1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Spanja: Kandidati tjetër për ombrellën e shpëtimit

Kriza e huave është kthyer me forcë. Spanjë quhet rasti problematik aktual. Për të parën herë sivjet Madridit i duhet të paguajë për obligacione dhjetëvjeçare norma interesi më të larta se gjashtë për qind.

Mizat nuk sulmojnë vezë që nuk janë të krisura, thotë një fjalë e urtë kineze. Mirëpo, ekonomia e katërt më e madhe e Eurozonës ofron mjaftueshëm të krisura për spekulime. Së pari, është deficiti i lartë buxhetor, i cili arriti vitin e kaluar 8,5 për qind të produktit të brendshëm bruto (BIP). Sivjet qeveria në Madrid duhet ta ulë deficitin në 5,3 për qind (përndryshe kërcënojnë probleme nga Brukseli). Pra, kursimi ka prioritet maksimal dhe kjo në një kohë kur ekonomia spanjolle sërish po tkurret. Christian Schulz i bankës Berenberg e sheh rrezikun më të madh te mundësia e shkaktimit të një spiraleje kursimi, recesioni më të thellë, mosarritjeje të mëtejshme objektivash buxhetore dhe shkurtimesh edhe më të ashpra. „Veç kësaj Spanja vuan ende në shumë aspekte nga plasja e flluskës së pasurive të patundshme. Papunësia shpërtheu para së gjithash prej kolapsit të sektorit të ndërtimit.“

Në foto, Prof. Dr. Jürgen B. Donges

Në foto, Prof. Dr. Jürgen B. Donges

Me 23 për qind Spanja ka normën më të lartë të papunësisë në BE. Bankat spanjolle kanë një mal me kredi, të cilat i kanë dhënë gjatë boom-it të ndërtimit dhe të cilat tani, në pjesën më të madhe, nuk mund të shlyhen. Vëllimi i këtyre kredive të kalbura përllogaritet aktualisht në 150 miliardë euro dhe ka për t'u rritur. Sepse përshtatja e çmimeve në sektorin e pasurive të patundshme nuk ka ndodhur ende, mendon Jürgen Donges, profesor ekonomie në pension i Universitetit të Këlnit: „Çmimet kanë rënë disi, mirëpo kur merrni parasysh se një milion banesa janë ende të zbrazëta, atëherë unë si ekonomist do të thosha që çmimet duhet të bien në dysheme.“

Një rënie e mëtejshme e çmimeve do t'i dobësojë edhe më shumë bankat

Që tani ato janë të varura nga ndihma financiare e Bankës Qendrore Evropiane. Në mars ato morën hua nga ECB-ja 300 miliardë euro (aq shumë sa asnjëherë më parë). „Me gjuhë teknike, shumë banka kursimesh në Spanjë janë në fakt të falimentuara“, thotë Donges.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Tregjet financiare i preokupon shqetësimi që obligacionet shtetërore spanjolle nuk do të gjejnë më blerës kur të pësojë kolaps sektori bankar. Megjithatë, eksperti i Spanjës Donges nuk llogarit me këtë. Së pari, problemin nuk e kanë bankat e mëdha, po bankat e kursimeve; dhe së dyti… „…ekziston njëfarë ombrelle shpëtimi kombëtare për të realizuar rikapitalizimin. Pyetja është, a mjafton ajo, apo duhet të shtojë diçka qeveria.“

Christian Schulz: Pikënisja e Spanjës nuk ka qenë e keqe

Në foto, Christian Schulz

Në foto, Christian Schulz

Në qoftë se qeveria në Madrid nuk do të ishte në gjendje për këtë, vendit mund t'i jepej një nivel kredie fleksibël, thotë Christian Schulz i bankës Berenberg. Mirëpo, që Spanjës ti duhet si e tërë të futet nën ombrellën e shpëtimit të euros, me këtë nuk llogarit asnjëri nga dy ekspertët. Christian Schulz: „Spanja ka përshkuar një proces të gjatë adaptimi. Eksportet kanë pasur një boom vitet e kaluara. Importet janë ulur. Kësisoj deficiti i bilancit të llogarive rrjedhëse gati është zhdukur. Spanja ka bërë gjithashtu përparime fiskale si dhe në ristrkturimin e bankave. Dhe pikënisja e Spanjës nuk ka qenë e keqe.“

Me këtë ai kupton faktin që borxhi shtetëror edhe pas thellimit të shpejtë të krizës gjendet ende te rreth 70 për qind e BIP-së, ndërkohë që Eurozona ka mesatarisht një normë borxhi prej 88 për qind. Veç kësaj, Spanja ka mbuluar tashmë gjysmën e nevojës së vet të rifinancimit për sivjet.

Autor: Zhang Danhong / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti