1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Spiegel: Cameron paralajmëron daljen eventuale nga BE po ta fitojë Junckeri presidencën

Në një informacion të mediave gjermane thuhet se kryeministri britanik David Cameron ka paralajmëruar që vendi i tij mund të largohet nga BE, nëse president i KE bëhet Jean-Claude Juncker. Por Junckeri mbetet optimist.

Informacioni i revistës gjermane Der Spiegel citon burime të BE të cilat citojnë Cameronin me fjalët se nëse Jean Claude Juncker bëhet president i Komisionit Evropian, kjo do ta destabilizonte qeverinë e tij në një masë të madhe. Kjo do të bënte që një referendum i planifikuar për qendrimin apo largimin e Britanisë nga BE do të duhej të afrohet.

Burimet thonë se Cameroni kishte lënë të kuptohej se mbështetja për votën që Britania të largohej nga BE do të rritej po të zgjidhej Juncker-i në postin e lartë.

Cameroni ka premtuar se do të mbajë një referendum për faktin nëse Britania e Madhe do të qendrojë ose jo në BE në fund të vitit 2017, nëse qeveria e tij do të rizgjidhej në zgjedhje të përgjithshme në vitin 2015.

Të hënën ai i kundërshtoi thirrjet për ta afruar referendumin, kur partia e tij konservatore u mund në zgjedhjet evropiane nga United Kingdom Independence Party (UKIP), një parti skeptike ndaj Evropës dhe partia kryesore laburiste.

"Fytyrë e viteve '80"

Cameroni i ka bërë këto komente në Bruksel të martën, në kuadër të të takimit të nivelit të lartë të BE, në prani të shumë politikanëve evropianë, midis tyre edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Të premten Merkeli konfirmoi mbështetjen e saj për Junckerin pas një qëndrimi të përmbajtur për këtë çështje.

Edhe partia e Merkelit, edhe ajo e Junckerit janë anëtare të Partisë Popullore Evropiane (EPP), parti e qendrës së djathtë, e cila fitoi shumicën e vendeve në zgjedhjet për Parlamentin Evropian javën e kaluar.

Konservatorët e Cameronit u larguan nga EPP në vitin 2009. Kryeministri britanik e kundërshton që Junckeri të bëhet president i Komisionit Evropian sepse mendon se ai ka qëndrim shumë federalist ndaj Evropës. Ai ka bërë thirrje që të zgjidhet një kandidat reformist.

"Një fytyrë e viteve '80 nuk do të jetë në gjendje të zgjidhë problemet e pesë viteve të ardhshme", citon Spiegel-i Cameronin.

Junckeri mbetet optimist

Por në një intervistë për gazetën Bild am Sonntag, ish-kryeministri i Luksemburgut, Juncker tha se atë e mbështet shumica e drejtuesve të qeverive dhe u bëri atyre thirrje të mos i përkulen presionit të një minoriteti.

"Evropa nuk duhet ta lejojë veten t'i bëjnë shantazh", tha Junckeri, duke shtuar se është "optimist se do të zgjidhet në mes të korrikut president i Komisionit të ardhshëm."

Gazeta Bild am Sonntag kujton me këtë rast se edhe presidenti francez, Francois Hollande është midis atyre që kundërshton që Jean-Claude Junckeri të marrë postin në fjalë.

Pa përmendur emra, në gazetë shkruhet se Hollande dëshiron që këtë post ta marrë një francez. Në bisedimet me Merkelin ai ka propozuar për këtë post ish-ministrin e tij të Financave, Pierre Moscovici.