

Holger Thies, ekspert gjerman për sigurimet shëndetësore, konsulent pranë ISKSH-së në Tiranë

Shërbimet spitalore ofrohen falas, gratis por në praktikën e përditshme spitalet publike janë përdorur si struktura private. Qytetarët duhet të paguajnë para nën dorë për çdo kontroll, trajtim mjekësor apo ndërhyrje kirurgjikale. Sondazhet e organizatave lokale dhe ndërkombëtare e nxjerrin sektorin e shërbimeve spitalore me nivel të lartë korrupsioni. Por tani reformimi i këtij sektori si pjesë e reformës në shëndetësi jep shpresa për ndryshim të kësaj situate, pothuaj 20 vjeçare.


Aktori kyç i këtij transformimi është Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Ky institut do të paguajë apo blejë të gjitha shërbimet spitalore, do tu japë rrogën stafit të mjekëve dhe infermierëve dhe do të blejë medikamentet e nevojshme. Të gjitha këto me mjë shumë prej 200 milionë eurosh për vitin 2009. Prej tyre 100 milionë vijnë nga buxheti i shtetit, 50 milionë nga kontributet e rreth 600 mijë të siguruarve në Shqipëri, kurse 50 milionët e tjera jepen po nga shteti për ilaçet dhe medikamentet e rimbursueshme, që përmban lista e miratuar nga strukturat përkatëse.


Holger Thies është specialist gjerman, këshilltar në Drejtorinë e Përgjithshme të Institutit të Sigurimve të kujdesit Shëndetësor. I diplomuar në Magdeburg/Gjermani për ekonomi në fushën e shëndetësisë dhe i ardhur në Shqipqri nga CIM, Qendra Ndërkombëtare për Migracion dhe Zhvillim, ai sjell në Tiranë përvojat e fituara në atdheun e tij dhe në vende të tjera të Evropës Jug- Lindore në sektorin e reformave në shëndetësi. “Kjo reformë ka dy drejtime kryesore . Njëri është integrimi i shërbimeve që ofrojnë spitalet publike në skemën e sigurimeve të shëndetit publik. Drejtimi tjetër është që spitalet të kthehen në entitete autonome, publike, jofitimprurëse. ", thotë Holger Thies


Standarte të njëjta shërbimesh për qytetarin në çdo spital publik


Integrimi i shërbimeve, sqaron Holger Thies, presupozon standartizimin e shërbimeve në çdo spital. Kjo do të thotë që çdo qytetar, i siguruar ose jo, të marrë të njëjtin shërbim në çdo spital dhe njëkohësisht të shkojë në atë spital, që i ofron kurimin dhe egzaminimin që i nevojitet. Ky proces i jep fund situatës së deritanishme ku çdo spital punon me standardet e veta.


Pjesë e reformës është përcaktimi i qartë i strukturës së spitaleve publike. "Struktura e spitaleve publike do të jetë në tri nivele të qarta: fillestari do të jetë spitali i qytetit me një standard të caktuar shërbimesh, i dyti është spitali i rajonit që ka një nivel të mesëm, të mirë shërbimesh dhe i treti , më i larti, maksimali në shumëllojshmëri dhe cilësi është Qendra Spitalore Universitare “ Nënë Tereza" , vë në dukje specialisti Thies.


Një strukturë e tillë është edhe baza e autonomisë financiare të spitaleve dhe e shmangjes së korrupsionit në bluzat e bardha. " Për herë të parë - thotë specialisti gjerman Thies - jepet rasti që të ardhurat dytësore, pra paratë që vijnë nga pacientët p.sh. të atyre që ata nuk i përmbahen strukturës së caktuar, pra të shkojë së pari në shërbimin parësor, në qendrën shëndetësore, aty të marrë një rekomandim për tek specialisti në spital. Ka shumë njerëz që nuk duan të veprojnë kështu, por preferojnë të shkojnë direkt në spital. Në këto raste ata duhet të paguajnë një sasi të caktuar parashë, që varet nga lloji i sëmundjes, i egzaminimeve dhe i trajtimit mjekësor që do të marrin. Ky është një hap i madh për spitalet, sepse ato mjund t´i mbajnë këto paradhe t´i përdorin për investime. Kjo është autonomia, sepse tani spitalet kanë paratë e tyre , mund të vendosin se si do t´i shpenzojnë ato për investime, për teknologji të reja ndoshta, apo për çfarë u duhet tjetër.", thotë Hilger Thies.


