1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spekulime rreth vdekjes së Arafatit

Tania Krämer8 Nëntor 2013

Ish-udhëheqësi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës Arafat mund të jetë helmuar me polonium. Sipas një raporti vlerat e polonium 210 që gjetën në varrin e Arafatit ishin 18-fish mbi vlerën normale.

https://p.dw.com/p/1ADvC
Fotografi: Reuters

Lajmi i së mërkurës në mbrëmje (06.11.2013) në kanal televiziv arab Al-Jazeera, se ish-udhëheqësi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës Jaser Arafat mund të jetë helmuar me shumë gjasë me substancën radioaktive polonium, qe një tronditje për përpjekjet e MPJ amerikan John Kerry për t'u dhënë jetë bisedimeve të paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Por palestinezët nuk u çuditën shumë nga ky lajm - sepse shumë syresh kishin menduar gjithmonë se Jaser Arafati nuk ka vdekur nga një vdekje natyrale. "Nga njëra anë, shumë njerëz ndihen të konfirmuar në dyshimin e tyre se pas kësaj është Izraeli," - thotë Mehdi Abdul Hadi, analist politik në think tank-un PASSIA në Jeruzalemin Lindor. "Nga ana tjetër diskutimet rrotullohen rreth pyetjes: se kush mund të ketë qenë në atë kohë aq afër Arafatit dhe që ka ka ndihmuar për këtë krim? Cili pra është tradhtari?"

Jaser Arafat
Fotografi: Pierre Guillaud/AFP/Getty Images

Shumë spekulime rreth vdekjes së Arafatit

Arafati vdiq më 11. nëntor 2004 në një spital në periferi të Parisit. Atij nuk iu bë në atë kohë autopsi, edhe pse kishte dyshime se vdekja e papritur e 75-vjeçarit Arafat nuk kishte qenë natyrale. Fillimin e hetimeve e nxiti e veja e tij Suha Arafat së bashku me kanalin televiziv Al-Jazeera, pasi në sendet personale të Arafatit u gjetën gjurmë të poloniumit 210.

Verën e vitit të kaluar autoritetet palestineze ranë më në fund dakord për hapjen e varrit të Arafatit në Ramallah. Provat u hetuan nga grupe të pavarura mjekësh ligjorë nga Franca, Rusia dhe Zvicra. Shkencëtarët zviceranë ua kanë dorëzuar tashmë raportin e tyre 108-faqesh autoriteteve palestineze dhe së vesë Suha Arafat.

Sipas raportit vlerat e polonium 210 që gjetën ishin 18-fish mbi vlerën normale. Por nuk mund të provohet pa asnjë pikë dyshimi se shkaku i vdekjes ishte poloniumi, thanë shkencëtarët mjeko-ligjorë zviceranë në një konferencë për shtyp të enjten (07.11.2013). Ende nuk dihet se kur do të botohen rezultatet e testeve të tjera, por Suha Arafat tha në një intervistë me Al-Jazeeran se një gjë e tillë është "krimi i shekullit".

Fall Alexander Litwinenko Polonium Test
Fotografi: picture-alliance/dpa

Izraeli, i cili gjithmonë e ka mohuar kategorikisht këtë pretendim, e komentoi edhe raportin aktual të shkencëtarëve zviceranë si jo serioz. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Tel Aviv e quajti hetimin e tyre në radion izraelite si një "operetë" duke kritikuar mënyrën e punës .

Shumë pyetje - edhe brenda radhëve të palestinezëve

Pavarësisht nëse raporti i shkencëtarëve konfirmohet apo jo, rrethanat e vdekjes së Arafatit ngrenë shumë pyetje. Ndër to edhe atë nëse ka pasur ndonjë tradhtar në radhët e palestinezëve. "Shumica e palestinezëve janë të bindur se pas vrasjes është Izraeli," thotë korrespondenti për Lindjen e Mesme Matthew Kalman, i cili i dokumentuar ngjarjet në librin 'Vrasja e Arafatit'. "Por, pyetja më e rëndësishme tani është: Kush kishte dorë në momentin që Arafatit iu dha doza vdekjeprurëse e poloniumit. Nëse dikush ka e futur atë në ushqim ose pije, atëherë ky person duhej të jetë dikush nga rethi i ngushtë i Arafatit?". Shumë spekulime, por edhe mjaft çështje eksplozive që gjithashtu mund të shkaktojnë trazira politike në Ramallah.

Ndikimi ndaj bisedimeve të paqes?

Mbetet e paqartë se deri në çfarë mase mund të ndikojë raporti i shkencëtarëve zviceranë në bisedimet tashmë të vështira për paqe mes palestinezëve dhe izraelitëve. "Unë mendoj se publikimi i rezultateve në këtë moment shumë kritik të bisedimeve të paqes nuk është rastësi," thotë autori Matthew Kalman. "Udhëheqja palestineze mund të përpiqet që të fitojë një avantazh ndaj pozicionit izraelit, në sfondin e një dështimi të mundshëm të negociatave."

Ramallah - Yassir Arafat Mausoleum
Mauzoleu i Jaser Arafatit, RamallahFotografi: picture-alliance/dpa

Edhe pse Arafati mbetet një figurë qendrore dhe simbol i rezistencës për palestinezët, pas vdekjes së tij shoqëria palestineze ka ndryshuar. Drejtuesit politikë sot në Ramallah bazohen më tepër në ndërtimin e shtetit dhe tek diplomacia, dhe brezi i ri e sheh epokën e Arafatit më shumë me një notë nostalgjie.