1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Spirancë stabiliteti, apo katalizator krize - Roli i Gjermanisë në krizën e euros

Ekonomia gjermane është pa dyshim lokomotiva e rritjes ekonomike në eurozonë. Por roli politik i Gjermanisë për të stabilizuar monedhën e përbashkët euro është i diskutueshëm.

default

Ngurruese, pa orientim dhe shumë defensive. Për menaxhimin e krizës nga ana e qeverisë gjermane për shpëtimin e euros ka kritika nga të gjitha anët. Në vështrimin e shumë vëzhguesve, kriza i merr me vete kancelaren Angela Merkel (CDU) dhe ministrin e saj të Financave, Wolfgang Schäuble (CDU).

Gjendja e euros po keqësohet

Rrezikohet edhe Italia nga kriza?

Rrezikohet edhe Italia nga kriza?

Dhe në një kohë, që Merkeli bën vizita të shkurta në tri vende afrikane, gjendja në shtetet e Euros po ashpërsohet edhe më tej. Çmimi i arit, termometri i temperaturës së kësaj krize, të mërkurën (13.3.) arriti maja të reja rekord. Pas Greqisë, Portugalisë dhe Irlandës, ekonomia e tretë për nga madhësia e Evropës, Italia, kërcënon të fundoset nën barrën e borxheve. Njëra pas tjetrës, agjencitë e klasifikimit të riskut ulin besueshmërinë për kreditim të shteteve evropiane të euros, duke e afruar atë me "paaftësinë për pagesë".

Prandaj nuk është për t'u çuditur që sytë e të gjithëve drejtohen te qeveria e ekonomisë më të madhe të Evropës. Kritikë ndaj mënyrës së veprimit të qeverisë gjermane u formulua që disa javë më parë nga Frank-Walter Steinmeieri, nga socialdemokratët opozitarë.

"Ne kemi në Evropë një krizë të vërtetë politike, ndoshta krizën më të madhe që prej themelimit të BE, dhe me përjashtim të zotit Schäuble, atë e përjashtoj shprehimisht, pjesa tjetër e qeverisë kufizohet me një punë, sikur të ishte gjendje normale, madje bën më pak se kaq. Kjo është gjendja."

Një zgjidhje adekuate nuk ekziston

Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble

Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble

Një recetë të patentuar për përballimin e krizës, megjithatë as ministri i Financave Schäuble, nuk ka. Në një kohë, kur Schäuble veproi vetëm me ngurrim në fillim të krizës së euros në pranverë 2010 për të vënë në përdorim paketat e ndihmës prej miliarda eurosh për Greqinë, këtë javë, për shkak të ashpërsimit dramatik të krizës, Schäuble bëri kthesë:

"Tani gjithçka vendoset në arkën e instrumentave dhe mbi këtë bazë bëhen propozime të përbashkëta, deri këtu nuk patëm arritur para mbledhjes. Një debat kaq intensiv dhe të ndershëm për problemet e vërteta ne deri tani nuk kemi bërë."

A është hezitim, apo maturi qëndrimi i Gjermanisë?

Deri tani në menaxhimin e krizës së euros vlente vetëm deviza: asnjë përfundim të përshpejtuar. Prandaj, as kancelarja federale, as ministri i saj i Financave nuk donin të mblidheshin në një takim të nivelit të lartë të përfytyruar për sot (15.7.). Në këtë takim do të vendosej për një paketë të dytë ndihmash për Greqinë e zhytur në borxhe. Paketa e parë u miratua në maj 2010, në një shumë prej 110 miliardë eurosh, e shoqëruar nga kërkesa të rrepta.

A heziton Gjermania gjatë?

A heziton Gjermania gjatë?

Kryeministri grek Jorgos Papandreu e paralajmëroi të enjten (14.7.) kancelaren që të nxitojë: nëse aprovimi i ndihmës vjen me vonesë, atëherë tregjet financiare mund të dalin jashtë kontrollit. Por qeveria gjermane në Berlin vazhdon edhe më tej të jetë e interesuar për takspaguesin gjerman. 190 miliardë euro janë garancitë, që ka ofruar deri tani Gjermania për vendet e zhytura në borxhe. Prandaj, ministri gjerman i Financave ngul këmbë që bankat dhe sigurimet të mbulojnë vullnetarisht një "shumë signifikante" në paketën e ardhshme të ndihmave. Këtë qendrim Schäuble e mbron prej kohësh, si pjesë e një kulture stabilizuese të politikës financiare.

Autor: Richard Fuchs/Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica