1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Sparkata e vështirë e Presidentit Gauck në vizitën në Turqi

Debati i ri për armenët shoqëron vizitën e Presidentit gjerman Gauck në Turqi. Presidenti duhet të japë sinjale për lirinë e shtypit dhe të drejtat e njeriut, mendon Baha Güngör.

default

Në Turqi interesi për vizitën shtetërore të Presidentit gjerman Joachim Gauck nga e shtuna në mbrëmje (26.04.2014), deri tani ka qenë i pakët. Kjo ka gjasa të ndryshojë, pasi Gauck duhet të japë një sinjal të fortë për lirinë e mendimit dhe të shtypit. Këtë ai e ka detyrë ndaj vetvetes. Por këtë e presin edhe mbrojtësit e këtyre vlerave në Turqi. Pranimi i vlerave të tilla mbetet kushti më i rëndësishëm për afrimin e mëtejshëm të vendit me Bashkimin Evropian, në të cilin Turqia prej vitesh kërkon të anëtarësohet.

Prej plot një viti megjithatë Turqia e qeverisur nga kryeministri turk Rexhep Taip Erdoan, u jep shumë shkas për sulme kritikëve. Prej kohësh vendi nuk mund të lëvdohet më për reforma në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, siç ndodhte deri para pak vitesh. Përkundrazi zhvillimet e fundit në politikën e brendshme të vendit u japin shkaqe të mjaftueshme atyre kritikëve, që gjithnjë e më shumë e krahasojnë Turqinë me një diktaturë, e cila nuk i beson më qytetarëve të saj dhe për këtë arsye ushtron vëzhgimin e tyre të detyruar. Kundërshtarët e tij në aparatin shtetëror dhe drejtësi Erdogan i pezullon apo kujdeset për transferimin e tyre.

Ofensiva e papritur e Erdoanit

Në këtë kontekst Erdoani habiti miqtë dhe armiqtë me një ofensivë që deri tani mendohej e pamundur në këto dimensione, në debatin për armenët. Ai kërkoi falje për vdekjen e qindra mijëra armenëve në deportimet në masë në kohën e shpërbërjes së Perandorisë Osmanë në vitin 1915 dhe shprehu ngushëllimet e tij. Deklarata me shkrim megjithatë, ashtu si pritej, nuk e përmbante cilësimin "gjenocid", i cili refuzohet nga pjesa më e madhe e turqve.

Baha Güngör

Baha Güngör

Kjo risi në politikën turke ndaj Armenisë vërtet nuk është e mjaftueshme për republikën fqinje në Kaukaz si dhe komunitetet me influencë të armenëve në diasporë, pasi kërkesa e tyre maksimale për njohjen e tezës së gjenocidit nuk është përmbushur.

Nga ana tjetër Erdoani ka vendosur kështu piketat për debatet ndërkombëtare me rastin e 100 vjetorit të masakrës së armenëve në Anadoll, vitin e ardhshëm. Ai i ka dhënë debatit një pikënisje të re. Nëse pas një viti përkufizimi "gjenocid" nuk do të jetë më tabu, mbetet të shihet.

Vlerësim dhe kritikë

Në këtë sfond Gauck mund t'i gëzohet një vizite interesante në një vend tradicionalisht mik të Gjermanisë. Bisedimet e tij me Presidentin Abdullah Gyl, fetar i moderuar, si dhe me përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë civile, i ofrojnë Presidentit mundësinë të tregojë për përvojën e tij si qytetar i ish-RDGJ. Në këtë kuadër ai mund të paralajmërojë për mure të rinj brenda shoqërisë dhe thellimin e hendekut mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të regjimit.

Por gjatë vizitave të tij tek ushtarët e Bundeswehr-it dhe në kampet e refugjatëve nga Siria, Presidenti Gauck do të nënvizojë edhe rëndësinë e Turqisë si anëtare e aleancës mbrojtëse perëndimore.

Vizitat shtetërore në Turqi nga Republika Federale nuk kanë qenë kurrë të lehta. Çdo herë ka pasur një sparkatë mes deklaratave qortuese dhe lëvdatave, mes vlerësimit dhe krititës. Këtë e dinë më mirë ministrat gjermanë të mëparshëm të punëve të jashtme. Edhe Gauck-ut i duhet ta realizojë me sukses këtë sparkatë të vështirë. Por suksesi i vizitës së tij, qoftë në Gjermani, qoftë në Turqi, do të matet me kontributin e tij për reduktimin e tensioneve. Tensionet e reja nuk do të ishin të mira për raportet gjermano-turke.