1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SPD: Më e fortë pas sprovës!

Volker Wagener.15 Dhjetor 2013

Pjesëmarrje e lartë, miratim i gjerë: koalicioni i madh s'ka më asnjë pengesë. SPD-ja me çarje të brendshme pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e shtatorit, del më e fortë nga vota e bazës, mendon Volker Wagener.

https://p.dw.com/p/1AZqz
Fotografi: DW

Me shumë dëshirë SPD do të ishte prezantuar në gjendje më të mirë në 2013-n, vit në të cilin festoi edhe 150-vjetorin e saj. Në vend të kësaj arrin një rezultat i cili me të drejtë mund të quhet i dobët, në zgjedhjet për Bundestagun në shtator. Një rezultat pas të cilit ekspertët pyesin: a mund të jesh ende parti popullore me 26 për qind? Për pasojë duhej të pasonte një kritikë e thellë. Por ndodhi e kundërta. Nën rrezikun e përçarjes së partisë, kryetari i socialdemokratëve Sigmar Gabriel, guxon të arrijë maksimumin. Për të mundur të bashkëqeverisë në krah të një kancelareje plot vetëbesim si Angela Merkel, ai duhet t'ia bëjë tërheqës partisë së tij koalicionin e madh. Një partie, e cila ende lëpin plagët e marra gjatë bashkëqeverisjes me Unionin Kristiansocial/Kristiandemokrat nga 2005 deri 2009.

Edhe atëherë socialdemokratët ishin partneri me më pak rëndësi në krah të popullores Merkel. Një periudhë legjislative në të cilën Partia Kristiandemokrate (CDU) e margjinalizoi SPD-në dhe ku socialdemokratët dështuan në krijimin e një profili të tyre. Kjo nuk duhet të përsëritej, baza duhej të përfshihej në pyetjen nëse SPD, e dobësuar nga vota e zgjedhësve, mund të jetë rrota e vogël në makinën Merkel, katër vitet e ardhshme në Berlin. Nën drejtimin e Gerhard Schröderit socialdemokratët thjesht u anashkaluan në politikën e shkurtimeve sociale. Sigmar Gabriel ka nxjerrë mësime prej kësaj.

Historia përsëritet

Atë që u arrit një herë në skenën e madhe politike, Sigmar Gabriel e aplikoi tani brenda partisë. Ai guxoi më shumë demokraci dhe rrezikoi që baza e majtë t'i refuzonte miratimin për një përpjekje të re në një koalicion të madh. Willy Brandt do të gëzohej. Në 100 vjetorin e lindjes së tij, partia jo vetëm e kujton por aplikon edhe moton e tij qendrore politike të 1969-s: "Ne duam të guxojmë më shumë demokraci", pati thënë ai atëherë në Bundestag. Stërnipi i tij politik Sigmar Gabriel, duhet të ketë menduar për fjalët e Brandt-it, kur vendosi t'i paraqesë për votim anëtarëve marrëveshjen e koalicionit. Një lojë ku rrezikohej e gjitha për të gjithën. E habitshme në këtë mes: SPD arriti të tërheqë vëmendjen e opinionit.

Në qendër të krijimit të koalicioni nuk ishte më Merkel por Gabriel. Ai ia doli veç kësaj të korrigjojë imazhin e tij të njeriut të zhurmshëm. Thuajse si burrë shteti u shfaq ai gjatë negociatava disa javë të gjata. Madje edhe rezultati i tyre mban vulën e tij: marrëveshja e koalicionit është e kuqe. Merkelit iu desh të bënte më shumë lëshime nga sa dëshëronte. Përpara se qeveria të fillojë vërtet nga puna, socialdemokratët e kanë zvogëluar ndjeshëm hapësirën e lojës të Angela Merkelit. Një sukses i papritur për një parti me shpatulla në mur.

SPD si formësuese e kthesës energjitike?

Socialdemokratët nuk kanë alternativë tjetër veçse të rigjejnë në koalicionin e madh rëndësinë e dikurshme politike. Dallimi me konceptet politike të Unionit CDU/CSU nuk do të jetë i lehtë të arrihet, në një sfond ku komponenti socialdemokrat nuk është më karakteristikë individuale e SPD-së. Ndoshta këtu mund të vijë në ndihmë "Superministria" e re e Ekonomisë dhe Energjisë. Atë Sigmar Gabriel e ka rezervuar për vete. Do të jetë ministria më e rëndësishme në kabinet krahas asaj të Financave.

E megjithëse ekonomia merr pak impulse nga ministria, ajo është e varur nga koncepti i qeverisë së re për energjinë. Kthesa energjitike si reagim pas katastrofës bërthamore të Fukushimës, është fusha qendrore politike e periudhës së re legjislative krahas menaxhimit të borxheve dhe euros. Gabriel do të ketë kështu një pozicion shumë të rëndësishëm. Ky është më shumë se një shans.

Fushata elektorale 2017 tashmë ka filluar

Me largimin e kandidatit për kancelar Peer Steinbrück nga politika e lartë, Ministrinë e Jashtme gjithnjë e më pak të rëndësishme për Frank-Walter Steinmeier (pasi politika e jashtme e 'mirëfilltë' bëhet në zyrën e Kancelares!), Sigmar Gabriel mbetet i vetmi politikan kryesor nga treshja e dikurshme. Gabriel është ambicioz dhe i bekuar me një dozë të mirë oportunizmi popullor. Në 2017 ai mund të bëhet një sfidues i vërtetë për Merkelin. Cilësitë e tij profesionale dhe aftësitë retorike nuk ia kanë mohuar kurrë as kundërshtarët brenda partisë.

Ajo që i ka munguar deri tani ka qënë faktori simpati. Ajo çfarë i pëlqen aq shumë masës tek Angela Merkel: vetëpërmbajtja, gjestet dhe fjalët e kursyera. Sigmar Gabriel është më shumë një njeri i zhurmshëm. Hapin e parë drejt vetë-terapisë e hodhi gjatë negociatave të koalicionit dhe në paraqitjet para bazës së partisë, së cilës i shpjegoi arsyet për koalicionin e madh. Dhe kjo ishte një lëvizje mjeshtërore nga pozicioni mbrojtjes. Një gjë është e qartë: Angela Merkel në mandatin e saj të tretë do të ketë në krah një partner koalicioni me vetëbesim. Dhe një zëvendëskancelar që punën e numrit dy do ta bëjë vetëm përsa kohë është i detyruar.

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,17297143,00.html