1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Spanja nuk heq dorë nga Katalonja

Gjykata Kushtetuese spanjolle ndalon përpjekjet e Katalonjës për pavarësi. Por qeveria rajonale në Barcelonë nuk do të ndalet.

Konflikti për shkak të përpjekjeve të rajonit verilindor të Spanjës, Katalonjës, për pavarësi, po ashpërsohet. Gjykata Kushtetuese në Madrid shfuqizoi të martën në mbrëmje përfundimisht një deklaratë për sovranitetin e Katalonjës. Deklarata e miratuar nga parlamenti katalan në janar 2013 është "e pavlefshme dhe antikushtetuese", thuhet në vendimin e "Tribunalit Constitucional ".

Referendumi i paligjshëm

Referendumi i planifikuar të zhvillohej për pavararësinë e Katalonjës u shpall i paligjshëm nga gjykata kushteteuse. Një rajon "nuk mund të organizojë në mënyrë të njëanshme një referendum për vetëvendosje." Arsyeja: Katalonja "nuk është subjekt politik dhe juridik i pavarur".

Presidenti rajonal i Katalonjës Artur Mas në dhjetor të vitit të kaluar pati njoftuar se referendumi do të mbahej me 9 nëntor 2014. Pyetja e parë do të jetë: "A dëshironi që Katalonia të bëhet shtet?" Nëse kjo pyetje merr përgjigje pozitive, pyetja e dytë është: "A dëshironi, që ky shtet të jetë i pavarur?"

Artur Mas

Artur Mas

Fitore e qeverisë qendrore

Sipas kushtetutës spanjolle vetëm qeveria qendrore në Madrid mund të vendosë për mbajtjen e një referendumi. Katalonja dhe 16 rajonet e tjera autonome të Spanjës nuk e kanë këtë të drejtë.

Me këtë vendim gjykata kushtetuese i dha të drejtë një ankesë të qeverisë konservatore spanjolle. Në maj 2013 gjykatësit e patën pezulluar përkohësisht deklaratën. Kryeministri Mariano Rajoy kishte theksuar disa herë, se referendumi është i paligjshëm dhe nuk do të mbahet në asnjë mënyrë.

Në Barcelonë po krijohet ndërkohë rezistencë kundër vendimit. Zëdhënësi i grupit parlamentar të partisë nacionaliste në pushtet në Katalonjë CiU, Jordi Turull, e kundërshtoi me forcë vendimin e gjykatësve: "Ne nuk marrim atë aspak parasysh." Eshtë fjala për një "vepër të agjitatorëve politikë", që ushqejnë antipati ndaj Katalonjës, tha Turull.

Gjuhë më vete. Kulturë më vete. Shtet më vete.

Katalonia është nga rajonet më të zhvilluara ekonomikisht të Spanjës. Rreth një e pesta e prodhimit bruto të Spanjës krijohet atje. Katalanët, që janë krenarë për gjuhën dhe kulturën e tyre, ankohen prej kohësh se i paguajnë shuma të larta Madridit dhe për to marrin një kompensiom relativisht të ulët. Shumë prej gati shtatë milionë e gjysëm banorëve të rajonit kërkojnë që Katalonja të ngrejë vetë taksat. Sipas një anketimi të fundit të një instituti katalan për hulumtimin e opinionit shumica e të pyeturve janë shprehur për shkëputjen e Katalonjës nga Spanja.