1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

SPD kundërshton kancelaren Merkel

Ministri i Drejtësisë, Heiko Maas nga SPD kundërshton hapur planet e partive unioniste CDU/CSU për zonat e tranzitit. Në koalicionin qeveritar në Berlin po debatohet ashpër për strategjinë ndaj refugjatëve.

Ministri i Drejtësisë u paraqit me një retorikë të ashpër: "Burgje si llogore" dhe "burgje masive", e quajti ai konceptin e partive të Unionit CDU/CSU për zgjidhjen e problemit me refugjatët. Socialdemokrati Heiko Maas mendon se ka alternativa më të mira për pranimin e refugjatëve dhe zgjidhjen e problemeve me refugjatët. "Me qendrat e hyrjes në vend ne mund të vendosim më shumë rregull atje ku sot ka paqartësi", deklaroi Maas për agjensinë e lajmeve DPA. Në këtë mënyrë dërgohet një sinjal i qartë: "Të gjithë refugjatët duhet të regjistrohen në këto qendra. Ata që nuk e respektojnë këtë rregull, duhet të llogarisin me pasoja dhe shkurtimet e ndihmave."

Mospajtime për strategjinë

Me këtë strategji mund të përshpejtohet procesi i zgjidhjes së kërkesave për azil. Kjo është e domosdoshme, sepse "duhet të vendosim shpejt se kush mund të mbetet në vend e kush duhet të largohet", theksoi ministri i Drejtësisë. Si pasojë e një numri tepër të madh të refugjatëve, ndihmat tani duhet të përqendrohen tek ata të cilët kanë më shumë nevojë. "Personat të cilët nuk kanë të drejtë azili mund të largohen drejtpërdrejt nga këto qendra", shpjegon ministri i Drejtësisë.

Partia SPD do të evitojë me të gjitha mjetet "Zonat e tranzitit", të kërkuara nga partitë e Unionit CDU/CSU. "Pozita jonë nuk ka ndryshuar dhe është e qartë: ne jemi kundër zonave si burgje. Burgjet masive në kufi të Gjermanisë do të krijonin edhe më shumë probleme", nënvizoi Maas. Edhe nënkryetari i SPD Ralf Stegner i ka kritikuar ashpër planet e partive unioniste. CSU po përpiqet të përfitojë mbështetje si pasojë e presioneve të organizatave të djathta, deklaroi Stegner për ARD.

Partitë unioniste ka hartuar të dielën një dokument me të cilin kërkohet krijimi i zonave të tranzitit, ku duhet të regjistrohen të gjithë refugjatët dhe azilkërkuesit. Ata të cilët nuk kanë të drejtë azili mund të mos lejohen fare të futen në Gjermani. Si zonë tranziti mund të shërbejnë edhe zonat e tranzitit në aeroporte, sepse atje llogaritet që njerëzit ende nuk janë futur në territorin gjerman. SPD dhe disa organizata për të drejtat e njeriut mendojnë se në këtë mënyrë kufizohet e dretja e kërkesës së azilit.

Mundësia e kompromisit

Zëdhënësi për Çështje të Brendshme i Grupit Parlamentar unionist, Stephan Mayer (CSU), kërkon nga SPD që të heqë dorë nga "rebelimi" dhe të jetë më konstruktive. Ai pohon se në këto zona nuk do të ndalen refugjatët, por vetëm ata për të cilët është e qartë se nuk kanë të drejtë azili. Pas dështimit të takimit ditën e diel, janë dëgjuar ndërkohë nga të dy blloqet kërkesa për kompromis. Dokumenti i përpiluar të dielën ka zbutur konfliktet mes kancelares Angela Merkel dhe kryeministrit të Bavarisë Horst Seehofer. Por Merkeli ende refuzon të përcaktojë numrin më të lartë të refugjatëve që mund të pranojë Gjermania. .Të enjten pritet të mbahet samiti i radhës në nivelin më të lartë mes partive unioniste CDU/CSU dhe SPD.