Pagesat me fatura të rregullta dhe jo më nën dorë do të krijojnë bazën për të dalë nga rrethi vicioz i bakshisheve dhe i korupsionit të personelit mjekësor. Ato do t´i bëjnë të gjithë qytetarët, pavarësisht nga statusi i tyre: të siguruar apo të pasiguruar.

Por a do tu ofrojë ISKSH-ja shërbimet spitalore, të blera tanimë që në fillim të vitit, edhe atyre që nuk janë të siguruar? Dhe në kushtet kur ekonomia informale në Shqipëri vazhdon të jetë në nivele të larta , ata që punojnë në të zezë dhe janë të pasiguruar , nuk janë të paktë.


“Në spitale pacientët nuk i ndajmë në të siguruar dhe në të pasiguruar. Gjithkush që ka nevojë për trajtim mjekësor në një spital, sidomos në Shërbimet e Urgjencës e merr atë . Kjo nuk varet nga kontributet që jep për të qenë i siguruar. Shërbimi spitalor edhe për vitin 2009 do të vazhdojë të jetë falas për të gjithë." , thotë Holger Thies.


Autonomia e spitaleve shtrihet edhe në përcaktimin e medikamenteve mjeksore´, gjë që më parë bëhej nga Ministria e Shëndetësisë, e cila nuk del jashtë loje, por merret me investime të mëdha, ristrukturim dhe ndërtim spitalesh të reja.

Medikamentet mjekësore dhe azhornimi i tyre, me skemën e re bëhet nga vetë spitalet, që i planifikojnë ato në fillim të vitit duke menaxhuar më mirë buxhetin e tyre dhe duke rritur edhe efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve që ofrojnë.


Cilësia e shërbimeve spitalore dhe procesi integrues evropian


Cilësia mbetet një nga pikat substanciale të skemës së re. Në bazë të saj personeli i spitaleve, shërbimet mjekësore, medikamentet do të paguhen nga ISKSH-ja, me 200 milionë euro që ka në dispozicion për 2009-ën, nga të cilat 50 milionë euro vijnë nga kontributet e të siguruarve. Në Shqipëri kontributet janë në masën e 3,4 përqind të pagës mujore, ku niveli më i ulët i saj konsiderohen 120 euro në muaj. A mund të flitet për cilësi shërbimesh me këtë përqindje kontributesh


“Askush nuk mund të besojë që mund të sigurohet një cilësi e mirë sigurimesh shëndetësore me një normë prej 3,4 përqind të pagës mujore. Në Gjermani sigurimet shëndetësore kapin 15 përqind të pagës, në Zvicër 12,5 përqind, madje në SHBA 10 përqind, ku në fakt nuk ka një system të vërtetë shoqëror, që mbulon të gjithë apo shumicën e qytetarëve. Nga ana tjetër paratë që shkojnë për sigurimet shëndetësore nuk varen vetëm nga 3,4 përqind e pagës si kontribut, por edhe nga GDP, prodhimi i brendshën brutto. Në rastin e Shqipërisë ky është kaq i ulët sa askush nuk beson që me këto para mund të ofrohet një sistem cilësor shërbimesh shëndetësore. Për sektorin e shëndetësisë kjo është e pamundur të arrihet me nivelin aktuakl të GDP -së", thotë Holger Thies.


Pavarësisht parave të limituara, skema e re ngjall shpresa në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve spitalore. ISKSH-ja deri në fund të marsit të këtij viti do të ketë përfunduar kontratat me drejtoritë e spitaleve për shërbimet dhe cilësinë e tyre. Këto të fundit do të bëjnë kontrata me personelin e spitaleve për detyrat dhe cilësinë e shërbimit, të cilat prishen nëse njëra palë nuk respekton parimet për të cilat është rënë dakord. Reforma në shëndetësi dhe cilësia e shërbimeve për qytetarët është edhe një nga parakushtet e progresit të Shqipërisë në procesin integrues evropian.


“ Nga këndvështrimi europain ka një konsensus të gjerë në cdo vend për të investuar shumë në sigurinë sociale jo vetem në shëndetësi por edhe për pensionistet, të papunët, dhe aspekte të tjera të fushës sociale. Nisur nga aspirata e Shqipërisë për tu integruar në BE është e nevojshme të jepen më shumë para për kategoritë vulnerabël të shoqërisë dhe të rriten shërbimet që merr një i siuguruar..Pa rritur nivelin e shërbimeve në kët fusha është e pamundur që Shqipëria te integrohet në BE", thotë Holger Thies.


  • Data 17.02.2009
  • Autor Ani Ruci
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gw08
  • Data 17.02.2009
  • Autor Ani Ruci
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gw08