1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

SPD nominon Schulzin kandidat për kancelar dhe kryetar partie

Martin Schulz është kandidati i socialdemokratëve për kancelar. Pas dorëheqjes së papritur të Sigmar Gabrielit, ai është zgjedhur edhe kryetar i SPD.

Kryesia e partisë socialdemokrate (SPD) ka vendosur të dielën që Martin Schulz të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme për kancelar kundër kancelares së tanishme Angela Merkel (CDU). Njëkohësisht ai mori edhe postin e kryetarit të partisë SPD. Me 19 prill Schulz do të konfirmohet si kandidat në kongresin e partisë në Berlin.

Schulz: SPD synon fitoren

Në fjalimin e tij pas nominimit, Schluz tha në Berlin se qëllimi i SPD është që të bëhet partia me numrin më të madh të votave në Gjermani. Dhe nga kjo pozitë do të vendosë për koalicionet e mundshme. Si detyrën më të rëndësishme Schulz nënvizoi unifikimin e shoqërisë dhe kujdesin për punëtorët. Ai kundërshtoi thellimin e hendekut mes të varfërve dhe të pasurve. "Njeriu i rëndomtë dhe problemet e tij duhet të jenë në epiqendër", tha Schulz.

Martin Schulz përshëndetet me brohoritje

Në radhët e partisë SPD mbretëronte sot një eufori me kandidatin e ri. Ai tha se SPD do t'i përkushtohet edhe familjes, arsimit dhe problemeve të përditshme të njerëzve. Martin Schulz kritikoi edhe drekretet e presidentit të ri amerikan Donald Trump për migrantët. Ai tha se Trump po sulmon dhe cënon minoritetet në një "formë të paturpshme dhe të rrezikshme". Raportet transatlantike, sipas tij, duhet edhe më tej të kenë një bazë të fuqishme në Evropë dhe në Gjermani. Sa i përket të djathtës, ai kundërshtoi fuqishëm propagandën populiste dhe në emër të SPD i shpalli luftë dukurive të këtilla. Partia AfD nuk është kurfarë alternative për Gjermaninë, tha ai. Schulz falënderoi edhe kryetarin e deritanishëm të partisë, Sigmar Gabriel për angazhim. Sipas sondazheve të fundit, SPD ka fituar disa pikë në krahasim me ditët e mëparshme. Në disa pikëpamje ai ka përparësi madje edhe ndaj kancelares Merekl, por mbetet të shihet se si do të reagojnë zgjedhësit pas paraqitjeve të programeve konkrete.